Archive for the ‘Drejtesia’ Category

Perse braktiset Shqiperia (Adri Nurellari)

Wednesday, July 9th, 2008

Nisma e përfolur shpesh, por së fundmi e promovuar bindshëm prej G99, për të pajisur emigrantët me mundësinë për të votuar, çon në qendër të vëmendjes një çështje shumë delikate e problematike që ka hedhur rrënjë prej kohësh në Shqipëri, por që shumicën e kohës është e eklipsuar nga rutina politike. Braktisja e Shqipërisë nga qytetarët e saj. Qeveritë e ndryshme që kanë ardhur e ikur nga ndërtesa përbri bulevardit “Dëshmorët e Kombit” e kanë parë emigracionin masiv të shqiptarëve si një leverdi të vazhdueshme dhe jo si një fatkeqësi apo manifestim të drejtpërdrejtë të dështimit të tyre. Emigracioni ilegal nuk është luftuar asnjëherë seriozisht në Shqipëri përveçse në situatën kur imigracioni u vendos në krye të rendit të ditës së debateve të brendshme politike të vendeve anëtare të BE-së, të cilat më pas bënë që BE-ja të ushtronte presion te vendet dërguese për të blinduar kufijtë e tyre. Nga një anë, remitancat e vazhdueshme të emigrantëve kanë qenë për vite me radhë mbështetja kryesore e ekonomisë, duke mbuluar në një farë mënyre dështimin ekonomik dhe paaftësinë e qeverive shqiptare për të shfrytëzuar optimalisht burimet materiale dhe njerëzore brenda vendit e duke bërë njerëzit si të vetmin eksport domethënës të Republikës së Shqipërisë. Nga ana tjetër, emigrantët mund të hamendësohen si individë me aspirata, pretendime, iniciativë e këmbëngulje duke pasur parasysh se çfarë telashesh heqin për të udhëtuar (në më të shumtën e rasteve ilegalisht) gjetur punë e jetuar në vendet pritëse. Emigracioni si proces ka shërbyer si një valvul sigurese që ka shfryrë jashtë Shqipërisë një segment aktiv të shoqërisë shqiptare që nëse do të ngelej në atdhe do të kishte rritur shumë numrin e papunësisë e do të kishte shërbyer si një detonator social pakënaqësie e revoltimi.

Asnjë qeveri nuk e ka parë çështjen e emigracionit shqiptar me alarmizëm edhe pse pas Salvadorit ne kemi përmasat më të larta të emigracionit në botë për frymë. Faktin që vendlindja nuk është më e ngrohtë dhe e ëmbël për shqiptarët duhet të nxiste një ndjesi paniku e përgjegjësie shume vite më parë. Përflitet se rreth 700 000 shqiptarë aplikojnë për lotarinë amerikane e 300 000 për kartat greke, ndërkohë që nuk mund të numërohen shqiptarët e tjerë që do të donin të arratiseshin nga vendlindja e që shohin te futja në BE, vetëm një trampolinë për t‘u larguar nga vendi pa pasur nevojën e vizës. Madje, ajo që është më e turpshmja është se shteti shqiptar jo vetëm që është i dorëzuar ndaj kësaj situate, por është edhe “palë në krim” në një farë mënyre. Rasti tipik e qesharak i kësaj përlyerjeje është aplikimi për lotarinë amerikane për kartën e gjelbër (Greencard). Posta shqiptare e paguar nga taksapaguesit shqiptarë, në periudhën e aplikimeve ofron një sportel enkas dhe shërbimin e ndihmës në mbushjen sa më të përshtatshme dhe të personalizuar të formularëve përkatës, në këmbim të pagesës. Madje edhe kur vijnë përgjigjet pozitive të aplikantëve të përzgjedhur, Posta Shqiptare sërish ofron një shërbim të posaçëm shpërndarjeje dhe njoftimi duke vendosur në ambientet e saja shpalljet e emrave të fituesve e madje duke ua përcjellë këto informacione edhe shtypit të përditshëm.

Këtu nuk është thjesht çështje ekonomike e sociale, problemi është që një numër në rritje e shtetasve shqiptarë nuk mendojnë se do të bëhet Shqipëria, nuk shohin me optimizëm të ardhmen e tyre në vendlindje dhe ç‘është më e keqja, nuk ndihen rehat me identitetin shqiptar. Dhe këtu nuk bëhet fjalë thjesht për emigrantët shqiptarë në Greqi që ndryshojnë emër e fe për t‘iu përshtatur sa më mirë ksenofobisë së këtij vendi, as për faktin që një pjesë dërrmuese e emigrantëve tanë po e shohin emigracionin si një zgjidhje permanente e jo më të përkohshme, por për faktin që një pjesë e mirë e emigrantëve shqiptarë nuk u mësojnë fëmijëve shqip. Kjo gjë nuk ka ndodhur ende me fëmijët e emigrantëve shqiptarë të ish-Jugosllavisë, por ndodh gjithnjë e më masivisht me fëmijët e emigrantëve të Republikës së Shqipërisë.

Kjo arratisje nga identiteti kombëtar nuk ka të bëjë thjesht me diasporën, por edhe me banorët autoktonë të trojeve etnike shqiptare. Viktimat e para të asimilimit kanë qenë shqiptarët ortodoksë të ish-Jugosllavisë, të cilët brenda pak dekadash pas konferencës së Londrës janë shndërruar në sllavë të zellshëm, e sot vështirë se gjen ndonjë të vetëm në qytete si Manastiri apo Ohri ku dikur gëlonin. Aq pak frymëzuese është Tirana dhe Shqipëria sa edhe çamët ortodoksë që i shpëtuan shkëmbimit të popullsisë me Turqinë të vitit 1923 dhe masakrave të Zervës, nuk denjojnë ta quajnë veten shqiptarë edhe pse ende flasin rrjedhshëm shqip. E njëjta gjë mund të thuhet për arvanitasit e Atikës, Peloponezit dhe ishujve të Egjeut, të cilët aq shumë i përçmojnë shqiptarët sa nuk duan kurrsesi të kenë lidhje me Shqipërinë e sotshme. Një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe me arbëreshët e Italisë për të cilët të kesh të bësh me shqiptarët nuk është më aq e hijshme tani që pas rënies së murit të Berlinit edhe Shqipërisë i doli nami i keq. Identiteti kombëtar shqiptar nuk është joshës as për shumë kinse qytetarë të vjetër të qyteteve të vjetra si Tetova a Prizreni ku këta parapëlqejnë ta quajnë veten turq duke folur në fakt, osmanishten zyrtare që ushtronin dikur kur ishin hyzmeqarë të Portës së Lartë. Po kështu, himarjotët e banorët nga zona përreth edhe pse këndojnë këngë polifonike preferojnë të flasin greqishten që përdorej nga detarët e Mesdheut si gjuhë komunikimi në kohën e Perandorisë Osmane.

Edhe po ta hedhësh vështrimin diku tjetër në hartën e trojeve të banuara nga shqiptarët sheh të njëjtin problem. Të zhgënjyer nga elita politike shqiptare vendase dhe aspak të tërhequr nga imazhi i Shqipërisë, shqiptarët e Maqedonisë gjithnjë e më tepër po jepen pas identitetit fetar, duke dorëzuar identitetin kombëtar. Një proces ky i ndodhur më herët me shqiptarët e Sanxhakut dhe që është duke u përfunduar në këto momente edhe në Plavë e Guci. Tanimë shqiptarët në këtë zonë ku ka luftuar Ali Pashë Gucia janë minoritet, pasi shumica e ish-shqiptarëve, janë shndërruar në muslimanac apo boshnjakë e madje edhe stërnipat e Jakup Ferrit flasin sot serbisht. E njëjta prirje mund të vihet re edhe në brigjet e Bunës ku katolikët e Shtojit gjithnjë e më dendur marrin e japin me malazezët e kanë filluar t‘i quajnë fëmijët Jovan dhe Pavël në vend që t‘i quajnë Gjon e Pal.

Për të kuptuar këtë papërgjegjshmëri për imazhin e Shqipërisë mjafton të shikohet sesi përfaqësohet republika jonë nga politikanët tanë të të dyja palëve. Politikanët opozitarë shqiptarë shkojnë jashtë e vjellin vrer për kundërshtarin e vet politik, sterrosin realitetin shqiptar jashtë vendit duke dashur të lënë që të kuptohet prej partnerëve të huaj, se këta janë pika e kthesës e për rrjedhojë meritojnë mbështetje ndërkombëtare. Shpesh këtë taktikë të përbaltjes së Shqipërisë e përdorin edhe qeveritarët e papërgjegjshëm shqiptarë, të cilët duke mos pasur arritje domethënëse për të cilat të mburren portretizojnë një realitet të zymtë shqiptar për të thënë se duke parë sa e ulëtpikënisja ku e morën ata pushtetin ajo që ata kanë bërë deri tani është shumë. Ose hiperbolizojnë tërë tërsëllim kriminalitetin apo korrupsionin vetëm e vetëm për të treguar që mosrealizimet e tyre kanë të bëjnë me rrethanat e këqija kushtëzuese ku dergjet e ngrata Shqipëri e jo me paaftësinë apo mungesën e vullnetit të qeverisë.

Për këtë arsye, debati i nisur për votat emigrantëve, nuk duhet të kufizohet vetëm te një simptomë, por të kapë problemin, pse janë duke e braktisur shqiptarët Shqipërinë. Pse ka kaq imazh të keq Shqipëria dhe a mund të ndryshohet imazhi i vendit tonë e të kthehet besimi për një të ardhme të lumtur në vendin tonë? Pse nuk ndihen rehat shqiptarët me emrin shqiptar? Tek-tuk shikohet ndonjë rreze shprese si për shembull ndonjë deklaratë e guximshme nga ekzekutivi për të drejtat e shqiptarëve, ndërtimi i rrugës Durrës-Morinë apo difuzioni kulturor shqiptar i çmuar që realizohet nëpërmjet platformës “DigitAlb”. Megjithatë, kjo është shumë më pak nga ç‘pritet prej Tiranës, e cila duhej të shërbente si lokomotivë zhvillimi, pikë graviteti, parzmore sigurie e simbol krenarie për të gjithë shqiptarët, kudo që banojnë. Nëse kjo arrati nga Shqipëria nuk bëhet një çështje që të shqetësojë të gjitha palët politike e nëse nuk krijohet një frymë bashkëpunimi ndërpartiak lidhur me përmirësimin e imazhit të Shqipërisë dhe forcimit të identitetit kombëtar, situata ka për t‘u përshkallëzuar keq. Do kemi gjithnjë e më shumë qytetarë jo besnikë të Shqipërisë, gjithnjë e më pak interes e përkujdesje për fatet e vendit, gjithmonë e më shumë shqipfolës, gjithnjë e më pak shqiptarë. Fjala shqiptar do të rrezikojë të shndërrohet në një koncept gjeografik ose term filologjik.

Emigrantët, “aksionerë pa pushtet” (Igli Totozani)

Wednesday, July 9th, 2008

Më së fundi, vota e emigrantëve “doli” nga kutia e errët. Natyrisht, jo nga ndonjë kuti votimi, por nga kutia e heshtjes, në të cilën ne e kemi “mbyllur” dhe “dyllosur” si s’ka më mirë, në të gjithë këto vite. Duke i rezervuar asaj dhe atyre një tjetër fat të “çuditshëm” edhe në këtë çështje të rëndësishme politike dhe shoqërore, sikurse është vota.

Natyrisht, gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit, vota e tyre nuk mundi të vidhej, nuk u manipulua për të zgjedhur dhe vendosur, dhe kjo për faktin e thjeshtë; kjo e drejtë nuk u njihej atyre, paçka se janë një e treta e popullsisë së këtij vendi. Paçka se ata kanë qenë pranë nesh përgjatë gjithë këtyre viteve, duke mbushur me djersën e tyre “kutitë” e vjetra të kursimeve të nënave tona. Por edhe të shtetit tonë.

Dhe kurrë nuk kursyen për ne. Kurrë s’ditën të kërkonin asgjë nga familja dhe vendi i tyre. Veç një Shqipëri më të mirë, më të drejtë, më të bukur, për ta dashur, mbrojtur dhe krenuar me të kur idiotët e botës ua tallnin, si mos më zi.

Ne shqiptarët e këtushëm, jemi në shumicë të varfër, ne s’kemi ç’t'u japim. Veç pak atdhe. Veç pak mall. Por nuk ditëm t’ua japim as ato. U tallëm me djersën e tyre. I “zinim” pusi asaj në çdo hyrje aeroporti apo porti, në çdo cep rruge, kur ata kalonim me makinat e tyre me targa shtetesh të huaja, plot numra e kode të pakuptueshme. Gjatë gjithë këtyre viteve, ne nuk ditëm as të përfitonim nga ndihma e tyre bujare, duke e shpërdoruar atë teksa i “ndaluam” dhe “mbyllëm” nga padituria jonë, në “oborrin” e ngushtë familjar.

Natyrisht, duke i lënë të hapur veç një shteg, atë për në xhepat e yndyrshëm të funksionarëve të këtij shteti. Duke i bërë ata të ndihen kështu, qenia më e çuditshme në botë: të huaj në vend të huaj, të huaj në vendin e tyre.

Të huaj, gjithandej. Të “çuditshëm” gjithandej. Edhe në investimet e tyre në Shqipëri. Të vetmit investitorë të mëdhenj në ekonominë tonë që nuk masin riskun. Që nuk mendohen gjatë, për taksat pa fund që ju duhet të paguajnë, qofshin këto formale apo informale. Që nuk pyesin e flasin për infrastrukturë, për ujin që mungon, për dritat që s’ndriçojnë për rrugët e pashtruara që nuk dihet nga të “çojnë”.

Vijnë ashtu thjesht dhe investojnë “pasurinë” e gjakut të tyre, në vendin më të varfër dhe të çrregullt të Europës. E ndoshta e humbin atë, në “kacafytje” stërlodhëse me administratat tona të pamëshirshme e ikin sërish larg, me betimin për të mos u kthyer më kurrë në këtë vend. Por betimi nuk u zë dot vend. Netëve të huaja, me kokën në jastëkun e butë, ëndërrojnë sërish e sërish, rrugicat dhe portat e vjetra, aty ku u rrëzuan për herë të parë, në atë vendin e tyre që s’e shkulin dot nga zemra.

Dikush mund t’i quajë qesharakë për këtë. Por janë, pa dyshim, “qesharakët” më modernë midis nesh. Të shkolluar dhe edukuar në ambientet më të zhvilluara të botës, qoftë të punës, qoftë të dijes, ata janë ndër aksionerët më të mëdhenj të ekonomisë shqiptare. Sa të mëdhenj, aq edhe të veçantë. Të veçantë sepse janë ndoshta të vetmit aksionerë në botë që s’kanë pushtet, që s’kërkojnë pushtet. Jo se nuk e dinë. Në vendet nga vijnë, ata e kanë mësuar medoemos se askush nuk e dhuron paranë pa ditur dhe u siguruar më parë përse do të përdoret dhe si. Dhe kjo ndodh edhe me pasuritë e fituara me trashëgimi apo lotarira. “Pasuria” e tyre nuk është e tillë. Por pavarësisht nga kjo, ata vijnë dhe investojnë pa ditur aspak, se ku dhe se si. Pa kërkuar kurrë nga ne, as më të voglën e më të voglave të gjërave; të paktën të zgjedhin edhe ata bashkë me ne, “barqet” që do të na udhëheqin.

Ata janë gjithashtu, më modernët ndër ne. Ata jetojnë çdo ditë, punojnë çdo ditë, mësojnë çdo ditë përkrah njerëzve më të zhvilluar të botës, të europianëve dhe amerikanëve drejt të cilëve ne po udhëtojmë çdo ditë me “gazin”, “dajret” dhe “haretë” tona. Me ata qytetarë të botës së zhvilluar që dinë më mirë se ne se ç’është e mira dhe e keqja për një vend. Ndërkohë që ne, akoma vazhdojnë të na habisin dhe kuriozojnë, tek i shohim të ecin shpenguar në rrugët e “pashtruara” të “zhvillimit” tonë. Ata do ta modernizonin pa dyshim, më shpejt këtë vend.

Ata janë të “veçantë”, gjithashtu. Rezidentë të demokracive më të vjetra në botë, emigrantë të demokracisë së vendit të tyre. Një nga kontribuuesit më të mëdhenj të saj, të stabilitetit të saj, një nga të përjashtuarit më të heshtur gjithashtu. Prej vitesh, ata vazhdojnë, duke ndihmuar familjet e tyre dhe ekonominë tonë, të mbrojnë demokracinë shqiptare nga krizat që lindin e vijnë, nga ekonomia. E bashkë me to, indirekt edhe qeveritë e padenja shqiptare të cilat, veç paudhësive të tjera ndër vite, ndoshta më të madhen kanë atë, përjashtimin e tyre nga jeta politike e këtij vendi.

Në fakt, jemi ne shteti qesharak dhe i çuditshëm dhe bashkë me të, ne “rezidentët” e kësaj toke. Jemi në fakt ne, europianët potencialë, fajtorët e vërtetë të këtij përjashtimi sepse ndoshta, jo për fajin tonë, ndoshta për faj të varfërisë sonë, nuk ditëm kurrë të dallojmë se, vota e ardhur prej tyre, në çfarëdo lloj forme, me postë apo pëllumba si një herë e një kohë, nuk ka asnjë qindarkë vlerë me pak se miliardat e eurove që “migrojnë” drejt nesh, në ditë të bukura apo të vështira. Ne nuk ditëm kurrë të dallojmë tek ta, atë dashuri madhështore që fle në një shpirt të vetmuar, në dhe të huaj. Dhe ndërsa pyesim sërish, a do të votojnë ata kësaj radhe, nuk bëjmë gjë tjetër veçse i dënojmë akoma dhe akoma, me atë që më të shumtën e herës e meritojmë vetë plotësisht: përjashtimin.

Ata, duhet të kishin votuar qysh dje…

Vota e emigranteve, një e drejtë që duhet të bëhet realitet!

Tuesday, June 10th, 2008

Të dashur miq,
Pak ditë më parë kemi hedhur hapin e parë drejt përmbushjes së një qëllimi të rëndësishëm: T’u japim emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar!
Politikanë të ndryshëm kanë folur shpeshherë rreth kësaj cështjeje, por deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë nismë serioze për të përmbushur një premtim që politika vazhdimisht u bën rreth 1 milionë shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë.
Afërsisht një e treta e popullsisë së Shqipërisë punon dhe jeton jashtë vendit tonë, duke i dhënë një ndihmesë të vecantë familjarëve të tyre në Shqipëri, dhe duke siguruar frymëmarje financiare për ekonominë tonë.
Ka ardhur koha që këta njerëz, të afërm e bashkëqytetarë, të kenë mundësi të shprehen, të zgjedhin e të dëgjohen. Duke qënë shqiptarë, duke kontribuar për të ardhmen e Shqipërisë, emigrantët tanë që jetojnë jashtë duhet të gëzojnë edhe mundësinë për të marrë pjesë aktive në jetën politike të vendit, duke votuar sa herë në Shqipëri mbahen zgjedhje apo referendume.

Në debatin publik të organizuar mbi këtë temë, patëm kënaqësinë të dëgjonim jo vetëm ekspertë të G99, por dhe përfaqësues të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve e të shoqërisë civile. Patëm fatin të dëgjonim këshillat e sugjerimet e Presidentit Mejdani dhe Presidentit Moisiu, si dhe të disa deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Për herë të parë u prezantua një studim i hollësishëm, që parashtron disa nga alternativat për të mundësuar votën e emigrantëve nga vendi ku ata jetojnë e punojnë.
Të dashur miq,

Nisma për mundësimin e votës së emigrantëve ka nevojë edhe për mbështetjen tuaj. Kemi nevojë për idetë, këshillat, sugjerimet e vërejtjet tuaja!
Bashkë, Do t’ia dalim!