Archive for the ‘Uncategorized’ Category

Përse do të mbahet mend kryetarja e parë femër e Kuvendit shqiptar M. Misha

Monday, June 8th, 2009
Përse do të mbahet mend kryetarja e parë femër e Kuvendit shqiptar
Maklen Misha

Mes sloganeve elektorale që po pushtojnë dalëngadalë arenën publike shqiptare në këtë kohë fushate, ka një slogan, i cili dallon nga gjithë të tjerët: I ♥ MAMI. Normalisht funksioni i çdo slogani elektoral është që të përçojë tek elektorati një mesazh, pra atë çfarë përfaqëson partia apo politikani, ose më së paku atë çfarë politikani apo partia do që elektorati të besojë për të. Kështu, e djathta tenton të bindë publikun se Shqipëria tanimë është në ndryshim e sipër, e majta që ndryshimi ende duhet të fillojë, e kështu me radhë. Po çfarë po përpiqet vallë të na thotë zonja kryetare e kuvendit me sloganin e saj me mamin? Sepse, për të qenë të sinqertë, gjëja e fundit që të shkon ndërmend kur sheh apo dëgjon zonjën Topalli në jetën e saj publike është…I ♥ MAMI.

Në fakt, në rastin e zonjës Topalli, një slogan i tillë ka edhe më pak kuptim sesa një I ♥ BABI në mitingjet e Sali Berishës. Është e vërtetë që zonja kryetare gjatë këtyre viteve në krye të parlamentit shqiptar është përpjekur të projektojë imazhin e një politikaneje ndryshe, e një politikaneje të cilën s’e zë gjumi natën nga shqetësimi për dhunën në familje, për vendin e grave në shoqërinë shqiptare, për faktin se fëmijët shqiptarë duhet të rriten në një ambient pa dhunë, etj, etj, etj. E keqja është se, sado që të kërkosh, nuk gjen asgjë tek figura dhe sjellja publike e zonjës Topalli që të na provojë se të gjitha këto fjalë të bukura janë ndonjë gjë më tepër sesa një përpjekje cinike për të fituar pikë me elektoratin me anë të një apeli ndaj vlerave të familjes, të drejtave të grave dhe përkushtimit ndaj fëmijëve.

Në fund të fundit, ç’tregon për përkushtimin e zonjës Topalli ndaj fëmijëve dhe grave fakti që ajo detyron me qindra fëmijë e gra shqiptare të mbushin me pahir radhët e mitingjeve të saj? Si do të ndihej vallë kjo zonjë, e cila na u shqetësoka kaq shumë për të drejtat e fëmijëve e grave shqiptare, sikur nesër një mazhorancë e re të detyronte fëmijët e saj të mbushin sallat e mitingjeve elektorale? Ç’tregojnë për përkushtimin e zonjës Topalli ndaj luftës kundër dhunës në familje e shoqëri, gjuha patetike, arrogante dhe e dhunshme – me plumba ballit, e kapje për zhelesh - shpotitë mediokre e romuzet bajate, që përdor kjo zonjë në prononcimet e saj publike? Në fakt, zonja kryetare e kuvendit me shfaqjet e saj të panumërta mund të na ketë përçuar shumë mesazhe e shumë imazhe, por asgjë që të mund të shërbejë si një model për gratë e nënat shqiptare e aq më pak për fëmijët e këtij vendi. Përkundrazi! Dhe kur ke krijuar për veten një imazh të tillë me punët e qëndrimet konkrete, është disi e vështirë, në mos e pamundur, që një ditë të bukur të gdhihesh dhe të shpresosh se ke për t’i mbushur mendjen njeriu me një I ♥ MAMI të kopjuar nga një fushatë në Amerikë. Në fund të fundit, nuk besoj të jenë të shumtë ata fëmijë shqiptarë që sot ëndërrojnë një mama që deklaron se po të kishte pasur mundësinë do u kishte plasur kundërshtarëve të saj nga një plumb ballit!

Por, tashmë që kësaj legjislature i ka ardhur fundi, mund t’i lejojmë vetes të bëjmë edhe një rezyme të punës së zonjës Topalli, si kryetarja e parë femër e Kuvendit të Shqipërisë. Fatkeqësisht, duhet thënë se ajo ka qenë një dështim po aq i madh, edhe në këtë rol të sajin institucional. Është vërtet e trishtueshme të mendosh, që edhe pse zonjës Topalli iu dha një mundësi reale, që përmes këtij posti të kontribuonte në promovimin e grave shqiptare në politikë, me agresivitetin, militantizmin, dhe arrogancën që e kanë karakterizuar ajo në njëfarë mënyre ka diskretituar kauzën e përfshirjes së grave në politikë. Kemi parë gjatë këtyre katër vjetëve një kryetare Kuvendi që është luhatur sa mes llastimeve të një princeshe mbi bizele, aq mes elegancës dhe sofistikimit të një brigadiereje nga ato të qëmotit, por kurrë një politikane që ashtu siç ia kërkon pozicioni dhe detyra të arrijë të ngrihet mbi palët, të bëhet, siç premtoi në fjalimin e saj inaugurues, një avokate e opozitës. Seanca e fundit parlamentare, heqja e së drejtës së fjalës opozitës, dhe shpërthimi banal i zonjës kryetare për “parlamentin e NATOS, parlamentin e MSA, parlamentin e OSBE” s’ishin gjë tjetër veç prova finale – nëse ende duhej një provë e tillë – se sa patetik ka qenë drejtimi që i ka bërë ajo kuvendit. Dhe duhet thënë se zonjës Topalli nuk do i ishte dashur të shkonte më larg se në Italinë fqinje për të parë një model dinjitoz të drejtimit të parlamentit, qoftë nga komunisti Bertinoti, qoftë nga një djathtist i thekur si Fini, të cilët pavarësisht bindjeve politike, në rolin e tyre institucional kanë shmangur çdo shfaqje militantizmi partiak. Por, sado të indinjuar që mund të ndihemi nga shfaqjet dhe sjelljet patetike që na ka dhuruar pa teklif kjo zonjë gjatë këtyre katër viteve, mund të gjejmë ngushëllim tek një fakt: tek gjykimi që i ka rezervuar asaj publiku shqiptar. Sepse pavarësisht sesi e sheh veten zonja Topalli, ajo nuk do të mbahet mend as për NATO, as për MSA, as si firmëtare e deklaratës së pavarësisë, dhe as si kryetarja e kuvendit që desh hëngri dru nga Ilir Meta. Ajo do të mbahet mend thjesht e vetëm si politikania që futi në diskursin publik shqiptar fjalën ‘zhele’, dhe shprehjen aq elokuente ‘kapeni për zhelesh’. Kaq

Antagonizmi ndaj të rinjve në politikë - Blend Salaj

Thursday, March 26th, 2009

Përballja e të rinjve të forcave politike në studion e “Opinion”, në fillim të javës, shkaktoi një furtunë mediatike që, sinqerisht, e kam të vështirë t’ia atribuoj asaj që ndodhi në atë 90-minutësh televiziv. Vërtet që të rinjtë nuk arritën ta shfrytëzonin atë shans për t’u prezantuar denjësisht, ama cinizmi që pasoi në shkrimet që nxinë faqet e gazetave, në ditët që pasuan, m’u duk dyfish i mërzitshëm. Qofsha i gabuar, por komentet depersonalizuese që u lëshuan kundër atyre të gjashtëve në studion e TV “Klan”, më krijuan përshtypjen se mezi paskëshim pritur që këta të rinjtë të gabonin dikur. Dhe, zellin për t’i objektivizuar në të tillë mënyrë, nuk arrij ta përligj me pritshmëritë e larta që paskëshim patur për ta, në qoftë kështu, linçimi që vijoi ishte forma më e mizore e kritikës dashamirëse.
Ky debat që u hap mbi prurjet e reja në politikë, nuk u përket vetëm atyre të gjashtëve, dhe po ta vini re, edhe qesëndia që vijoi, nuk u drejtohej vetëm atyre si individë, por gjithë brezit që ata (jo domosdoshmërisht) përfaqësojnë. Viktima të sulmit mediatik mbi rininë, nuk ishin vetëm ata që, fatkeqësisht, ranë në kurthin e zellit për të asgjësuar rivalët, por të gjithë të rinjtë. Mesazhi që dërgohej nëpërmjet shtypit, në ditët pas debatit televiziv, ishte pak a shumë ky: “Ju të rinjtë në politikë, bëni mirë të dilni prej saj, dhe ju jashtë politikës, as mos e çoni ndërmend të hyni. Ky është sporti i “të rriturve”, i “të mëdhenjve”.
Nuk kam për qëllim aspak të mbroj mangësitë komunikuese që u shfaqën atë natë në ekran, sido që, për hir të së vërtetës, duhet të them se dyshoj fort që shkaktarët e vërtetë të këtij sherri ishin porositë me sms, që duhet t’u kenë mbërritur në celularë nga shefat e vjetër, të cilët i instrumentalizojnë rioshët në mënyrë të hapur. Zgavrimi i personaliteteve të tyre, për t’i mbushur pastaj dëng si specat në tavë me lojën e vjetër politike, më duket gjella më e pashijshme që mund t’i ofrohet publikut. Në këtë këndvështrim, mendoj se duke u përqendruar tek shija e keqe që na la ky debat mes të rinjsh, harrojmë (ndoshta me dashje) se kuzhinierët e saj ishin mjeshtrit e vjetër.
Sa nga ne vërtet besojnë se të rinjtë e politikës do të lejoheshin në ndonjë mënyrë të ishin vetvetja, në një transmetim direkt në televizion? A nuk duket më e arsyeshme të mendojmë se fjalët që u shkëmbyen në studio atë natë, ishin porositur me kujdes nga “të rriturit” që i dërguan? Si moshatar i tyre, kjo është ajo që më shqetëson mbi gjithçka: Diskreditimi publik i të rinjve me vullnet politik dhe ngushtimi deri në mbyllje të plotë i hapësirave, për ata që tentojnë të garojnë, duke u ngritur një kurth të llogaritur mirë, për t’i bërë qesharakë në sytë e opinionit.
Dërgimi i të rinjve përballë njëri-tjetrit, për t’u kafshuar si qentë, nuk i shërben aspak zgjidhjes së shqetësimeve dhe problemeve të rinisë, të cilët u pëlqen apo jo pleqve, janë shumica e popullsisë shqiptare (dhe faleminderit zotit për këtë). Diskreditimi i tyre, vreri dhe qesëndia e çdo forme, është e pritshme prej atyre që dëshirojnë ta drejtojnë këtë vend deri në varr (apo dhe përtej). Zhgënjyes është fakti që, në vend që të ndajnë me të rinjtë diçka nga eksperienca e tyre, të vjetrit i përdorin këta si buratinë të teatrit absurd të të cilit, nga aktorë, ngadalë po kthehen në suflerë.
Në fund, ky zell për t’i masakruar mediatikisht vajzat dhe djemtë e debatit të famshëm, më duket i keqdrejtuar. Fajtorët, sipas meje janë të vjetrit, mjeshtrit që tërheqin fijet. Ideja që të rinjtë nuk janë gati për t’u marrë me politikë, më duket fatale, e mbrapshtë dhe e manipuluar për llogari të xhaketave të vjetra. Studentët e dhjetorit ‘90-të, ishin akoma më të rinj nga ata që debatuan në televizion, por me naivitetin e çartur të moshës, përmbysën diktaturën më të egër në Europë. Njësoj si atëherë, edhe sot, ky vend ka nevojë për të rinjtë e vet, të cilët nuk mund ta kalojnë moshën më energjike në gjumë, të përjashtuar nga vendimmarrja mbi të ardhmen, e cila u përket.
Ajo që na duhet të gjithëve, është që antagonizmin skeptik ndaj të rinjve, ta zëvendësojmë me bashkëpunim dashamirës dhe të natyrshëm mes brezave. Se, në fund të fundit, siç thoshte dikur Bobby Kennedy, rinia nuk është thjeshtë moshë, por gjendje mendore, vullnet i fortë, cilësi imagjinate, ngadhënjim i kurajës mbi turpin dhe i oreksit për aventurë mbi dëshirën për rehati. E, me gjithë gabimet që do të dinë t’i ndreqin, ata të gjashtë në televizion, me siguri i kanë këto cilësi, vetëm se më parë u duhet të kuptojnë se rivalë nuk kanë njëri-tjetrin, përkundrazi.

Qeveri për t‘i hequr vizën (Genci Kojdheli)

Friday, January 9th, 2009

Evropianët anembanë kontinentit të vjetër u “ndjenë amerikanë” pas sulmeve të Al Qaeda-s mbi Kullat Binjake, dhe ky solidarizim u rrit edhe më pas atentateve në Spanjë, Gjermani, Angli e Francë. Të prekur në një prej të drejtave të tyre themelore, qytetarët e unionit nxituan të shtrëngonin radhët kundër kërcënimit të terrorizmit. Kam kohë që lutem e shpresoj që një ditë fati të bëjë që qytetarëve evropianë t‘iu limitohet një tjetër e drejtë që ata e konsiderojnë të shenjtë e të mirëqenë; ajo e lëvizjes së lirë. Shpresoj me gjithë shpirt, sepse veç kështu mendoj se një evropian, të paktën një herë në jetë, do të ndihet shqiptar, maqedonas apo serb! Vetëm kështu një qytetar i unionit të bazuar mbi parime e vlera të vjetra sa bota do ta kuptonte se sa poshtërues e dehumanizues është segregacioni që evropianët i bëjnë quasi-evropianëve përmes murit Schengen, radhëve përbuzëse nëpër ambasada, kërkesave idiote e sjelljeve harbute të administratave konsullore, dhe gjithë politikave diskriminuesve që BE-ja ndjek për lëvizjen e lirë. Por nuk do zgjatem në retorikë përsëritëse mbi ngurtësinë e regjimit të vizave apo harbutërinë e konsullatave dhe ambasadave; këto tema janë tanimë gjerësisht të trajtuara.

Në janar 2008, qeveria shqiptare krenarisht na shkundi përpara syve të porsafirmosurën Marrëveshje të Lehtësimit të Vizave mes BE-së dhe Shqipërisë e disa vendeve të tjera të rajonit. Pasi e lexuam dhe filluam ta përtypnim (ndërsa Kryeministri e qeveria s‘linte rast pa e valëvitur), shumë morën frymë të lehtësuar, duke shpresuar se më në fund shqiptarët do paraqisnin më pak dokumente, do merrnin më shumë viza, me më pak para, e brenda një kohe më të shkurtër. Disa të tjerë (skeptikë e realistë) tundën kokën në mosbesim, duke thënë se marrëveshja do ngelej një listë dëshirash e bukurshkruar. Sot, pas 1 viti, skeptikët dhe realistët mund të thonë me plot gojën se kishin të drejtë! Marrëveshja e firmosur mes BE-së dhe Shqipërisë, Bosnjës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, sipas një studimi monitorues të ndërmarrë nga organizata European Citizen Action Service, ka dështuar thuajse tërësisht, dhe pavarësisht detyrimeve automatike që lindin prej nënshkrimit, shumë vende anëtare e kanë injoruar haptazi apo fshehtazi. Mes shqiptarëve të cilëve viza u është refuzuar gjatë vitit 2008 qëndrojnë profesor Ylli Popa (të cilin konsullata italiane e pyeti ‘nëse do të flinte poshtë urës?‘), futbollistë të kombëtares, apo edhe personel nga Ministria e Brendshme apo ajo e Punëve të Jashtme (kjo e fundit është vërtet e trishtueshme). Edhe brenda dështimit të marrëveshjes, Shqipëria është ajo që ka vuajtur më tepër, pasi statistikisht aplikantët shqiptarë kanë marrë më pak viza se qytetarët e vendeve të tjera.

Si anti-Shengenist i thekur e radikal, nuk denjoj të arsyetoj se përse kjo marrëveshje (që ishte gjithsesi tepër e njëanshme për t‘u quajtur e tillë) dështoi nga ana e vendeve të BE-së. Ndërkaq, qeveria kurrizdalë prej përkuljeve servile, nuk guxon ta përmendë marrëveshjen apo t‘i kërkojë Brukselit të marrë përsipër përgjegjësitë që burojnë prej saj. Po kjo qeveri vazhdon të na premtojë një liberalizim hipotetik të vizave brenda vitit 2009, a thua se kjo varet nga dëshirat e Kryeministrit apo buzëqeshjet e ministrit të Jashtëm. Është tërësisht dekurajuese të shohësh përfaqësuesit e vendit tonë, të kompleksuar e pa shtyllë kurrizore, teksa lajkatojnë BE-në, dhe nuk kanë as aftësinë më të vogël imponuese apo negociuese, grimcën më të vogël të përgjegjshmërisë patriotike dhe kapacitetin politik për të mbrojtur të drejtat e shtetasve që përfaqësojnë, sidomos për një çështje kaq sensitive si lëvizja e lirë. Në vend që të shqetësohej për situatën në rripin e Gazës (deklarata e Shqipërisë do thënë që u dëgjua anembanë botës!?!), ministri ynë i Jashtëm duhet të kishte reaguar zyrtarisht e ashpër lidhur me mosrespektimin e marrëveshjes, ashtu siç BE-ja nuk ngurron të na tërheqë veshët sa herë që nuk përmbushim standardet mbi të cilat kemi rënë dakord. Politikanët e diplomatët shqiptarë duhet të kuptojnë se procesi i integrimit s‘është aspak një thes mëshire prej të cilit ne e të tjerë si ne mund të marrin një grusht zahire sa herë që i teket Brukselit, por një mori marrëveshjesh, kontratash e konventash, ku secila palë ka detyrime dhe të drejta. Nëse Shqipëria ka mbi 10 vjet që bën përparime në menaxhimin e kufijve tokësorë e detarë, dhe në luftën ndaj krimit të organizuar e trafikimit, ashtu siç autoritetet evropiane kanë udhëzuar e kërkuar, është më se normale që në shkëmbim qytetarët shqiptarë të përfitojnë më tepër viza dhe një trajtim më dinjitoz nga administratat konsullore të BE-së. Evropa nuk do të na marrë kurrë seriozisht dhe sigurisht nuk do të na ofrojë ndonjë gjë vullnetarisht, sa kohë që politikanët tanë të kompleksuar nuk janë të aftë as të mbrojnë kauza për të cilat kanë nënshkruar marrëveshje, dhe një ministër i Jashtëm që akuzohet për vjedhje e abuzime qindramilioneuroshe vështirë se mund t‘i largojë komplekset e inferioritetit!

Berisha dhe beteja e radhes (Maklen Misha)

Monday, December 22nd, 2008

Prokurori i Përgjithshëm në Shqipëri kurrë nuk e ka pasur jetën të lehtë dhe, me ç’po tregojnë zhvillimet e fundit, këtij rregulli të pashkruar nuk do t’i shmanget dot më as zonja Ina Rama. Natyrisht, që vetë natyra e punës me të cilën duhet të përballet e bën aktivitetin e Kryeprokurores tejet të vështirë. Një ndër më të vështirët që mund të imagjinohen në një vend me shkallën e kriminalitetit, korrupsionit dhe informalitetit që ka Shqipëria. Por, në mënyrë të turpshme, falë ndërhyrjeve të pareshtura të politikës, e cila fatkeqësisht në vitet e tranzicionit ka treguar shpesh një aftësi perverse për të vështirësuar edhe më problemet e vështira me të cilat përballet vendi, misioni i Kryeprokurores mund të thuhet me plot gojën se bëhet thuajse i pamundur. Në fakt, politika shqiptare e këtyre 18 viteve të fundit ka pasur rëndom përplasje me prokurorët e përgjithshëm; përplasje që kanë ardhur si pasojë e ambicieve të qarta të forcave kryesore politike shqiptare, për ta kthyer institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme në një vegël qorre në duart e politikës e që, natyrisht, kanë përfunduar gjithnjë me humbjen e kryeprokurorëve e rrjedhimisht të drejtësisë shqiptare në përgjithësi. Por, nëse ka pasur një politikan që e ka luftuar më shumë institucionin e kryeprokurorit, padyshim ky ka qenë zoti Berisha. Nga pesë ish-kryeprokurorët e Shqipërisë së tranzicionit, plot katër janë shkarkuar ose me iniciativë të zotit Berisha, ose falë bashkëpunimit të tij. Rasti më i fundit e që padyshim është më i freskët në mendjen e publikut shqiptar, është ai i zotit Sollaku, shkarkimi i të cilit me ç’duket nuk shënoi aspak fillimin e trumbetuar aq shumë nga maxhoranca e djathtë, të një marrëdhënieje normale mes ekzekutivit dhe këtij institucioni, por veç fillimin e përplasjes së radhës. Natyrisht, që në rastin e zotit Sollaku, ashtu si dhe në rastet e shkarkimeve të mëparshme, maxhoranca bëri be e rrufe që s’bëhej fjalë për një sulm të motivuar politikisht ndaj një institucioni të pavarur, por vetëm për një përpjekje për ta spastruar këtë institucion nga një drejtues i korruptuar, i paaftë, i kapur, etj, etj, etj. Madje, aq të zjarrta ishin tonet e pasionit me të cilat u motivua përplasja me Prokurorinë e Përgjithshme, sa u fol shpesh në mënyre patetike për një luftë mes të mirës dhe të keqes, mes maxhorancës së djathtë në rolin e të mirit dhe të keqit Dhori Sollaku i cili, çuditërisht, fill i vetëm, na paskësh qenë përgjegjës për krimin, korrupsionin, informalitetin, trafiqet e praktikisht çdo zullum e fatkeqësi që i kish ndodhur ndonjëherë këtij vendi. Ashtu siç ndodh rëndom në përplasjet mes të mirës e së keqes, me ç’duket qëllimi justifikoi mjetet. Zoti Sollaku u hoq pasi një komision i njëanshëm e mediokër parlamentar, i përbërë nga një tufë agronomësh e një zot e di çfarë tjetër, arritën të bëjnë një mrekulli, duke shqyrtuar në pak orë një material tejet voluminoz e duke përpiluar një raport qesharak që, natyrisht propozonte shkarkimin e kryeprokurorit. Dhe, çuditërisht, si me magji, menjëherë pas kësaj akuzat e rënda që i ishin adresuar atij për mos hetimin e Fatos Nanos, Anastas Angjelit, Lefter Xhuvelit u harruan e zoti Berisha fluturonte teksa fliste me entuziazëm për Silvia Kontin shqiptare. Por, në mënyre ironike, nëse i gjykon punët sot, del se zoti Berisha nuk i kishte bërë llogaritë mirë duke zëvendësuar zotin Sollaku me Ina Ramën. Bëri një gabim të madh, sepse zoti Sollaku do të kishte qenë një kryeprokuror shumë më i rehatshëm për një mazhorancë e një kryeministër që akuzohen të jenë përfshirë në afera korruptive të dimensioneve, që, për të perifrazuar një analiste të njohur, i bëjnë aferat për të cilat akuzohej qeveria Nano të duken si ca shakara të padëmshme. Nuk dëshiroj aspak të paragjykoj integritetin apo përkushtimin e zotit Sollaku ndaj detyrës së tij, por ka të ngjarë që një prokuror i akuzuar për vite me radhë nga zoti Berisha e forca politike që ai drejton për korrupsion, e kapje, e njëmijë e një të zeza të tjera, do të ishte menduar gjatë përpara se të guxonte të fillonte hetimet ndaj ministrave, miqve për kokë apo rrethit të ngushtë të zotit kryeministër. Për më tepër, edhe nëse do ta kishte bërë këtë, më së paku kryeministri do të kishte pasur gojë të rifillonte avazin e sulmeve e akuzave. Po si mundet maxhoranca të sulmojë Ina Ramën?! Kjo është dilema me të cilën përballet sot kryeministri kur në shënjestrën e Prokurorisë janë vënë miqtë për kokë e njerëzit e afërt me të. Ka të ngjarë, që kur i thurte lavde Silvia Kontit shqiptare, edhe zoti Berisha, ashtu si një pjesë e mirë e publikut shqiptar përfshirë këtu dhe mua, ta ketë parë zonjën Rama si një çupëlinë të ndrojtur, pa e çuar ndonjëherë ndërmend se ajo do t’i hapte aq shumë telashe. Por teksa ‘çupëlina’ dalëngadalë e pa bërë shumë fjalë filloi të provonte se ishte një femër e guximshme e me integritet, nga ato që fatkeqësisht rrallë shihen në arenën publike e politike shqiptare, duke fituar dhe respektin e opinionit publik, zoti Berisha ndoshta filloi ta kuptonte gabimin që kishte bërë. Ai sot e ka të pamundur të bëhet i besueshëm në sytë e shqiptarëve me akuza e sulme ndaj Prokurorisë e Kryeprokurores thjesht e vetëm meqë kjo e fundit ka vendosur të hetojë Mediun e Fazlliçin. Ndonëse ka filluar të bëhet e qartë tashmë se për arsye që veç kryeministri i di, ai ndihet i prekur personalisht e ndoshta dhe i rrezikuar nga drejtimi që po marrin hetimet e Prokurorisë, sulmet në adresë të Prokurorisë e Kryeprokurores në ca gazeta mediokre si puna e 55 apo në ndonjë televizion të lidhur ngushtë me qeverinë, në vend që të dëmtojnë këtë institucion, vetëm sa po kthehen në një bumerang për kryeministrin duke e ulur edhe më shumë kredibilitetin e tij. Le që do të mjaftonte kontrasti i figurës disi të ndrojtur, të brishtë e të pastër femërore të Ina Ramës dhe imazhit prej të ndërkryeri të kryeministrit apo të tijve teksa e sulmojnë atë, për të bërë që shqiptarët instinktivisht të simpatizojnë edhe më kryeprokuroren. Për t’i rënë shkurt, zoti Berisha dhe njerëzit afër tij që po rrezikohen nga hetimet e Gërdecit, Fazlliçit apo çështjeve të tjera, janë në një situatë shumë të vështirë e gati të pamundur kundrejt Kryeprokurores e institucionit që ajo drejton. Natyrisht, kur i preken interesat personale apo kur ndihet i rrezikuar, zoti Berisha ka dhënë prova të mjaftueshme, se s’ka shumë skrupuj e bëhet i paparashikueshëm. Pra nuk dihet se sa larg do të arrijë të shkojë ai tani që hetimet mund t’i rrezikojnë jo vetëm pushtetin, por dhe më shumë se aq. Por sidoqoftë, një gjë është tashmë e qartë: Prokuroria dhe zonja Ina Rama kanë përpara një sfidë të dyfishtë. Atyre iu duhet të përballen me rezistencën e egër e agresive të maxhorancës, por ç’është më e rëndësishmja, zonja Rama dhe institucioni që ajo drejton kanë shansin dhe detyrimin të rikthejnë besimin dhe respektin e shqiptarëve tek sistemi i drejtësisë, duke mos u dorëzuar përpara presioneve politike.

9 muaj nga Gërdeci (Alba Cela)

Tuesday, December 16th, 2008

Dhimbja e nënave të Gërdecit sot bëhet 9 muajshe. Aq sa ishte pritja për t’i sjellë të dashurit e tyre në jetë. Kokulur dhe mbështjellë në të zeza, ato kaluan postbllokun e ushtrisë dhe iu drejtuan kraterit vrastar.

Aty në errësirë, ndoshta prehen ende shpirtra njerëzish të pafaj. Kërkuan më kot ndihmë nga ushtarët të lokalizonin 26 rrënjët e ullinjve të mbjella në kujtim të viktimave. Nuk i gjetën. U rikthyen në fshat të pangushëlluara. Me të njëjtën dhimbje dhe me më pak përgjigje se 9 muaj më parë.

Ironike të mendosh sesi as ky lehtësim simbolik nuk ekzistonte sot për këto nëna. Pikërisht, Kryeministri i tyre dhe yni, kumtoi duke ulërirë se do mbillen miliona rrënjë ullinj (!).

9 muaj pas Gërdecit, asnjë përgjegjësi konkrete nuk është bërë publike. Asnjë dënim për vrasësit e 26 njerëzve. Tragjedia po zbehet nën hijen e skandaleve dhe tragjedive të reja. Por asgjë nuk e zbeh dhimbjen e nënave, që sot kërkuan të gjenin pak paqe afër atyre pemëve të munguara.

Nëntë muaj pas tragjedisë, 11 institucione, të cilët mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për aferën vrasëse, vazhdojnë të na manipulojnë me iluzione. ‘Shqipëria po ndryshon’ dëgjojmë në dhjetëra spote, dhjetëra reklama të paguara me lekët e taksave tona. E kotë t’u thuash autorëve të tyre se punët dëshmohen me vepra jo me fjalë. 9 muaj pas Gërdecit, shqiptarët, sidoqoftë, mund ta shohin fare qartë se në ç’lloj kantieri është kthyer vendi i tyre: Kantier korrupsioni, cinizmi dhe censure.

Shqipëria vërtet ka ndryshuar. Ajo s’mund të ishte kurrë më e njëjta pas asaj që ndodhi në 15 mars. Asnjë milimetër asfalt i rrugëve të mega-vjedhjeve dhe asnjë mulli ere i “superfuqisë së ardhshme energjetike”, nuk mund ta fshehë Gërdecin. Ai qëndron aty. Ndoshta më i heshtur se 9 muaj më parë, por aspak i padukshëm. Ai rëndon në zemrat e atyre shqiptarëve, të cilët sot ndihen po aq të pasigurt për jetën e tyre sa më 15 mars.

Shqipëria nuk po ndryshon. Ajo ka ende pallate që shemben, njerëz që mbyten në tentativa arratie, zjarre që përlajnë kursimet, ministra që u bëjnë bisht dhe kërcënojnë drejtësinë, ish-spiunë dhe ish-sekretarë partish që, në darkë çirren për hapjen e dosjeve të së kaluarës dhe në mëngjes mbyllin dosjet penale të së tashmes, korrupsion që vret mjekë e pacientë bashkë. Ajo ka ende kraterin e Gërdecit.

*Autorja ishte dje e pranishme në përkujtesën e familjarëve për 9-mujorin e viktimave të Gërdecit

Ministri ikanak (Genci Kojdheli)

Thursday, December 4th, 2008

Ndërsa qeveria u bie borive për “suksese”, dhe institucionet Euro-Atlantike vazhdojnë të na bëjnë thirrje për përmbushje standardesh demokratike, në këtë mini-sulltanatin tonë, duket se sfida më e madhe është institucionalizimi i një sistemi të llogaridhënies dhe përgjegjësisë përpara ligjit.

Kasta politike në pushtet, me paturpësinë më të madhe na shet arritje në luftën ndaj korrupsionit, por përplasja e radhës mes PD-së (dhe benjaminit të liderit të saj absolut) - me Prokurorinë e Përgjithshme, tregon qartë se jemi vite dritë larg. Larg prej të qenit një shtet, ku zyrtarët kuptojnë me hir (apo detyrohen me pahir që të kuptojnë) se janë të punësuar e jo pronarë të shtetit e të popullit, dhe se do përballen me forcën e ligjit, nëse vjedhin dhe abuzojnë.

Rasti i ministrit të Jashtëm pa imunitet, por i mbrojtur me imunitet, është i fundit në radhën e mega-abuzimeve që po u bëhen parave të shqiptarëve, retorikës boshe mbi duart e pastra, si dhe kulmimi i një sulmi të paralajmëruar kundrejt Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama.

Vetë Z. Basha erdhi në pushtet i rrethuar nga një aureolë pozitiviteti, pastërtie morale dhe ligjore, duke mbartur mbi vete shpresën se do të përfaqësonte, bashkë me të tjerë, një brez politikanësh të rinj që do të vendosnin interesat e vendit përpara xhepave të tyre e të kushërinjve. Por, miti i Bashës e të tjerëve si ai u shua shpejt nën presionin e makutërisë.

Makutëri individësh, për të cilët “tetë vjet pa pushtet” janë thjesht “tetë vjet pa mundësi për vjedhje”, ndaj duhet të frynin xhepat, ndoshta edhe në kurriz të pastërtisë së atij grupi të rinjsh e të rejash, të cilët mundësuan që PD-ja të vendoste një maskë reformatore ndryshimi në vitin 2005. Nëse fle me qentë, ngrihesh me pleshta. Dhe pleshtëzimi nuk vonoi të vinte, për fat të keq edhe për të rinjtë e mirarsimuar e të mirartikuluar, duke mbytur brenda batakut të korrupsionit shpresat e ringjallura të qytetarëve të këtij vendi për një frymë të re qeverisëse.

Po pse është i papranueshëm qëndrimi i z. Basha dhe i tërë qeverisë!? Le të harrojmë për një moment faktin që ishte kjo mazhorancë, e cila hoqi ish-Kryeprokurorin Sollaku, për ta zëvendësuar me Ina Ramën (ose shembëlltyrën shqiptare të Silvia Contit); harrojmë po ashtu që ish-ministri Rusmali dha dorëheqjen vetëm për një telefonatë të dyshimtë të vëllait, dhe Kryeministri Berisha doli e u mburr për standardet që po vendoste qeveria; mbyllim sytë edhe mbi faktin se kjo mazhorancë eviton gjithë diskutimet në detaj mbi abuzimet potenciale me rrugën Durrës-Kukës-Morinë, duke u mbërthyer me thonj tek kamerdarja e patriotizmit (që Samuel Johnson me të drejtë e quan streha e fundit e maskarenjve); i mbyllim edhe veshët teksa dëgjojmë që ministri ikanak do ndërmarrë një tur diplomatik, pikërisht në javën kur Prokuroria e pret që të ulet në karrigen e deponimit; na ngelet veç të pranojmë se sa më sipër janë tregues tipikë të transformimit të Shqipërisë në një vend ku pushteti s’njeh limit e kontroll e s’pranon të japë llogari e mbajë përgjegjësi.

Por standardi i z. Basha dhe karshillëku e evitimi që ai po i bën Prokurorisë, përveçse është një tjetër provë që shton bindjen për hajdutërinë e dyshuar, është shembulli më i keq dhe më dekurajues për cilindo të ri që aspiron të hyjë në politikën shqiptare përmes rrugës së pastërtisë e ndershmërisë.

Ajo që ministri Basha dhe gjithë makineria propagandistike pas tij po u tregojnë shqiptarëve të rinj që dëshirojnë t’i shërbejnë vendit, është se nuk ka vend për parime e aspirata, por vetëm për matrapazllëqe, abuzime e vjedhje, si dhe shantazhe, presione të fshehta apo të hapura e manovra evazive, mospërfillje të hapur për shtetin e së drejtës dhe institucionet e drejtësisë, dhe tallje publike me qytetarët e ndershëm.

Ministri nën akuzë s’mund të pretendojë të vazhdojë të gënjejë me parulla patriotizmi. Si jurist që i ka shërbyer Tribunalit të Hagës, ai e di mirë që edhe kriminelët e luftës i referoheshin patriotizmit e detyrës atdhetare sa herë që përballeshin me akuzat për masakra genocidale ndaj popullsisë së pafajshme.

Por, të flasësh për atdhedashuri e patriotizëm kur të pyesin ku kanë shkuar miliona euro të parave publike, nuk të bën domosdoshmërisht më pak kriminel. As më pak hajdut!

Po ashtu, nuk janë një arsye e mirë për të evituar përballjen me organet e drejtësisë! Qoftë edhe sepse patriotizmi tregohet, së pari, pikërisht duke respektuar institucionet kushtetuese të vendit tënd, sidomos kur këtyre institucioneve u ke dhënë votën, besimin dhe tagrin institucional.

Pikërisht prej këtij respekti ndaj Prokurorisë së Përgjithshme dhe të drejtës së saj legjitime për të hetuar mbi gjithkënd e gjithçka, duhet të nisë rrugëtimi i z. Basha për t’u treguar shqiptarëve të vërtetën mbi fajësinë apo pafajësinë, si dhe patriotizmin apo tradhtinë!

Prioritetet dhe zhvillimi (Elson Bruka)

Tuesday, December 2nd, 2008

Duke promovuar e prerë shirita, relatuar për suksese, kryeministri kur del në fshatra e qytete mbrapa tij ka një poster me sloganin “Shqipëria që ndryshon”ku duket një pjesë e infrastrukturës rrugore,e cila padyshim është flamuri i qeverisë, prioriteti i saj. Është krijuar përshtypja se vetëm po të derdhen paratë në infrastrukturën rrugore atëherë punët i kemi mirë,apo Shqipëria është kthyer në kantier ndërtimi dhe po ecën përpara dhe përsëri me këtë kuptohet ndërtimi i autostradave. Është vonë për këtë mandat për të krijuar atë investimin e duhur drejt prioriteteve të duhura, kaluan 3 vite,(edhe për vitin tjetër nga qeveria destinacioni i buxhetit u përcaktua), e pjesën e luanit e marrin sërish rrugët. Nuk është vonë që të paktën të rishikohet vendimi, e buxheti per arsimin te jetë mbi 5%,e mandej të rritej dhe ai i shëndetësisë. I përket kësaj qeverie të hedhi këtë hap, të fillojë etapa kur arsimi apo shëndetësia të mos futen thjesht në radhën e prioriteve, sepse janë qëllim e detyrim që një shtet duhet tia sigurojë shtetasve. Të bën shumë përshtypje kur fillon së ndërtuari apo përfundon një rrugë e re. Së pari,kur buzë rrugës moderne që lidh fshat me fshat a qytet me fshat ekziston dhe një godinë që vendasin aty e përdorin si pijetore e ndërsa turnin tjetër përdoret si shkollë për të mësuar, apo kur përsëri buze rrugës ekziston dhe një godinë “boshe”me disa pajisje të vjetra kineze,e disa bluza të bardha që të thonë shko e bli ilace në farmaci e që banorët e fshatit a të qytetit e njohin si ambulancë a spital. Nga media kemi parë që nxënës të një fshati mblidhen së bashku e bëjnë një orë rrugë për të shkuar në shkollën më të afërt. Themi disa pasi kjo largësi bën që shumë fëmijë të braktisin shkollën,nga ana tjetër po një banor I fshatit për një temperaturë duhet të shkojë në qytet për tu vizituar pasi në fshat nuk ka mjek e ambulancë. Nuk dimë si se si ja bën kur e kap temperatura në mesnatë,por ndoshta mund të shërohet thjesht me idenë që buxheti i shtetit ka shkuar 5 miliard dollarë. Gjithsesi kthehemi tek kryeministri që inaguron e pret shirita e na thotë se në infrastrukturën rrugore janë investuar 8 herë më shumë se në 2004, dhe krenohet për këtë. Harxhime të mëdha po bëhen për rrugët, përfshirë dhe në atë Durrës-Kukës. A sjell përfitim infrastruktura rrugore? Padyshim që po. Por a është normale që gjithë ky harxhim taksash të shkojë vetëm në ndërtime rrugësh sado me përfitim të jenë? Mos duhet të përmendim se investimi pët të ardhmen në një shtet demokratik është se sa e edukon atë brez .Mos duhet të permendim se përpara shendetit nuk vihet asgjë? Megjithëse është qeveria që menaxhon apo u jep drejtimin atyre taksave përsëri ekziston një mendim qytetar që cdo qeveri duhet të mos bëjë veshin shurdh.Sikur edhe cereku i këtyre shumave të destinuara këto 3 vite për rrugët të shkonin në shëndetësi e arsim do e mbyllnim këtë kapitull ,për kushte në spital , për kushte në një fakultet, që një student të ishte I barabartë me me ata të Europës Lindore të paktën, që mos kishim mbi 50 nxënës në një klasë e të mos ecnin në rrugë mbi një orë për të shkuar në shkollë. Sido që rruga në këtë zonë të jetë rrugë e standarteve, një shkollë që është disa km larg një fshati ajo po kaq km do jetë si në rrugë europiane e si në rrugë me baltë. Dhe ja zgjidhja e qeverisë!…Do ju bëjmë rrugën që të arrini më shpejt në shkollë apo do shkoni më shpejt në spitalin e qytetit. Shikoni c’ llogjikë!!!

A smund të ndërtohet një ambulancë më disa kushte aty ku janë banorët apo të vendoset një pajisje e re në spitalin e Kukësit, përpara se të vendosin të vijnë në Tiranë,qoftë edhe me rrugën e re ? A smund të ndërtohet një shkollë fillore aty ku janë fëmijët e ku është fshati?.Por mendohet ndryshe! Ne fillim qeveria ndërton rrugën, pra e kap punën nga bishti. Deri më sot kemi po atë ecejake edhe këtu,kemi investime më të mëdha sesa qeveria Nano (reklama na e thotë) por politika është e njëllojtë si e paraardhësit por vetëm me një ndryshim sepse këto dy prioritete po arnohen në vend që ti blihet një “kostum’ i ri.” Të kuptohemi se këtu nuk është koncepti “anti-rrugë” sesa koncepti tjetër “pro-arsim”apo “pro-shëndetësi”. Edhe për vitin tjetër gjysmën e investimeve e merrnin rrugët. Po na duket sikur po i biem në qafë investimeve në rrugë por duhet ti marrim pak “borxh” këtij investimi për ti shkuar arsimimit e shëndetësisë. Nuk mund ti merrnim nga nga fondet që janë destinuar për pensionet, bujqësinë, ndihmën sociale apo politikat e tjera sepse ato fonde janë pothuajse inekzistente. Duhet ti shkëpusnim pak nga rrugët sepse kështu rrodhën ngjarjet, kështu ishte tranzicioni e bëri që ndoshta të shpreheshim apo të krijohej përshtypja se duam të ecim në rrugë me gropa apo të paasfaltuara.Vetëm ky vend të krijon të hedhësh ide të tilla ku duhet të dalësh pak si “kundër” rrugëve, “kundër”një një të mire publike për një të mire tjetër që padyshim është më i madh. Duhet të zgjedhim,në vend që këto probleme të zgjidhedheshin këto 18 vite. Por qeveritarët tanë nuk para preferojnë të bëjnë këtë llogari midis të dobishmes apo më të dobishmes për publikun,sepse i bien shumë shkurt,thjesht hapin thesin dhe i akordojnë fondet aty që është më e dobishme për ta. Nuk kanë atë dashurinë e madhe për rrugët (edhe ata e dinë se cili duhet të ishte prioritet) por qëllimi është mjaft i qartë… thjesht perceptimi që ka një politikan për të ndenjur më gjatë në karrige kjo bëhet duke prerë shirita investimesh gjigante në rrugë,rurale,qytetëse apo patriotike, përfitimi elektoral dihet..Shkolla është shumë e vogël përpara një autostrade,një ambulancë e re është shumë e vogël në krahasim me rrugëm 1 miliard euroshe. Madje vetëm në Shqipëri ndodh kur rruga merr emrin e kryeministrit që e ka “ndërtuar”. Themi që këtë rrugë e ka ndërtuar filan kryeministër . Por natyrisht duhet të themi që edhe këtë shkollë(arsimin në përgithësi) spitalin (sistemin shnndetësisë) e ka lënë në gjendje Kandahari filan kryeministër.

Obama – guximi për të shpresuar! (Erion Veliaj)

Thursday, November 13th, 2008

Gjasat janë të mëdha që kur kjo revistë të dalë në treg në tezgat e Shqipërisë, ky burrë i ri me emër të çuditshëm e lëkurë të errët do të jetë njeriu me potencialin më të madh tjetërsues të funksionimit të planetit tonë në vitet që pasojnë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një vit më parë e ca më parë fillova të insistoj me miqtë e mi, kundër të gjitha gjasave, se Obama do të ishte udhëheqësi i Botës së Re me arsyetimin se Barack Obama ishte një etalon i ‘politikës së re’, prova e gjallë e aktivizmit që mund apatinë, shembulli shpresëplote se historia e të rinjve në politikë nuk mund të diskreditohet nga industria e shëmtuar e shpifjes dhe sharjes, ekzemplari më i ri e drithërues i ëndrrës amerikane.
Më duhet të rrëfej, se një pjesë të grishjes për të avokuar fenomenin Obama e kisha nga kërkimi personal gjatë themelimit të G99-ës për prova se politika nuk është e tëra e pistë, se kalimi nga shoqëria civile në politikë nuk është mëkat, dhe se puna e ndershme e përpjekjet e sinqerta për ndryshim janë kura më e mirë për skepticizmin e cinizmin kronik. I lindur nga një baba zezak, i rritur vetëm nga nëna dhe gjyshja e tij, jeta e Barack Obamës është një dëshmi - kundra gjithë gjasave - e besimit për të realizuar gjëra që të tjerët para tij nuk guxonin t’i ëndërronin, e besimit që njerëzit bashkohen më fort nga dashuria dhe shpresa se nga urrejtja dhe frika.
Obama na konfirmon sesi në Shqipëri dhe në SHBA, apo edhe kudo në botë, njerëzit aspirojnë për të njëjtat gjëra: jetë të shëndetshme, edukim cilësor, një familje të fortë, pension dinjitoz, si dhe respekt, solidaritet e liri të shprehjes. E ndonëse shumë nga këto gjëra njerëzit i arrijnë vetë, në sajë të talentit, sipërmarrjes e punës së tyre të ndershme, të gjithë e ndjejnë nevojën e shtetit në orën e tyre të mirë të një ideje të re që kërkon përkrahje apo në dekikën e tyre të keqe të një dështimi që injekton dëshpërim, në hapat e parë të jetës së pavarur prej prindërve apo në muzgun e një jete të jetuar plot mundime, në përpjekjen për të jetuar në një vend më të mirë apo për t’u ndjerë më mirë në vendin ku jetojmë.
Si aktivist i shoqërisë civile në Chicago, Obama dëshmon rolin e pazëvendësueshëm të organizatave jo-qeveritare në avokimin e atyre nevojave të cilat qeveritë shpesh zgjedhin t’i injorojnë. Organizatat e shoqërisë civile, grupet komunitare, sindikatat e zejeve dhe unionet e punetorëve janë të gjithë penjtë që mbajnë bashkë stofin e shoqërisë tonë, ndaj është e rëndësishme që ato jo vetëm të ekzistojnë, por të gëlojnë. Si në rastin e Obamës, ato janë shpesh një para-shkollë politike, mënyra më e mirë për të shtrënguar duart, prekur hallet e mësuar dertet e atyre që të lodhur e zhgënjyer kërkojnë një përfaqësim më të denjë në politikën që vendos të ardhmen e tyre.
Për secilin djalë a vajzë të re që sot aspiron jetën publike, por nuk guxon ta provojë sepse pas cepit të angazhimit publik e pret egersia dhe injoranca e tregtarëve të vjetër të frikës e baltës, suksesi i Obamës ofron një over-dozë me kurajë! Kurajë, dhe nëse nuk keni lindur në një familje të pasur apo të lidhur me elitën politike. Kurajë, dhe nëse idetë tuaja nuk janë shumë popullore në fillim. Kurajë, dhe nëse rrëzoheni herën e parë a të dytë që e provoni. Lajmi i mirë nga fenomeni Obama është se me kurajë, dinjitet e punë të palodhur për të mirën publike gjithcka është e mundur. Si shqiptarë, ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa ato që na ndajnë, nuk ka arsye pse të mos e kthejmë kombin tonë në një histori suksesi. Unë jam i bindur se të gjithë bashkë, me shumë besim, kurajë dhe guxim: Do t’ia dalim!

Fondet Publike për (Sh)Përdorim Privat (Etjen Xhafaj)

Thursday, November 13th, 2008

Unë jam Sali Ber isha dhe ky është numri im … për të denoncuar korrupsionin…”Ky qe shembulli i parë i një fushate të gjerë e të gjatë kryeministrore që synonte të bindte shqiptarët se qeveria po punonte dhe përpiqej për të përmirësuar mirëqenien dhe jetët e tyre. Shumëkush ende mban mend gjatësinë e reklamës, prejardhjen e “dyshimtë” si edhe luftën e kushedisesajtë qeveri-media mbi përgjigjen ridikulizuese që G99 i dha reklamës së kryeministrit.

Çështja para disa javësh ishte në kishte të drejtë qeveria të përdorte fonde publike për të promovuar vetveten politikisht. Argumentet kundër ishin se puna e çdo qeverie duhet të flasë vetë për arritjet e saj, dhe se fondet publike duhet të përdoren në mënyra transparente për investime publike, jo për qëllimet politike të maxhorancës së radhës.

Pavarësisht konsensusit të gjerë mbi mënyrat e përdorimit të parave të taksapaguesve dhe liritë e mediave, qeveria mbizotëroi falë përdorimit arbitrar të institucioneve të pavarura në letër, që në fakt bëjnë fare pak përveçse t’i binden vullnetit “shkëmbor” të kryeqeveritarit tonë.

Pasojat e vërteta të këtij debati po i shohim sot në shumicën e televizioneve shqiptare. Pas Kryeministrit dhe spotit të tij doli Ministria e Turizmit me një spot mbi arritjet e saj si për të çimentuar këtë të drejtë të re aspak demokratike që iu vesh sistemit politik në Shqipëri, të drejtën për të alokuar si të dojë pushteti fondet që paguhen për të funksionuar shteti.

Këtë të drejtë të re të fituar e përdorën shumë shpejt edhe Policia e Shtetit si dhe Ministria e Punës, për të treguar edhe ato arritjet “marramendëse” në këto dikastere nën pushtetin e kësaj qeverie.

Është e vërtetë që pavarësisht eksperiencës së tranzicionit në Shqipëri, taksat janë një e drejtë fillestare e çdo shteti, një nga dy gjërat e sigurta në jetë (e dyta është vdekja). Shumica e shteteve perëndimore që Shqipëria zotohet e përvëlohet të imitojë e marrin këtë privilegj si një përgjegjësi thelbësore që përfaqëson efektivitetin e qeverisjes së tyre.

Në SHBA partitë identifikohen më tepër nga mënyra e përdorimit të fondeve se sa në bazë të historisë politike botërore. Po, ne të gjithë e dimë se jemi shumë, tepër larg, SHBA dhe nuk ka nevojë që një spot të na e ritregojë këtë histori që jeta e përditshme e thotë kaq mirë. Ajo që e zmadhon edhe më shumë këtë hapësirë mes asaj që duam të bëhemi dhe asaj që po bëhemi në fakt, është mungesa si e transparencës ashtu dhe e nevojës së konsensusit për përdorimin e fondeve që mblidhen nga të gjithë ne. Nuk ka asnjë buxhet ministrie që të ketë paraqitur një shpenzim nën titullin “Reklama për punën e mirë të ministrit dhe stafit të tij”. Votimi i këtyre buxheteve është një nga arsyet kryesore përse demokracia ka po aq nevojë për opozita sa edhe për maxhoranca.

Nga ana tjetër përdorimi i fondeve publike për deifikim të disa figurave që kanë akses tejet të madh tek mediat, ngre disa pyetje. Përse ka nevojë për spote kur ka pafund konferenca për shtyp ku prezantohen arritjet nga ministra të qeshur? Përse nuk funksionojnë në këtë vend asnjë nga mekanizmat normale, me konferenca pyetje përgjigje, sondazhe e zyra informacioni por ka nevojë për reklama? Para disa kohësh më qëlloi të merrja numrin e policisë në telefon për të denoncuar një aksident. Përgjigja që mora pasi shpjegova faktin ishte një “e dimë!” e thatë pas së cilës telefoni u mbyll nga ana tjetër. Asnjë nga 8 telefonatat e tjera të këtij qytetari të revoltuar nuk arriti gjë përveçse të mbyllej telefoni, ndërsa aksidentuesi u largua me shpejtësi ‘në drejtim të paditur’ nga sheshi “Skënderbej”.

Arsyeja e vetme e besueshme për fushatën e reklamave të qeverisë sonë duket se është se as qeveria vetë nuk beson tek ajo që thotë, e si rrjedhojë ka nevojë tua ngjisë në mendje këtë percepsion qytetarëve që përfaqëson me mënyra alternative, ripërsëritëse. Nëse ‘fshati që duket nuk do kallauz’, këtij “fshati” i nevojitet të vejë tellallë nëpër rrugë të njoftojnë praninë e tij. Pa pasur parasysh asnjë nga shqetësimet që ngrihen sot nga aktorët lokalë e ndërkombëtarë, qeveria po reagon në mënyrën më të keqe duke shpërdoruar më shumë fonde për të kundërshtuar akuzat për shpërdorim. Nëse reklamat do të qenë për të njoftuar vërtet shqiptarët për zhvillimet mbi problemet e fundit teksti i tyre duhej të ishte: “Ministria e Punëve të Jashtme njofton dorëheqjen e Ministrit për të lejuar drejtësinë të zhvillojë punën e saj pa interferenca nga pozicioni i tij”. Përkundrazi në vend kësaj shumë shpejt do të kemi një tjetër spot nga kjo ministri që ka mbetur pas deri tani në garën e spoteve: “Ministri i Jashtëm do të shpallë publikisht mungesën e të gjitha lidhjeve mes familjes së tij dhe Damir Fazlliç, menjëherë pas kthimit nga pushimet e tyre të përbashkëta në Maldive, ku u filmua kjo reklamë.”

Vendi ynë po lufton me një borxh te jashtëm në rritje, me probleme bazike të infrastrukturës dhe mungesën e investimeve në shumë sektorë, a nuk mund të pritej edhe pak muaj përpara (sh)përdorimit të fondeve publike për fushatë, për t’i përdorur këto fonde në ndihmë të një çdo katër shqiptarë të varfër? A nuk paguajmë ne për të marrë një shërbim nga qeveria, dhe jo për ta parë atë shërbim ne televizor?

Përtej kësaj, është tanimë e qartë se qëllimi sekondar për spotet e qeverisë është troç parapagesa e televizioneve që të rreshtohen apriori në kahun e saj dhe të sigurojnë fitoren e saj në zgjedhjet e verës që vjen. 2007-ta është një kujtim që kjo qeveri e “fitoreve të gjithanshme” nuk mund ta ketë harruar lehtë dhe mediat duhen për të rifituar pikët me pjesën urbane të popullsisë. Ndërsa gjatë zgjedhjeve koha nëpër televizione monitorohet, gjashtë muaj start në fushatë mund të përdoren mirë për të kaluar shumëfish kohën që do t’i jepet opozitës atëherë.

Spotet prekin një plagë të hapur të shoqërisë shqiptare te tranzicionit, plagën e abuzimit pa hesap me paratë publike për të përfituar vetë. Në shumicën e rasteve me ish-qeverinë tonë të korruptuar socialiste qeveritarët e bënin këtë që një pjesë e parave të ktheheshin në xhepat e tyre. Qeveria aktuale e “duarve të pastra” po e shtrin konceptin e këtij shpërdorimi, duke i shtuar edhe abuzimin për të vjedhur të drejtën për të abuzuar edhe për katër vjet të tjerë.

“Qeveria e Republikës së Shqipërisë njofton se çdo aktivitet i saj është pezulluar për një javë pasi nëpunësit janë në shtëpi duke parë veten në reklama. Na shikoni dhe ju, në fund të fundit ju e paguani faturën.”