Obama – guximi për të shpresuar! (Erion Veliaj)

November 13th, 2008

Gjasat janë të mëdha që kur kjo revistë të dalë në treg në tezgat e Shqipërisë, ky burrë i ri me emër të çuditshëm e lëkurë të errët do të jetë njeriu me potencialin më të madh tjetërsues të funksionimit të planetit tonë në vitet që pasojnë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një vit më parë e ca më parë fillova të insistoj me miqtë e mi, kundër të gjitha gjasave, se Obama do të ishte udhëheqësi i Botës së Re me arsyetimin se Barack Obama ishte një etalon i ‘politikës së re’, prova e gjallë e aktivizmit që mund apatinë, shembulli shpresëplote se historia e të rinjve në politikë nuk mund të diskreditohet nga industria e shëmtuar e shpifjes dhe sharjes, ekzemplari më i ri e drithërues i ëndrrës amerikane.
Më duhet të rrëfej, se një pjesë të grishjes për të avokuar fenomenin Obama e kisha nga kërkimi personal gjatë themelimit të G99-ës për prova se politika nuk është e tëra e pistë, se kalimi nga shoqëria civile në politikë nuk është mëkat, dhe se puna e ndershme e përpjekjet e sinqerta për ndryshim janë kura më e mirë për skepticizmin e cinizmin kronik. I lindur nga një baba zezak, i rritur vetëm nga nëna dhe gjyshja e tij, jeta e Barack Obamës është një dëshmi - kundra gjithë gjasave - e besimit për të realizuar gjëra që të tjerët para tij nuk guxonin t’i ëndërronin, e besimit që njerëzit bashkohen më fort nga dashuria dhe shpresa se nga urrejtja dhe frika.
Obama na konfirmon sesi në Shqipëri dhe në SHBA, apo edhe kudo në botë, njerëzit aspirojnë për të njëjtat gjëra: jetë të shëndetshme, edukim cilësor, një familje të fortë, pension dinjitoz, si dhe respekt, solidaritet e liri të shprehjes. E ndonëse shumë nga këto gjëra njerëzit i arrijnë vetë, në sajë të talentit, sipërmarrjes e punës së tyre të ndershme, të gjithë e ndjejnë nevojën e shtetit në orën e tyre të mirë të një ideje të re që kërkon përkrahje apo në dekikën e tyre të keqe të një dështimi që injekton dëshpërim, në hapat e parë të jetës së pavarur prej prindërve apo në muzgun e një jete të jetuar plot mundime, në përpjekjen për të jetuar në një vend më të mirë apo për t’u ndjerë më mirë në vendin ku jetojmë.
Si aktivist i shoqërisë civile në Chicago, Obama dëshmon rolin e pazëvendësueshëm të organizatave jo-qeveritare në avokimin e atyre nevojave të cilat qeveritë shpesh zgjedhin t’i injorojnë. Organizatat e shoqërisë civile, grupet komunitare, sindikatat e zejeve dhe unionet e punetorëve janë të gjithë penjtë që mbajnë bashkë stofin e shoqërisë tonë, ndaj është e rëndësishme që ato jo vetëm të ekzistojnë, por të gëlojnë. Si në rastin e Obamës, ato janë shpesh një para-shkollë politike, mënyra më e mirë për të shtrënguar duart, prekur hallet e mësuar dertet e atyre që të lodhur e zhgënjyer kërkojnë një përfaqësim më të denjë në politikën që vendos të ardhmen e tyre.
Për secilin djalë a vajzë të re që sot aspiron jetën publike, por nuk guxon ta provojë sepse pas cepit të angazhimit publik e pret egersia dhe injoranca e tregtarëve të vjetër të frikës e baltës, suksesi i Obamës ofron një over-dozë me kurajë! Kurajë, dhe nëse nuk keni lindur në një familje të pasur apo të lidhur me elitën politike. Kurajë, dhe nëse idetë tuaja nuk janë shumë popullore në fillim. Kurajë, dhe nëse rrëzoheni herën e parë a të dytë që e provoni. Lajmi i mirë nga fenomeni Obama është se me kurajë, dinjitet e punë të palodhur për të mirën publike gjithcka është e mundur. Si shqiptarë, ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa ato që na ndajnë, nuk ka arsye pse të mos e kthejmë kombin tonë në një histori suksesi. Unë jam i bindur se të gjithë bashkë, me shumë besim, kurajë dhe guxim: Do t’ia dalim!

Fondet Publike për (Sh)Përdorim Privat (Etjen Xhafaj)

November 13th, 2008

Unë jam Sali Ber isha dhe ky është numri im … për të denoncuar korrupsionin…”Ky qe shembulli i parë i një fushate të gjerë e të gjatë kryeministrore që synonte të bindte shqiptarët se qeveria po punonte dhe përpiqej për të përmirësuar mirëqenien dhe jetët e tyre. Shumëkush ende mban mend gjatësinë e reklamës, prejardhjen e “dyshimtë” si edhe luftën e kushedisesajtë qeveri-media mbi përgjigjen ridikulizuese që G99 i dha reklamës së kryeministrit.

Çështja para disa javësh ishte në kishte të drejtë qeveria të përdorte fonde publike për të promovuar vetveten politikisht. Argumentet kundër ishin se puna e çdo qeverie duhet të flasë vetë për arritjet e saj, dhe se fondet publike duhet të përdoren në mënyra transparente për investime publike, jo për qëllimet politike të maxhorancës së radhës.

Pavarësisht konsensusit të gjerë mbi mënyrat e përdorimit të parave të taksapaguesve dhe liritë e mediave, qeveria mbizotëroi falë përdorimit arbitrar të institucioneve të pavarura në letër, që në fakt bëjnë fare pak përveçse t’i binden vullnetit “shkëmbor” të kryeqeveritarit tonë.

Pasojat e vërteta të këtij debati po i shohim sot në shumicën e televizioneve shqiptare. Pas Kryeministrit dhe spotit të tij doli Ministria e Turizmit me një spot mbi arritjet e saj si për të çimentuar këtë të drejtë të re aspak demokratike që iu vesh sistemit politik në Shqipëri, të drejtën për të alokuar si të dojë pushteti fondet që paguhen për të funksionuar shteti.

Këtë të drejtë të re të fituar e përdorën shumë shpejt edhe Policia e Shtetit si dhe Ministria e Punës, për të treguar edhe ato arritjet “marramendëse” në këto dikastere nën pushtetin e kësaj qeverie.

Është e vërtetë që pavarësisht eksperiencës së tranzicionit në Shqipëri, taksat janë një e drejtë fillestare e çdo shteti, një nga dy gjërat e sigurta në jetë (e dyta është vdekja). Shumica e shteteve perëndimore që Shqipëria zotohet e përvëlohet të imitojë e marrin këtë privilegj si një përgjegjësi thelbësore që përfaqëson efektivitetin e qeverisjes së tyre.

Në SHBA partitë identifikohen më tepër nga mënyra e përdorimit të fondeve se sa në bazë të historisë politike botërore. Po, ne të gjithë e dimë se jemi shumë, tepër larg, SHBA dhe nuk ka nevojë që një spot të na e ritregojë këtë histori që jeta e përditshme e thotë kaq mirë. Ajo që e zmadhon edhe më shumë këtë hapësirë mes asaj që duam të bëhemi dhe asaj që po bëhemi në fakt, është mungesa si e transparencës ashtu dhe e nevojës së konsensusit për përdorimin e fondeve që mblidhen nga të gjithë ne. Nuk ka asnjë buxhet ministrie që të ketë paraqitur një shpenzim nën titullin “Reklama për punën e mirë të ministrit dhe stafit të tij”. Votimi i këtyre buxheteve është një nga arsyet kryesore përse demokracia ka po aq nevojë për opozita sa edhe për maxhoranca.

Nga ana tjetër përdorimi i fondeve publike për deifikim të disa figurave që kanë akses tejet të madh tek mediat, ngre disa pyetje. Përse ka nevojë për spote kur ka pafund konferenca për shtyp ku prezantohen arritjet nga ministra të qeshur? Përse nuk funksionojnë në këtë vend asnjë nga mekanizmat normale, me konferenca pyetje përgjigje, sondazhe e zyra informacioni por ka nevojë për reklama? Para disa kohësh më qëlloi të merrja numrin e policisë në telefon për të denoncuar një aksident. Përgjigja që mora pasi shpjegova faktin ishte një “e dimë!” e thatë pas së cilës telefoni u mbyll nga ana tjetër. Asnjë nga 8 telefonatat e tjera të këtij qytetari të revoltuar nuk arriti gjë përveçse të mbyllej telefoni, ndërsa aksidentuesi u largua me shpejtësi ‘në drejtim të paditur’ nga sheshi “Skënderbej”.

Arsyeja e vetme e besueshme për fushatën e reklamave të qeverisë sonë duket se është se as qeveria vetë nuk beson tek ajo që thotë, e si rrjedhojë ka nevojë tua ngjisë në mendje këtë percepsion qytetarëve që përfaqëson me mënyra alternative, ripërsëritëse. Nëse ‘fshati që duket nuk do kallauz’, këtij “fshati” i nevojitet të vejë tellallë nëpër rrugë të njoftojnë praninë e tij. Pa pasur parasysh asnjë nga shqetësimet që ngrihen sot nga aktorët lokalë e ndërkombëtarë, qeveria po reagon në mënyrën më të keqe duke shpërdoruar më shumë fonde për të kundërshtuar akuzat për shpërdorim. Nëse reklamat do të qenë për të njoftuar vërtet shqiptarët për zhvillimet mbi problemet e fundit teksti i tyre duhej të ishte: “Ministria e Punëve të Jashtme njofton dorëheqjen e Ministrit për të lejuar drejtësinë të zhvillojë punën e saj pa interferenca nga pozicioni i tij”. Përkundrazi në vend kësaj shumë shpejt do të kemi një tjetër spot nga kjo ministri që ka mbetur pas deri tani në garën e spoteve: “Ministri i Jashtëm do të shpallë publikisht mungesën e të gjitha lidhjeve mes familjes së tij dhe Damir Fazlliç, menjëherë pas kthimit nga pushimet e tyre të përbashkëta në Maldive, ku u filmua kjo reklamë.”

Vendi ynë po lufton me një borxh te jashtëm në rritje, me probleme bazike të infrastrukturës dhe mungesën e investimeve në shumë sektorë, a nuk mund të pritej edhe pak muaj përpara (sh)përdorimit të fondeve publike për fushatë, për t’i përdorur këto fonde në ndihmë të një çdo katër shqiptarë të varfër? A nuk paguajmë ne për të marrë një shërbim nga qeveria, dhe jo për ta parë atë shërbim ne televizor?

Përtej kësaj, është tanimë e qartë se qëllimi sekondar për spotet e qeverisë është troç parapagesa e televizioneve që të rreshtohen apriori në kahun e saj dhe të sigurojnë fitoren e saj në zgjedhjet e verës që vjen. 2007-ta është një kujtim që kjo qeveri e “fitoreve të gjithanshme” nuk mund ta ketë harruar lehtë dhe mediat duhen për të rifituar pikët me pjesën urbane të popullsisë. Ndërsa gjatë zgjedhjeve koha nëpër televizione monitorohet, gjashtë muaj start në fushatë mund të përdoren mirë për të kaluar shumëfish kohën që do t’i jepet opozitës atëherë.

Spotet prekin një plagë të hapur të shoqërisë shqiptare te tranzicionit, plagën e abuzimit pa hesap me paratë publike për të përfituar vetë. Në shumicën e rasteve me ish-qeverinë tonë të korruptuar socialiste qeveritarët e bënin këtë që një pjesë e parave të ktheheshin në xhepat e tyre. Qeveria aktuale e “duarve të pastra” po e shtrin konceptin e këtij shpërdorimi, duke i shtuar edhe abuzimin për të vjedhur të drejtën për të abuzuar edhe për katër vjet të tjerë.

“Qeveria e Republikës së Shqipërisë njofton se çdo aktivitet i saj është pezulluar për një javë pasi nëpunësit janë në shtëpi duke parë veten në reklama. Na shikoni dhe ju, në fund të fundit ju e paguani faturën.”

Telefoni i korrupsionit (Arber Luznaku, Diber)

September 8th, 2008

Foli prapë Saliu
I zu goja shkumë
Ka makthe i ziu
Shkon netët pa gjumë.

“Atë që bëj unë
Askush së bën dot
Luftoj korrupsionin
Edhe me një spot…

Tring, bën telefoni
Katërqind e dhjetë
Shtanget korrupsioni
Me duart përpjetë!

“Në flagrancë, kopil,
Fort të kapi rrjeta
Si ia fut miletit
Duart nëpër xhepa?!

Duart nëpër xhepa
Grisur pa astar
Turpi që ke bërë
Po bëhet mullar.

Hë mor delenxhi,
Qafir, qerrata,
Ty kjo qeveri
Të fut në bela!

Qeveria ime
qeveri e dietës
qeveri e diellit
dhe e së vërtetës.

Për të mirin popull
Kët’ numër kam vue
Kush të vjedh o popull
Veç më thuaj mue!

E provoi një herë
Edhe mixha Sulë:
“O shoku Sali
Më vodhën një pulë…”.

- Heu, po kush ta vodhi?!
Krisi telefoni
Ishte dora vetë
- Ai, korrupsioni…

Ah, Sali, mor xhan
Nuk mbaron kalvari
një gomar që kam
po ma vret samari…

…dhe na gjet belaja
Lopët në fshat tim
Për çdo ditë të javës
Na duan ndërzim…

Fli, shoku fshatar
Bën gjumin rehat
Do biem gomar
Edhe një mëzat.

Salë, po ajo fara
Që na dha Jemini..?
Lëvore pa kokrra
Na ka dalë kallini…

Do ta mbajmë fjalën
Keni për ta parë
Do ju sjellë Jemini
Më të mirën farë.

Dhe dëgjo fshatar:
Flet Saliu vetë
Gjith’ majat për mue
Janë si një magnet.

Të vini tek une
Si nipi te daja
Kur të më kërkoni
Më gjeni në maja.

Një herë jam betue
Për popull me vdekë
Ndaj në majë të Dajtit
Kam dalë veç me brekë.

Vargje të nënshkruara

Arbër Luznaku, lexues Dibër

Mumjet dhe faraoni (Etjen Xhafaj)

September 5th, 2008

Këto ditë na ndodh shpesh të habitemi me uniformitetin e mesazheve që vijnë nga kampi i djathtë i politikës shqiptare. Mazhoranca duket habitshmërisht e “unifikuar”, jo thjesht politikisht, por edhe në fjalor, pamje (e shpesh edhe në gjeste) me liderin e vet.

Gjithnjë e më shpesh shohim zëdhënës njëzet e pak vjeçarë apo zyrtarë afër të tridhjetave teksa përsërisin të njëjtat shprehje apo fjalë që thotë shefi, pra Berisha. Madje, gjithnjë e më shpesh të rinj të sapoafruar me pushtetin pranojnë “vullnetarisht” autorësinë për akte arbitrare të instancave qeverisëse ku ata militojnë. Ky është trendi që po përkufizon PD-në e këtyre muajve: Të rinj që janë thithur nga forca kryesore e djathtë për të rifreskuar radhët e saj i shohim çdo ditë teksa pak nga pak transformohen në figurëza sozi identike të Kryeministrit, që tanimë na ndjek kudo nga ekrani i vogël, edhe nëpërmjet fytyrave e fjalëve të tyre.

Një dukuri e tillë është shumë e rrallë në botën e zhvilluar. Pothuaj gjithmonë politikanët e rinj ngrihen mes radhëve të partive të tyre për të simbolizuar një ndryshim rrënjësor me të kaluarën, një frymë të re. Në vendin tonë duket se ky ndryshim oferte, thjesht sjell më tepër prurje nga i njëjti produkt, ai i politikës “ata kundër nesh” ku “ne”, (në këtë rast e djathta shqiptare), jemi gjithmonë “të mirët” ndërsa opozita, (dhe kujdes sepse këtu përfshihet çdo lloj opozite jo vetëm ajo politike), janë “të këqinjtë”.

Ky është edhe mesazhi bazë i Kryeministrit tonë në çdo fjalim të tijin. Me të nuk është për t’u habitur sepse në fund të fundit, ai është rritur në një kohë kur nuk kishte politikë, por betejë kundër armiqve të sistemit. Ajo çka habit është përqafimi i këtij mesazhi nga ata të rinj që në fakt duhet të ishin kampionët e një mënyre të re të politikë-bërjes, me masterat e doktoraturat e tyre perëndimore.

Katër mijë vjet me parë egjiptianët e lashtë besonim se faraonët ishin perëndi të dërguara mes tyre për t’u treguar rrugën e drejtë. Ata mbulonin sytë në prezencën e faraonit për të mos u verbuar nga madhështia medemek e tij dhe i blatonin flije e dhurata të panumërta. Është e vështirë të besosh se asnjë egjiptian nuk e ka ngritur kokën ndonjëherë për të vënë re mungesën e aureolës së faraonit, apo se shërbëtorët e ministrat e tij mund ta besonin perëndishmërinë pasi e shikonin “perëndinë” duke ngrënë apo kryer nevojat e tij njerëzore.

Po në këtë mënyrë, është e vështirë të besosh se laureatë të universiteteve perëndimore, që kanë studiuar demokracinë që nga Greqia e lashtë e deri në ditët tona, të bien dakord me vizionin se demokraci mund të quhet kulti i unifikimit të përhershëm të pikëpamjeve dhe reagimeve pas një njeriu të vetëm. Egjiptianët e lashtë e quanin faraonin perëndi sepse kjo ishte e vetmja mënyrë për të ecur përpara në sistemin e tyre, dhe sigurisht për ta mbajtur atë sistem në këmbë. Demokratët e rinj sot janë pre e së njëjtës ambicie, e cila i detyron të mbajnë një qëndrim e një gjuhë me shefin, duke lënë mënjanë individualitetin dhe risinë e tyre, dhe mbi të gjitha duke “harruar” se në këtë qëndrim nuk ka asnjë pikë demokracie, por vetëm interes privat. Dhe nesër kur shefi faraon të mos jetë më, politikanët e rinj do të jenë mumifikuar, si ai tani.

Shteti, shtypi dhe pushteti (Niko Ago, Athine)

September 3rd, 2008

Publikimi i gjobës(!) për NEWS 24 dhe Vizion + nga qeveria shqiptare personalisht nuk më befasoi aspak. Dhe jo vetëm nuk më befasoi por, diçka e tillë, është kaq e parashikueshme saqë, habitem kur ka kolegë që habiten! Për të qenë akoma më konkret, pres të gjobiten edhe segmente të tjera të mediave nga qeveria. Me segmente nënkuptoj persona të ndryshëm që shkruajnë majtas-djathtas dhe, pa pikën e ngazëllimit për arritjet e qeverisë në tre vitet e fundit, arrijnë deri aty sa të kenë legjitimitetin moral dhe t’a kritikojnë atë. Duke e parë krejt të natyrshm reagimin qeveritar ndaj kundërpërgjigjes së G99 në propagandën që ekzekutivi vërshoi në media, më duhet të pranoj, por edhe të ftoj, këdo që nuk e ka parë akoma me sytë e vet përparimin galopant që ka arritur vendi gjatë qeverisjes së djathtë koalicionale (dhe aspak koloniale), t’i bashkohet edhe ai kësaj fushate paqedashëse dhe mirëdashëse dhe të paktën, nëse nuk mundet të bëj më shumë, të mbyllë sytë e të shijojë demokracinë që ne të tjerët po shijojmë. Edhe pse është e vërteta se, nuk m’a do mendja të ketë qytetar të thjeshtë në atdhe, i cili të ankohet se nuk ka shijuar demokracinë e vërtetë gjatë qeverisjes së djathtë. Aq më tepër mediat. Tek e fundit, cili është qëllimi i një televizioni, gazete apo agjencie lajmesh, kur bri propagandës qeveritare, pa pikën e respektit për monopolizimin që dëshiron të ketë ajo, publikon edhe përgjigjen e një grupimi politiko-social kaq të ri në moshë? Këtu, populli i mënçur shqiptar do thoshte “u bëmë të gjithë njëlloj, si këmbët e dhisë”. G99 me gatishmërinë dhe reflekset e mprehta që tregoi, asgjë tjetër nuk bëri, përveçse i rikujtoi qeverisë se, propaganda e njëanshme , e përzier dhe e mbrujtur me popmozitete, ndonjë gënjeshtër të pafajshme, taktika “thuaj thuaj se diçka do të mbetet” e të tjera të tilla xhevahire pushtetore, janë pjesë e pandarë e një pushteti që në të vërtetë, këmbët i ka prej porcelani dhe, e vetmja shpresë që i ka ngelur, është të mbahet prej spoteve televizive, sikurse i mbyturi prej flokëve në çastin që fundoset. Por këtë, nuk është e nevojshme që pushteti ta mësojë nëpërmjet televizionit. Televizioni, në të vërtetë duhet të jetë i pavarur nga pushteti por, jo dhe pushteti nga televizioni. Nëse pushteti ,nuk kontrollon dot televizionin, kur akoma është në këmbë(qoftë dhe me ato prej porcelani) , do të thotë fare thjeshtë se, nuk është më pushtet. Mirëpo kjo, nuk është normale. Edhe kështu të jetë, propozoj të mos i thuhet publikisht. Asnjëherë nuk i thuhet se po vdes, dikujt që është në çastet e fundit.Mediat e gjobitura nga qeveria, duhet patjetër t’i venë gishtin kokës. Nuk është e mundur, ripërsëris, të vesh në të njëjtën korrnizë, gjyshen time 97 vjeçare dhe Miss Albania 2008 (kërkoj ndjesë nga zonjusha për krahasimin) pasi, ka gjasa, nëse korrniza nuk thërrmohet, gjyshja të …revoltohet për krahasimin e tentuar. Lërenii gjyshen të besoj se, akoma është heroinë e punës socialiste! Heshtja nga mediat e tjera, për gjobën e vendosur tek ato që publikuan përgjigjien e G99-ës ndaj propagandës qeveritare, është edhe ajo, tejet e kuptueshme. Nga njëra anë ngjan me lajmin e vdekjes së një njeriu të njohur dhe ndjenja që na kap në ato momente. Edhe pse trishtohemi, shkencërisht është i zbardhur njëfarë lumturimi që e kap të gjallin. Në subkoshiencë, lumturohemi që nuk jemi ne në vendin e meitit! Makabre , natyrisht, por shkenca këtë thotë.

Moratorium për… paaftësinë (Genci Kojdheli)

August 22nd, 2008

“Meqë kemi rritje të numrit të njerëzve që vuajnë nga SIDA, pse të mos bëjmë një moratorium që të ndalojë seksin për tre vjet”!Me një ironi të hollë, dy vjet më parë analisti Baton Haxhiu ridikulizoi idenë ‘gjeniale’ të qeverisë shqiptare për të ndaluar mjetet e motorizuara të lundrimit me qëllimin për të zvogëluar trafikimin e qenieve njerëzore apo lëndëve narkotike drejt Europës.

Pavarësisht shkeljes flagrante të Kushtetutës dhe lirisë themelore të shqiptarëve për të pasur në pronësi mjete motorike lundruese (që çuditërisht nuk i ndalohej të huajve) dhe pamundësisë faktike për të vlerësuar efektivitetin e moratoriumit, mazhoranca nuk hezitoi të kalonte këtë masa ekstreme, duke anashkaluar totalisht debatin publik, e sidomos ankimet e operatorëve turistikë në zonat bregdetare, të cilëve u hiqej e drejta për të ofruar shërbime aq tipike për turizmin bregdetar.

Ndërkaq, nuk ishte për t’u çuditur që përfaqësues të EU-së, apo disa shteteve të cilët kanë qenë destinatarë të migracionit të paligjshëm përmes Shqipërisë, nxituan të lavdëronin veprimin e qeverisë shqiptare. Sa kohë që ishte qeveria shqiptare që fuste duart në zjarr për të nxjerrë gështenjat e nxehta të paaftësisë (si nga ana shqiptare, ashtu dhe nga ana e vendeve destinatare) për të ruajtur kufijtë bregdetarë, moratoriumi u pa si një lëvizje e suksesshme, ndonëse dhunonte pa asnjë logjikë të drejtën legjitime të çdo shqiptari për të pasur mjete lundrimi.

Kryeministri nuk hezitoi të justifikonte jokushtetueshmërinë e moratoriumit me premtimin e kancelarive europiane se ‘sakrifica’ e shqiptarëve do të shpërblehej me liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Me shpresën se moratoriumi do shërbente si ‘mjet pazari’ mes Shqipërisë dhe BE-së për liberalizimin e vizave, pavarësisht një morie kundërshtish nga opinioni mediatik dhe organizatat e të drejtave të njeriut, mazhoranca e miratoi masën ekstreme pa një pa dy.

Moratoriumi u bë efektiv, por në dy vjetët që pasuan rastet e trafikut me mjete motorike, ndonëse u pakësuan, nuk ndaluan (para një viti një skafist shqiptar nuk hezitoi të përplasej me armë me autoritetet bregdetare greke, ndërsa të paktën dy gomone plot me hashash u zbuluan në Karaburun apo në rrethinat e Vlorës), e ndërkaq trafikantët dinakë shqiptarë nxituan t’i regjistronin skafet në emër të bashkëpunëtorëve të tyre italianë apo grekë dhe vazhduan punën rehat. Paaftësia e policisë shqiptare për të mos ruajtur vijën bregdetare u replikua edhe për zbatimin e moratoriumit, dhe nëpër gjithë vijën bregdetare shikoheshin mjete motorike (të gjitha të jashtëligjshme), ndërsa policia mbyllte një apo të dy sytë.

Ndërkaq, pas gati tre vjetësh, ministri Nishani del dhe thotë se “Policia bregdetare nuk ka mjetet e duhura për të siguruar vijën bregdetare dhe shtyrja e moratoriumit të ndalimit të skafeve do të ishte zgjidhja më e mirë për këtë situatë”. Arsyetimi i ministrit fut ujë nga të gjitha anët. Policia shqiptare në vitet e fundit dukshëm ka dështuar edhe në parandalimin apo uljen e numrit të aksidenteve në rrugë (shumica e shqiptarëve që vdesin çdo vit e humbin jetën në aksidente automobilistike)! A mos ndoshta kemi nevojë dhe për një moratorium për ngjarjen e veturave private!??

Sipas (a)logjikës së mazhorancës, me një moratorium për makinat private sigurisht që nuk do të kishim aksidente nëpër rrugët e vendit! Le të qarkullojnë shqiptarët vetëm me furgonë, autobusë, dhe trena! Me atë rast, edhe ambientin e ndotim më pak! Banalizimi i argumentit është i nevojshëm për të nxjerrë në pah se sa pa sens është retorika justifikuese e qeverisë për moratoriumin e mjeteve motorike lundruese.

Sidoqoftë, thjesht për hir të argumentit përfundimtar, po e marrim të mirëqenë faktin që moratoriumi ka qenë efektiv dhe e ka ndaluar/reduktuar trafikun. Po Shqipëria e shqiptarët ç’kanë përfituar prej moratoriumit? Marrëveshja me BE-në për ‘lehtësimin’ e vizave drejt vendeve të Bashkimit Europian rezultoi totalisht e dështuar. Radhët nëpër dyert e ambasadave vazhdojnë të ngelen kilometrike; shqiptarët shpenzojnë rreth 18 milionë euro çdo vit duke legalizuar e përkthyer vandakët e ftesave, dokumenteve, certifikatave, e garancive bankare për kërkesa vizash, shumica e të cilave refuzohen, ndërsa paratë sigurisht që nuk kthehen.

Aplikantët shqiptarë në rastin më të mirë përcillen me mirësjellje (edhe kur janë punonjës të administratës shtetërore apo intelektualë, gazetarë, artistë apo biznesmenë) apo në rastin më të keq trajtohen harbutçe duke u përplasur dokumentet në fytyrë. Vetë komisioneri evropian, Franco Frattini, pohoi disa kohë më parë se marrëveshja nuk ishte zbatuar në mënyrë flagrante prej shërbimeve konsullore të BE-së. Me sa duket, pasi morën ç’deshën përmes zbatimit të moratoriumit, vendet e BE-së harruan se dhe ata që kishin një detyrim për të shpërblyer veprimin e qeverisë shqiptare dhe sakrificën e qytetarëve shqiptarë.

Kryeministri Berisha dhe qeveria që ai drejton duhet të japin një arsye shumë të mirë se përse po kërkojnë t’u mohojnë shqiptarëve edhe për tre vjet të tjera të drejtën kushtetuese për të pasur në pronësi mjete motorike lundruese, kur ky moratorium ka arritur vetëm të mohojë efektivisht të drejtën e operatorëve turistikë për të ofruar shërbime turistike përmes lundrimit. Nëse kjo qeveri nuk ka mundësi të sigurojë bregdetin shqiptar, le të japë dorëheqjen për paaftësi, ose, nëse synon të zbatojë një moratorium të palogjikshëm e të paligjshëm, në mënyrë dinjitoze por të vendosur t’i kërkojë partnerëve europianë që t’i qëndrojnë besnikë pjesës së tyre të marrëveshjes! Përndryshe, gjithë shqiptarët duhet të dalin e të kërkojnë një moratorium që të ndalojë qeverisjen nga njerëz të paaftë!

Të jesh pjesë e ndryshimit (Erion Veliaj)

July 29th, 2008

9 vjet më parë, problemet e shumta që karakterizonin dhe që fatkeqësisht ende mbajnë peng arsimin e lartë shqiptar më detyruan edhe mua, njësoj si shumë të rinj të tjerë, të zgjidhja largimin nga Shqipëria për të përfituar një shkollim më cilësor.

Gjatë pesë viteve të studimeve në Shtetet e Bashkuara, muaji korrik ishte i preferuari i vitit. Përfundimi i shkollës mundësonte kthimin në Shqipëri, për t’u ritakuar me familjen, miqtë e të njohurit. Dhe ashtu si për ju, vera kalonte shpejt e këndshëm në Shqipëri. Fundjavat në Jug të vendit, festat në Tiranë, lokalet në Bllok, ushqimi i mirë, ndjesia e të qënurit në shtëpi, gjithçka perfekte në plan të parë.

Por gjatë bisedave me të afërmit, mes njërit udhëtim në Vlorë a Dhërmi, ishte e pamundur të qëndroje indiferent ndaj asaj që shikoje, dëgjoje, ndieje. Infrastrukturë e rrënuar, natyrë e shpërfytyruar, shërbime që linin për të dëshiruar, papunësi dhe varfëri që qëndronin duarkryq në çdo qytet a fshat ku të binte rasti të kaloje. Dhe nëse do rastisje të lexoje ndonjë gazetë apo shikoje ndonjë lajm, situata ngjante edhe më dëshpëruese. Shikoje të njëjtët politikanë, që flisnin për të njëjtat gjëra, vit pas viti. Fatkeqësisht, retorika politike nuk ndryshonte, as problemet. I vetmi ndryshim dallohej tek qeveritarët, që vit pas viti trasheshin, dhe jo vetëm në përmasa.

Por çdo sfidë është në vetvete edhe një mundësi. I gjithë ky realitet, të gjitha këto arsye, ishin shtysat kryesore që së bashku me disa miq të tjerë të themelonim Lëvizjen “Mjaft!”. Gjatë pesë viteve në “Mjaft!”, nga shumica e studentëve shqiptarë që jetonim jashtë shiheshim si një grupim simpatik, modern, me të cilët ia vlente të identifikoheshe. Gjatë gjithë asaj periudhe, por edhe tani, mbështetja e shqiptarëve që jetonin jashtë vendit ishte e pakursyer. Mijëra telefonata dhe e-mail-e të cilat në vetvete përbënim një inkurajim të veçantë, pasi përmes tyre arrije të kuptoje se puna jote kishte vlerë, angazhimi linte shenjë jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë. Megjithatë, edhe pse inkurajuese, herë pas here këto mesazhe kishin efektin e kundërt dhe të linin një shije të hidhur. Sidomos kur merrje e-mail-e që të përgëzonin për punën dhe të shprehnin gatishmërinë e dërguesit për t’u kthyer në Shqipëri sapo gjërat të ndryshonin. “Urime dhe suksese, pasi bashkë me kolegët tuaj, po ia ndryshoni faqen Shqipërisë! Dhe në momentin e parë kur në Shqipëri situata të stabilizohet, ne do të kthehemi, pasi nuk ka si vendi jot”. Me pak fjalë, kurajë, luftoni të vetëm e kur beteja të ketë përfunduar, ne aty do jemi!

Unë dëshiroj të shmang pikërisht këtë logjikë, të cilën refuzoj ta pranoj. E refuzoj për faktin e thjeshtë se nëse të gjithë do të mendonin kështu, atëherë ndryshimi nuk do të ndodhte kurrë. Nëse të gjithë do të prisnim që dikush, dikur, të vinte e të ndryshonte Shqipërinë, jam i sigurt se do të prisnim pa fund. Ne jemi ndryshimi, ne jemi ata për të cilët kemi pritur kaq shumë kohë.

Studentët që koleksionojnë njohuri, vlera dhe eksperiencë të vyer jashtë vendit janë një kapital i vyer i atdheut tonë, një kapital intelektual, ende i pashfrytëzuar ashtu siç duhet. Ndaj unë dëshiroj të dëgjoj prej jush idetë tuaja, për t’i dhënë përgjigje problemeve me të cilat vendi ynë përballet prej të paktën tetëmbëdhjetë vjetësh. Dëshiroj të dëgjoj prej jush pengesat që ende ju mbajnë larg Shqipërisë dhe njëkohësisht mënyrat për t’i kapërcyer ato bashkërisht. Si mund ta lehtësonim burokracinë? Cilat mund të ishin disa incentiva që ta bënin më të lehtë rikthimin tuaj? A ekziston ndonjë mundësi për ta thjeshtëzuar ekuivalentimin e diplomave? Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga eksperiencat e shteteve të tjera, si Irlanda apo Izraeli, që rikthimin e trurit e kanë kthyer prej vitesh në prioritet? Por më shumë se gjithçka, unë dëshiroj të marr prej jush konfirmimin se besoni ende që Shqipëria jonë mund të ndryshojë, se jeni të gatshëm për të dhënë kontributin tuaj, për ta bërë këtë ndryshim real e të prekshëm, se keni vullnetin dhe dëshirën për t’u investuar në të ardhmen e vendit tonë.

Një nga qëllimet strategjike të “G99” është të sjellim më të mirët në shërbim të publikes. Dhe këtë qëllim, jam i sigurt se mund ta përmbushim bashkërisht. Mes nesh ndodhen me dhjetëra profesionistë të shkëlqyer, angazhimi i të cilëve në administratën publike do i bënte nder shtetit shqiptar. Edukimi, respekti për punën, profesionalizmi, vullneti, idealizmi dhe përkushtimi janë vlerat më të rëndësishme që i nevojiten menaxherëve të ardhshëm të Shqipërisë.

Dhe mendoni për një moment impaktin që kthimi juaj do të kishte. Mendoni pak për ndryshimin që angazhimi juaj do të provokonte. Përfytyroni një Shqipëri ku politikëbërësit janë në radhë të parë qytetarë, janë të aftë të frymëzojnë, të përgatitur intelektualisht e profesionalisht. Përfytyroni një Shqipëri në të cilin interesi parësor është ai publik e jo privat, ku të gjithë përpiqen të përmbushin një sfidë të vështirë, por jo të pamundur, në mënyrë që çdo qytetar i këtij vendi të ketë të sigurt mundësinë që përmes punës së ndershme të arrijë të jetojë i qetë e i sigurt.

Ashtu si Kennedy thoshte rreth gjysëm shekulli më parë, sot para nesh janë dy mundësi. Mund t’i vështrojmë gjërat ashtu siç janë dhe të pyesim pse, ose të ëndërrojmë për gjëra që ende nuk kanë ndodhur e të pyesim pse jo?!

Miq të dashur, ky është udhëkryqi në të cilin ndodhet sot Shqipëria. Mund të jeni indiferentë, ose mund të angazhohemi bashkërisht për të zgjedhur rrugën e duhur, me vetëdijen se kjo sfidë nuk do të jetë as e lehtë e as e shkurtër, por të lehtësuar nga fakti se pas disa vitesh mund t’u thoni fëmijëve tuaj: Unë isha aty, unë isha pjesë e ndryshimit.

*Fjala e mbajtur në dëgjesën “BRAIN-GAIN: Kthimi i elitave, një domosdoshmëri për shoqërinë shqiptare”, të organizuar nga “G99” me studentët shqiptarë që studiojnë jashtë vendit.

Konservatorët kundër votës së emigrantëve (Niko Ago)

July 19th, 2008

Kohët e fundit, në shtypin e atdheut, në vijim të debateve politike,  vend të veçantë zë tema që ka të bëj me të drejtën ose jo të emigrantëve për të votuar . Nderkohë qe forcat politike shprehin pozicionin e tyre, në vartësi të interesit pushtetor e marrëdhënieve me elektoratin, ajo që bën përshtypje, është mënyra me përbuzje, për të mos thënë mllefi, që shprehet në shtyp, përsa i përket të drejtës që duhet të kenë emigrantët shqiptarë për të votuar si nënshtetas të Republikës së Shqipërisë. Del në pah një konservatorizëm i theksuar, një frikë e pajustifikueshme ndaj emigrantëve dhe diasporës shqiptare në përgjithësi, dhe ajo që është më shqetësuesja, paraqiten emigrantët si  një rrezik që i kanoset … mbarëvajtjes elektorale në vend! Është dekurajuese, kur gazetarë e opinionistë me përvojë , që gjithëmënyrash ndikojnë ose mundohen të arrijnë diçka të tillë, në jetën publike të atdheut, nëpërmjet organeve që kanë në zotërim apo bashkëpunojnë, lëshojnë ndaj emigrantëve shqiptarë në Perëndim, një mori epiteteshe e përkufizimesh, sikur të kemi të bëjmë me një pakicë barbare e grabitqare, kolerikë e tuberkularë, dhe jo si të jenë këta(emigrantët), gjakëdhënësit e ekonomisë shqiptare, këto  17-18 vitet e fundit. Nënvleftësimi e përbuzja që mbillet, ndaj pothuajse 1 milionë bashkatdhetarëve të ndodhur jashtë trojeve shqiptare, por që kanë lënë pas prindërit, familjet, të afërmit dhe gjithçka tjetër që i bën ata të mos ndahen kurrë ndaj atdheut dhe që, bëjnë të gjitha përpjekjet për të qenë gjithnjë e më pranë ndodhive të atjeshme, nuk mund të shpjegohet lehtë. Me syrin e dikujt që nuk ndodhet në atdhe por që natyrshëm dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje, për të vendosur edhe ai për fatet e veta, sikurse ndodh kudo në botë, ajo që lehtë dallohet, është konservatorizmi i thellë i tifozëve që janë kundër pjesmarrjes në zgjedhje të emigrantëve. Është me vend këtu të kujtojmë për kolegët që frikësohen nga vota e emigrantëve se, në SHBA, sistemin politik të së cilave e adhurojnë në kor në atdhe, vota e të ndodhurve jashtë territorit amerikan, jo vetëm është e siguruar por, përkujdesja e shtetit amerikan nënshtetasit e kudondodhur nëpër rruzull, fiton një angazhim të veçantë nga Kongresi. Po kështu për dijeni të ndokujt që nuk është i njohur me këtë fakt, shteti grek, në periudha zgjedhjesh vë në dispozicion të grekëve të diasporës së afërt evropiane, dhjetra linja avionësh, për ti sjellë ata në atdhe e për të ushtruar të drejtën legjitime të zgjedhjes e të të zgjedhurit. Në këtë prizëm, është alarmant dhe dekurajues fakti që, akoma dhe për ne që jemi larguar nga vendi vetëm pas vitit 1990, dhe që shumica dërrmuese e jona ruajnë lidhje të patronditura me atdheun, duke investuar dalëngadalë edhe ato fitime që ndokush ka mundur të ketë nga emigracioni, shpejtojnë të na mohojnë të drejtën për të shprehur vullnetin e lirë nëpërmjet votës. Në mënyrë krejt të njëanëshme dhe jo reale, konkludohet madje se, shumica e emigrantëve nuk do që të ketë lidhje me atdheun(!). Absurde si logjikë por dhe dashakeqe si tezë. Të përcaktosh , madje, diasporën si të pavlerë dhe mediokre, duke ravijëzuar mandej edhe kufijtë që ajo ka krijuar me atdheun, është fakt që të shqetëson. Thirrja për të bërë përzgjedhje të atyre shqiptarëve që duhet të votojnë, sipas vullnetit për të kontribuar ose jo në jetën politike shqiptare, tingëllon makabre, ajo ose duhet parë me nënqeshje ose duhet anashkalur krejtësisht. Dhe për të qenë akoma më të qartë ngjan si dy pika uji me politikën famëkeqe të luftës së klasave! Mirëpo, nuk përfundon këtu denigrimi që mundohet ti bëhet emigracionit tonë nga “direktivadhënësit” e holleve të hoteleve të Tiranës. Të nisur vetëm nga përvoja personale apo e njerzëve që i rrethojnë, grupëzohen shqiptarët e diasporës, dhe sidomos ata të Greqisë, duke i cilësuar si të pa kulturuar!

Mirë do të qe këtu, të bëjmë me dijeni se mes diasporës më të re shqiptare, në Perëndim përgjithësisht dhe në Greqi veçanërisht, lëvrojnë figura të spikatura dhe intelektualë me potencial shkencor të lakmueshëm, si nga atdheu nga ikën por dhe nga ai ku janë vendosur. Një pjesë e mirë e këtyre intelektualëve dhe forcave progresiste të ndodhura në Perëndim, janë të gatshëm për të kontribuar për ngritjen e nivelit intelektual të atdheut. Assesi, nuk duam këtu të besojmë se, një sulm i tillë ndaj emigracionit, fsheh në vetvete xhelozinë e mirënjohur të mediokrit. Duke qenë jashtë kufijve gjeografikë të Shqipërisë, një pjesë kaq e madhe e popullsisë, doemos që është reale mundësia të ketë në gjirin e saj elementë mediokër e të pa kulturuar. Sikurse, asnjë dyshim nuk ka se, midis asaj pjese intelektualësh që nuk mundën të emigronin pas ndryshimeve të mëdha të viteve ‘90, ose ngaqë nuk mundi ose ngaqë menjëherë u rehabilitua ekonomikisht e politikisht ndeshim, si elementë mediokër por edhe nga ata mbi mesataren. Është e pavërtetuar deri më sot, të paktën, që në kohën e ikjes së madhe nga Shqipëria, të bëhej përzgjedhja  e trurit. Askush nuk bindet se, me një mënyrë krejt magjike, jashtë mëmëdheut u larguan  më mediokrit dhe atdheu ishte me fat, pasi mbajti mëndjendriturit. Një interesim në rrugë dhe me interes të sinqertë profesional nga gazetarët ose opinionistët e gazetave në atdhe, do ti bindëte ata për këtë.  Në të gjitha shtetet ku janë vendosur shqiptarët, pas çrregullimit të përgjithshëm të 91-shit por edhe të 97-ës, në të gjitha instancat e jetës publike dhe intelektuale të shteteve ku banojnë, ata kanë mundur të integrohen tërësisht. Mund ti gjesh lehtë, si në auditoret e Universiteteve, po ashtu dhe në stacionet radiofonike e televizive më të mëdha vendase, si në shtypin qëndror, aq edhe në fushat e tjera shkencore, ku ushtrojnë me  sukses të plotë e me profesionalizëm për tu lakmuar dhe me kontribut në përmirësimin e imazhit e Shqipërisë. Janë shqiptarët e diasporës ata që bëjnë të dëgjohet tek tuk për ndonjë gjë pozitive atdheu. Kolegët që ndodhen pas, në të shumtën e rasteve, konsumohen në grindjet e pafund mes tyre e në luftën e përditshme me pushtetin e korrupsionin.

Të shprehesh kaq lehtë se duhet të votojnë ata që e meritojnë, përbën në vetvete një dallim  të ulët dhe fort poshtërues. Cili është vallë ai që do ti ndajë shqiptarët në ata që meritojnë për të votuar dhe në ata që nuk e meritojnë?!A nuk përbën kjo në vetvete, një përçarje shumë tërrezikshme?

 Ajo që është, madje, krejt shqetësuese për ne të ndodhurit në emigracion, ka të bëj me  një lloj përjashtimi nga jeta publike, që na përgatitet. Të mos njohë gjendjen e emigrantëve në shtetet fqinjë ose edhe gjetiu nëpër botë një qytetar i thjeshtë,është krejt e justifikueshme. Por kur kjo ndodh me ata që janë të angazhuar për ta informuar qytetarin nëpërmjet gazetave që zotërojnë, tingëllon absurde dhe është e pafalshme. Po si vallë, mund ti mohohet e drejta një shqiptari që jeton në Greqi, për të votuar, me justifikimin krejt banal të gjoja “mospjesmarrjes në jetën politike të vendit” kur ky, edhe në shtetin ku jeton, nuk e ka të drejtën e votimit?!  Me të vërtetë, vota është instrument i qytetarit për të përcaktuar se kush do ta qeverisë por, kjo, nuk është ekskluzivitet i atij qytetari që ndodh të ketë vetëm një shtëpi banimi dhe të përjashtohet ai që, ka ikur nga vendi për të siguruar për veten  dhe për familjen, të ardhura më të mira. Po kështu, një tjetër tezë që mbështetet tek ideja se , emigrantët të mirëpritur janë për të votuar por duhet të paguajnë taksat, nuk ka sesi të mos na sjellë në mendje vetvetiu pyetjen ndaj artikullshkruesve, nëse dhe ata janë taksapagues të rregullt.  Një informacion nga Banka e Shqipërisë, do ti bënte me dijeni për të ardhurat që i vijnë shtetit shqiptar nga emigracioni. Nuk mund të marr me mend, nëse një ditë të gjithë emigrantët vendosnin të mos nisnin më në atdhe të holla, çfarë kishte për të ndodhur me ekonominë vendase. Përsa i përket justifikimit se, gjoja emigrantët nuk janë të informuar për ngjarjet në atdhe, kjo është krejt e pabazë. Nuk jemi më në periudhën e viteve 80-90. Informacioni është i gjithanshëm dhe i larmishëm. Sigurisht që vihen në dijeni me të gjitha hollësitë për gjithçka ndodh në atdhe dhe sigurisht që u shtrëngohet zemra kur ndeshen me të tilla zëra që kërkojnë  tju ngulitin  akoma më tepër idenë se, në atdhe, i shohin vetëm si një send me leverdi, dhe paralel, si një rrezik që i kanoset rehatit të fituar prej disave. Fatmirësisht, edhe pse forcat tradicionale politike janë të lëkundura në një hap të tillë, forca të reja progresiste, sikurse ndodh me G99, e kanë prioritet të tyre politik pjesmarrjen e emigrantëve, pra të të gjithë shqiptarëve në të vërtetë, në procesin e zgjedhjeve. Është makabre të pajtohesh me zëra që bëjnë thirrje për mënjanimin nga zgjedhjet një pjese kaq të madhe të shqiptarëve. Le të shpresojmë se këta përbëjnë një minorancë që, herët a vonë, kanë për të kuptuar shërbimin jo të mirë që i sjellin shqiptarizmit, duke hedhur e mbrojtur të tilla teza të cekëta dhe shqetësuese.

Niko Ago

(gazetar, Athine)

Vota e emigrantëve, borxhi i pashlyer! (Genci Kojdheli)

July 18th, 2008

Në tre muajt e fundit Lëvizja G99 ka ndërmarrë disa aksione ndërgjegjësuese dhe ka prezantuar një platformë të mirëstrukturuar për të mundësuar votën e shqiptarëve jashtë atdheut. Ndërsa në përgjithësi propozimi i G99 është mirëpritur dhe në parim është mbështetur nga shumë përfaqësues të spektrit politik dhe shoqërisë civile, ashtu siç pritej kanë dalë edhe disa zëra kundër këtij tij. Kundërshtimi i propozimit të G99 është bërë si në nivelin parimor ashtu edhe në atë praktik. Një prej kundërshtive e lidh panevojshmërinë e votës së emigrantëve me faktin se emigrantët votues nuk do të përfitonin/pësonin prej qeverisjes për të cilën do të hidhnin votat. Pa dashur të zgjatem së tepërmi tek argumenti i pakundërshtueshëm që Kushtetuta e Shqipërisë shprehimisht dhe paevitueshmërisht e lejon votën e shtetasve shqiptarë pavarësisht se vendndodhjes së tyre gjeografike, ky argument kundër është lehtësisht i shpërfillshëm kur konsiderojmë që pjesa dërrmuese e emigrantëve votues janë rezidentë në Greqi e Itali; afria gjeografike i mundëson atyre kthimin frekuent në Shqipëri dhe përballjen, si për mirë ashtu dhe për keq, me performancën e pushtetit për të cilin ata do të votonin. Një tjetër kundërshti tenton, në mënyrë shumë simpliciste po aspak bindëse, që të lidhë të drejtën për të votuar me pagesën e taksave, ashtu siç inicialisht është aplikuar e drejta e votës në monarkitë europiane në shek. 16 e 17 apo duke iu referuar parimit amerikan të aplikimit të taksave veç në rastin kur ka përfaqësim politik. Por faktet janë disi kokëforta; ndonëse nuk paguajnë taksa direkte, emigrantët çdo vit furnizojnë ekonominë shqiptare me dërgesat pa të cilat sistemi ynë ekonomik do të dështonte menjëherë; veç në vitin 2007 emigrantët kanë injektuar në ekonominë shqiptare rreth 1 miliard dollarë, gati 14% të Produktit të Brendshëm Bruto dhe rreth 3 herë më tepër se Investimet e Huaja Direkte. Me të tillë kontribut financiar në mbarëvajtjen social-ekonomike të vendit emigrantëve nuk mund tu mohohet, qoftë edhe në mënyrë retorike, e drejta për të shprehur mendimin e tyre mbi qeverinë që menaxhon milionat që ata dërgojnë çdo vit. Për të vazhduar debatin mbi parimin amerikan ‘jo taksim pa përfaqësim politik’, jo domosdoshmërisht është i vlefshëm varianti i kundërt i këtij parimi, pra ‘jo përfaqësim politik pa taksim’. Qindra e mijëra shqiptarë kanë të drejtë të votojnë pavarësisht faktit se nuk paguajnë taksa, duke përfshirë këtu para e tetraplegjikët, invalidët e punës, pjesën më të madhe të popullsisë rurale apo edhe të burgosurit në institucionet korrektuese. Do ishte anormale që një i burgosur përjetë të ketë të drejtën për të votuar pavarësisht se s’ka për të paguar kurrë taksa, dhe një emigranti që dërgon para çdo muaj për familjen e vetë, blen troje e shtëpi apo investon kursimet e jetës në Shqipëri ti mohohet kjo e drejtë.

Një tjetër kundërshti e lidh (mos)votimin e emigrantëve me (pa)aftësinë e tyre për të qenë të mirëinformuar për platformat, kandidatët dhe partitë pjesëmarrëse në procesin elektoral, duke spekuluar mbi faktin se emigrantët shqiptarë do të binin viktima të ‘…marketingut politik, fasadave fallso, përpunimit të mediave, imazhit pa përmbajtje apo retorikës boshe’, a thua se këtë fat të kobshëm për tu mashtruar nga diskursi politik e paskan veç emigrantët që janë larg vendit. Edhe shqiptarët më fatlumë me shtëpi tek Blloku në mes të Tiranës apo ata më fatëzinj me shtëpi në Gërdec e Poliçan kanë rënë viktimë e marketingut politik, fasadave falso e retorikave boshe që kanë folur për ‘duart e pastra, antikorrupsionin, qeverinë në dietë, legalizimin dhe reformën e tokës, 6.000 km rrugë rurale, ujë e drita 24 orë) e të tjera premtime inflacioniste të një partie (e më pas qeverie) e cila shumë shpejt ja doli mbanë të zhgënjente edhe dishepujt e mbështetësit e saj më të flaktë…! Kastat politike në Shqipëri (dhe jo vetëm) tipikisht mashtrojnë e manipulojnë elektoratet, por ky s’është argument për të mohuar të drejtën e votës. Në kuadër të këtij argumenti nuk duhet gjithashtu të anashkalojmë faktin se emigrantët jetojnë në vende teknologjikisht e mediatikisht më të avancuara se Shqipëria. Aksesi dhe informimi i emigrantëve për jetën politike të vendit përmes medias së shkruar, internetit apo edhe kanaleve satelitore shqiptare është idealisht i barabartë (në mos disa herë më i madh) me atë të banorëve të fshatrave më të thella të Shqipërisë ku gazetat nuk shkojnë kurrë e ku interneti s’ka se si të njihet. Por këtyre banorëve ruralë nuk mund tu mohohet vota thjesht sepse janë të painformuar apo mediatikisht të manipulueshëm. I njëjti argument vlen edhe për emigrantët kudo që ata ndodhen.

Pavarësisht vështirësive teknike që sigurisht janë të shumta, rrezikut potencial për manipunime, apo problemeve konceptuale mbi vlerën e shtuar të votës së emigrantëve në hartën zgjedhore shqiptare, G99 e bazon iniciativën e vetë mbi faktin e pamohueshëm se emigrantët kanë kushtetueshmërisht të drejtën që të votojnë. Shoqëria shqiptare i detyrohet shumë mundit e djersës së mijëra emigrantëve që prej vitesh kontribuojnë në mbarëvajtjen social-ekonomike të vendit, dhe garantimi i kësaj të drejte do të ish minimumi i shpërblimit për këtë borxh të pashlyer. Vota e emigrantëve është një standart tanimë i arrirë e aplikuar suksesshëm në rajon (Kroacia e Sllovenia) apo edhe nëpër botë (përfshirë disa vende disi të prapambetura në Afrikë). G99 beson se aplikimi i këtij standarti në Shqipëri është pjesë e frymës së politikëbërjes që nuk stepet përpara vështirësive teknike apo artificave dialektike për të garantuar një të drejtë kushtetuese të cilën emigrantët shqiptarë do ta meritonin gjithësesi!

Në vend të replikës. Përgjigje për një kundërshtim të papjekur. (Maklen Misha)

July 18th, 2008

Natyrisht që, si çdo çështje tjetër e rëndësishme që po diskutohet së fundi në politikën shqiptare, edhe nisma e Lëvizjes G99 për garantimin e votës së jashtme ka ngjallur mjaft reagime e debate. Një gjë kjo më se normale dhe që në fund të fundit është në interesin si të promotorëve, ashtu dhe të kundërshtarëve të kësaj nisme, pasi vetëm duke shqyrtuar me kujdes të gjitha anët e këtij problemi mund të arrihet në një vendim të drejtë e të mirinformuar. Për fat të keq, sipas një tradite tashmë tipike shqiptare, debati në ndonjë rast ka degjeneruar në thumba ndaj Lëvizjes G99 si promotore e kësaj nisme, ose në kundërshtime thjesht për hir të kundërshtimit. Një shembull tipik i këtij fenomeni ishte shkrimi i djeshëm i Adri Nurellarit në “Shqip”, i cili paraqiste mjaft probleme, si nga ana e argumenteve që ofroheshin për të kundërshtuar votën e jashtme, ashtu edhe nga qasja ndaj subjektit, duke shkelur shpesh me të dyja këmbët disa nga parimet themelore të një debati akademik.

Së pari, më duhet të them se argumentet parimore që z. Nurellari sjell kundër votës së jashtme janë tejet të thjeshtuara e manikeiste. Për shembull, ideja e lidhjes mes pagesës së taksave dhe së drejtës së përfaqësimit me anë të votës mund të shërbejë si një temë mjaft interesante për diskutime të gjata filozofike e teorike, por ka fare pak lidhje me realitetin shqiptar. Edhe po të pretendojmë për një çast se 1 milion e kusur emigrantët shqiptarë nuk japin kurrfarë kontributi ekonomik për Shqipërinë, mjafton të përmendet fakti se sot një pjesë shumë e madhe e shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Shqipërisë e në radhë të parë ata që banojnë në fshat, nuk paguajnë asnjë lloj takse për të arritur në përfundimin se mospagesa e taksave nuk mund të shërbejë për t‘iu mohuar vetëm shtetasve shqiptarë që kanë emigruar të drejtën e votës. Po ashtu, edhe argumenti i nevojës së mirinformimit të votuesve apo i mundësisë së manipulimit të tyre nga media apo retorika e propaganda e formacioneve të caktuara politike është tejet i dobët. Një shqiptar që jeton sot në Itali, Greqi, Gjermani apo Angli jo vetëm që ka akses më të madh në mediat e informimit se një bashkatdhetari i tij në një fshat të humbur, le të themi të Pukës, Skraparit apo Kukësit, por ajo që është më e rëndësishme, këta njerëz nuk bëhen as viktima të bombardimeve të përditshme propagandistike të Televizionit Publik Shqiptar, (i cili për fat të keq vazhdon të jetë burimi i vetëm i informacionit për një përqindje mjaft të lartë të popullsisë shqiptare), apo të presioneve gjithfarësh që ushtrojnë militantët dhe zyrtarët e partive shqiptare mbi elektoratin e tyre. Por, në fakt, nuk është fare nevoja që t‘u jepet përgjigje një nga një të gjitha argumenteve parimore të këtij shkrimi, pasi ato nuk kanë fare lidhje me propozimin e G99. Ndryshe nga ç‘shkruan z. Nurellari, këtu nuk bëhet fjalë për t‘u njohur emigrantëve shqiptarë të drejtën e votës, pasi këtë të drejtë ata e gëzojnë dhe ua ka njohur gjithnjë Kushtetuta e Shqipërisë. Bëhet fjalë thjesht e vetëm për t‘u mundësuar atyre ushtrimin e kësaj të drejte. Dhe për sa kohë nuk do të ketë një ndryshim kushtetues që t‘ua mohojë të drejtën e votës, shteti shqiptar ka detyrimin të bëjë gjithçka për të realizuar votën e jashtme. Kaq!

Por sikur kundërshtimet të mbeteshin këtu, gjithçka do të kishte qenë e pranueshme, sado që autorit i shpëton thelbi i problemit. Problemi më i madh me shkrimin në fjalë haset tek argumentet praktike kundër votës së jashtme. Z. Nurellari bën këtu një gabim që do të bënte t‘i skuqej faqja çdo akademiku: ai komenton e kundërshton një propozim që duket qartë se as ka marrë mundimin ta lexojë! Dhe në këtë rast debati detyrimisht mbetet shterpë, me njërin që i bie gozhdës e tjetri patkoit.

Problemi i parë praktik që përmendet është ai i listave të votuesve të jashtëm. G99 është e ndërgjegjshme për këtë problem dhe prandaj e ka ndërtuar të gjithë propozimin e saj mbi premisën se Shqipëria, ashtu siç është zotuar qeveria “Berisha”, do të ketë së shpejti një Regjistër Themeltar të dixhitalizuar. Për më tepër, G99 është shprehur qartë se pa këtë regjistër vota e jashtme është e pamundur. Së dyti, problemi që rrjedh nga mungesa e listave të sakta për shtetasit shqiptarë jashtë atdheut zgjidhet me anë të parimit të vetëdeklarimit, pra të gjithë shtetasit që dëshirojnë të votojnë si votues të jashtëm duhet të shprehin interesin e tyre, duke kaluar pastaj nëpër procedura mjaft të detajuara regjistrimi. Së treti, G99 ka propozuar votimin me postë - përmes një shërbimi postar special - pikërisht për të shmangur përfshirjen e Postës Shqiptare dhe të misioneve diplomatike, të cilat, siç e dimë, mund të kthehen rëndom në bastione të kujtdo partie që vjen në pushtet. Së katërti, një ndër avantazhet e votimit me postë, sipas propozimit të G99, është se shmang nevojën për një përfshirje në proces të vendeve pritëse, duke e kthyer të gjithë procesin në një komunikim të drejtpërdrejtë mes shtetit shqiptar (pra të institucionit që administron procesin e votimit) dhe votuesve të jashtëm. Dhe sa për standardet e ndershmërisë që na garantoka ligji shqiptar brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që s‘aplikohen dot gjetkë, kjo duket më tepër si një shaka pa vend se sa si një shqetësim real.

Kemi pastaj dhe argumentin e manipulimit të votës nga Greqia, i cili më tepër se një argument real, duket si një përpjekje e dëshpëruar e populiste për të ndaluar këtë nismë, duke i bërë thirrje mosbesimit historik që kanë shqiptarët ndaj fqinjit të tyre jugor. Por edhe ky argument është aq i dobët sa s‘ke nga ta kapësh. Në radhë të parë ai paragjykon ata qindra mijëra shqiptarë që jetojnë në Greqi, duke i parë ata si, as më shumë e as më pak se një tufë bagëtish pa integritet e karakter, nën hyqmin e shtetit grek apo të qarqeve antishqiptare. Eksperienca ka treguar se Greqia ka autobusë të mjaftueshëm për të nisur për në Shqipëri ditën e zgjedhjeve të gjithë kontingjentin e shqiptarëve që mbështesin axhendat e mundshme pro-greke në Shqipëri dhe rrjedhimisht, të vetmit që përjashtohen nga votimi janë ata emigrantë që nuk kanë pranuar të kthehen në vegla të politikave të tilla. Për të mos folur pastaj për faktin që Greqia nuk është as Bashkimi Sovjetik i Stalinit e as Zimbabve, që të mund të arrijë të kontrollojë votën e dhjetëra apo qindra mijëra shqiptarëve, apo për faktin që edhe procesi i votimit me postë mund të monitorohet nga OSBE apo IOM, siç ka ndodhur dhe në rastin e Kosovës apo Bosnje-Hercegovinës.

Dhe së fundmi, duhet folur edhe për parimin tjetër të debatit akademik që ka shkelur z. Nurellari; natyrisht, si gjithkush tjetër, edhe ai ka të drejtën ta kundërshtojë këtë nismë për sa kohë arrin të paraqesë argumente që provojnë mangësitë apo dobësitë e saj. Një gjë të tillë e kishte bërë për shembull z. Mero Baze, i cili, po dje, në një editorial, artikulonte disa shqetësime të drejta që lidhen me implementimin e votës së jashtme. Por është e papranueshme që debati, në vend që të adresojë thjesht nismën e problematikën, të hedhë thumba e të bëjë aludime ndaj promotorit të saj. Siç është po ashtu e papranueshme përbuzja dhe cinizmi prej njeriu dinshum që për arsye që veç ai i di, i njeh vetes të drejtën të paragjykojë, pa dhënë kurrfarë shpjegimi, integritetin dhe motivet që e kanë shtyrë G99 - dhe mjaft aktorë të tjerë politikë në Shqipëri - të promovojnë garantimin e së drejtës kushtetuese të votës për bashkatdhetarët tanë që jetojnë e punojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Një gjë e tillë është ndoshta e pritshme nga një gazetë partiake, por jo në një debat akademik.