Archive for July, 2008

Të jesh pjesë e ndryshimit (Erion Veliaj)

Tuesday, July 29th, 2008

9 vjet më parë, problemet e shumta që karakterizonin dhe që fatkeqësisht ende mbajnë peng arsimin e lartë shqiptar më detyruan edhe mua, njësoj si shumë të rinj të tjerë, të zgjidhja largimin nga Shqipëria për të përfituar një shkollim më cilësor.

Gjatë pesë viteve të studimeve në Shtetet e Bashkuara, muaji korrik ishte i preferuari i vitit. Përfundimi i shkollës mundësonte kthimin në Shqipëri, për t’u ritakuar me familjen, miqtë e të njohurit. Dhe ashtu si për ju, vera kalonte shpejt e këndshëm në Shqipëri. Fundjavat në Jug të vendit, festat në Tiranë, lokalet në Bllok, ushqimi i mirë, ndjesia e të qënurit në shtëpi, gjithçka perfekte në plan të parë.

Por gjatë bisedave me të afërmit, mes njërit udhëtim në Vlorë a Dhërmi, ishte e pamundur të qëndroje indiferent ndaj asaj që shikoje, dëgjoje, ndieje. Infrastrukturë e rrënuar, natyrë e shpërfytyruar, shërbime që linin për të dëshiruar, papunësi dhe varfëri që qëndronin duarkryq në çdo qytet a fshat ku të binte rasti të kaloje. Dhe nëse do rastisje të lexoje ndonjë gazetë apo shikoje ndonjë lajm, situata ngjante edhe më dëshpëruese. Shikoje të njëjtët politikanë, që flisnin për të njëjtat gjëra, vit pas viti. Fatkeqësisht, retorika politike nuk ndryshonte, as problemet. I vetmi ndryshim dallohej tek qeveritarët, që vit pas viti trasheshin, dhe jo vetëm në përmasa.

Por çdo sfidë është në vetvete edhe një mundësi. I gjithë ky realitet, të gjitha këto arsye, ishin shtysat kryesore që së bashku me disa miq të tjerë të themelonim Lëvizjen “Mjaft!”. Gjatë pesë viteve në “Mjaft!”, nga shumica e studentëve shqiptarë që jetonim jashtë shiheshim si një grupim simpatik, modern, me të cilët ia vlente të identifikoheshe. Gjatë gjithë asaj periudhe, por edhe tani, mbështetja e shqiptarëve që jetonin jashtë vendit ishte e pakursyer. Mijëra telefonata dhe e-mail-e të cilat në vetvete përbënim një inkurajim të veçantë, pasi përmes tyre arrije të kuptoje se puna jote kishte vlerë, angazhimi linte shenjë jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë. Megjithatë, edhe pse inkurajuese, herë pas here këto mesazhe kishin efektin e kundërt dhe të linin një shije të hidhur. Sidomos kur merrje e-mail-e që të përgëzonin për punën dhe të shprehnin gatishmërinë e dërguesit për t’u kthyer në Shqipëri sapo gjërat të ndryshonin. “Urime dhe suksese, pasi bashkë me kolegët tuaj, po ia ndryshoni faqen Shqipërisë! Dhe në momentin e parë kur në Shqipëri situata të stabilizohet, ne do të kthehemi, pasi nuk ka si vendi jot”. Me pak fjalë, kurajë, luftoni të vetëm e kur beteja të ketë përfunduar, ne aty do jemi!

Unë dëshiroj të shmang pikërisht këtë logjikë, të cilën refuzoj ta pranoj. E refuzoj për faktin e thjeshtë se nëse të gjithë do të mendonin kështu, atëherë ndryshimi nuk do të ndodhte kurrë. Nëse të gjithë do të prisnim që dikush, dikur, të vinte e të ndryshonte Shqipërinë, jam i sigurt se do të prisnim pa fund. Ne jemi ndryshimi, ne jemi ata për të cilët kemi pritur kaq shumë kohë.

Studentët që koleksionojnë njohuri, vlera dhe eksperiencë të vyer jashtë vendit janë një kapital i vyer i atdheut tonë, një kapital intelektual, ende i pashfrytëzuar ashtu siç duhet. Ndaj unë dëshiroj të dëgjoj prej jush idetë tuaja, për t’i dhënë përgjigje problemeve me të cilat vendi ynë përballet prej të paktën tetëmbëdhjetë vjetësh. Dëshiroj të dëgjoj prej jush pengesat që ende ju mbajnë larg Shqipërisë dhe njëkohësisht mënyrat për t’i kapërcyer ato bashkërisht. Si mund ta lehtësonim burokracinë? Cilat mund të ishin disa incentiva që ta bënin më të lehtë rikthimin tuaj? A ekziston ndonjë mundësi për ta thjeshtëzuar ekuivalentimin e diplomave? Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga eksperiencat e shteteve të tjera, si Irlanda apo Izraeli, që rikthimin e trurit e kanë kthyer prej vitesh në prioritet? Por më shumë se gjithçka, unë dëshiroj të marr prej jush konfirmimin se besoni ende që Shqipëria jonë mund të ndryshojë, se jeni të gatshëm për të dhënë kontributin tuaj, për ta bërë këtë ndryshim real e të prekshëm, se keni vullnetin dhe dëshirën për t’u investuar në të ardhmen e vendit tonë.

Një nga qëllimet strategjike të “G99” është të sjellim më të mirët në shërbim të publikes. Dhe këtë qëllim, jam i sigurt se mund ta përmbushim bashkërisht. Mes nesh ndodhen me dhjetëra profesionistë të shkëlqyer, angazhimi i të cilëve në administratën publike do i bënte nder shtetit shqiptar. Edukimi, respekti për punën, profesionalizmi, vullneti, idealizmi dhe përkushtimi janë vlerat më të rëndësishme që i nevojiten menaxherëve të ardhshëm të Shqipërisë.

Dhe mendoni për një moment impaktin që kthimi juaj do të kishte. Mendoni pak për ndryshimin që angazhimi juaj do të provokonte. Përfytyroni një Shqipëri ku politikëbërësit janë në radhë të parë qytetarë, janë të aftë të frymëzojnë, të përgatitur intelektualisht e profesionalisht. Përfytyroni një Shqipëri në të cilin interesi parësor është ai publik e jo privat, ku të gjithë përpiqen të përmbushin një sfidë të vështirë, por jo të pamundur, në mënyrë që çdo qytetar i këtij vendi të ketë të sigurt mundësinë që përmes punës së ndershme të arrijë të jetojë i qetë e i sigurt.

Ashtu si Kennedy thoshte rreth gjysëm shekulli më parë, sot para nesh janë dy mundësi. Mund t’i vështrojmë gjërat ashtu siç janë dhe të pyesim pse, ose të ëndërrojmë për gjëra që ende nuk kanë ndodhur e të pyesim pse jo?!

Miq të dashur, ky është udhëkryqi në të cilin ndodhet sot Shqipëria. Mund të jeni indiferentë, ose mund të angazhohemi bashkërisht për të zgjedhur rrugën e duhur, me vetëdijen se kjo sfidë nuk do të jetë as e lehtë e as e shkurtër, por të lehtësuar nga fakti se pas disa vitesh mund t’u thoni fëmijëve tuaj: Unë isha aty, unë isha pjesë e ndryshimit.

*Fjala e mbajtur në dëgjesën “BRAIN-GAIN: Kthimi i elitave, një domosdoshmëri për shoqërinë shqiptare”, të organizuar nga “G99” me studentët shqiptarë që studiojnë jashtë vendit.

Konservatorët kundër votës së emigrantëve (Niko Ago)

Saturday, July 19th, 2008

Kohët e fundit, në shtypin e atdheut, në vijim të debateve politike,  vend të veçantë zë tema që ka të bëj me të drejtën ose jo të emigrantëve për të votuar . Nderkohë qe forcat politike shprehin pozicionin e tyre, në vartësi të interesit pushtetor e marrëdhënieve me elektoratin, ajo që bën përshtypje, është mënyra me përbuzje, për të mos thënë mllefi, që shprehet në shtyp, përsa i përket të drejtës që duhet të kenë emigrantët shqiptarë për të votuar si nënshtetas të Republikës së Shqipërisë. Del në pah një konservatorizëm i theksuar, një frikë e pajustifikueshme ndaj emigrantëve dhe diasporës shqiptare në përgjithësi, dhe ajo që është më shqetësuesja, paraqiten emigrantët si  një rrezik që i kanoset … mbarëvajtjes elektorale në vend! Është dekurajuese, kur gazetarë e opinionistë me përvojë , që gjithëmënyrash ndikojnë ose mundohen të arrijnë diçka të tillë, në jetën publike të atdheut, nëpërmjet organeve që kanë në zotërim apo bashkëpunojnë, lëshojnë ndaj emigrantëve shqiptarë në Perëndim, një mori epiteteshe e përkufizimesh, sikur të kemi të bëjmë me një pakicë barbare e grabitqare, kolerikë e tuberkularë, dhe jo si të jenë këta(emigrantët), gjakëdhënësit e ekonomisë shqiptare, këto  17-18 vitet e fundit. Nënvleftësimi e përbuzja që mbillet, ndaj pothuajse 1 milionë bashkatdhetarëve të ndodhur jashtë trojeve shqiptare, por që kanë lënë pas prindërit, familjet, të afërmit dhe gjithçka tjetër që i bën ata të mos ndahen kurrë ndaj atdheut dhe që, bëjnë të gjitha përpjekjet për të qenë gjithnjë e më pranë ndodhive të atjeshme, nuk mund të shpjegohet lehtë. Me syrin e dikujt që nuk ndodhet në atdhe por që natyrshëm dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje, për të vendosur edhe ai për fatet e veta, sikurse ndodh kudo në botë, ajo që lehtë dallohet, është konservatorizmi i thellë i tifozëve që janë kundër pjesmarrjes në zgjedhje të emigrantëve. Është me vend këtu të kujtojmë për kolegët që frikësohen nga vota e emigrantëve se, në SHBA, sistemin politik të së cilave e adhurojnë në kor në atdhe, vota e të ndodhurve jashtë territorit amerikan, jo vetëm është e siguruar por, përkujdesja e shtetit amerikan nënshtetasit e kudondodhur nëpër rruzull, fiton një angazhim të veçantë nga Kongresi. Po kështu për dijeni të ndokujt që nuk është i njohur me këtë fakt, shteti grek, në periudha zgjedhjesh vë në dispozicion të grekëve të diasporës së afërt evropiane, dhjetra linja avionësh, për ti sjellë ata në atdhe e për të ushtruar të drejtën legjitime të zgjedhjes e të të zgjedhurit. Në këtë prizëm, është alarmant dhe dekurajues fakti që, akoma dhe për ne që jemi larguar nga vendi vetëm pas vitit 1990, dhe që shumica dërrmuese e jona ruajnë lidhje të patronditura me atdheun, duke investuar dalëngadalë edhe ato fitime që ndokush ka mundur të ketë nga emigracioni, shpejtojnë të na mohojnë të drejtën për të shprehur vullnetin e lirë nëpërmjet votës. Në mënyrë krejt të njëanëshme dhe jo reale, konkludohet madje se, shumica e emigrantëve nuk do që të ketë lidhje me atdheun(!). Absurde si logjikë por dhe dashakeqe si tezë. Të përcaktosh , madje, diasporën si të pavlerë dhe mediokre, duke ravijëzuar mandej edhe kufijtë që ajo ka krijuar me atdheun, është fakt që të shqetëson. Thirrja për të bërë përzgjedhje të atyre shqiptarëve që duhet të votojnë, sipas vullnetit për të kontribuar ose jo në jetën politike shqiptare, tingëllon makabre, ajo ose duhet parë me nënqeshje ose duhet anashkalur krejtësisht. Dhe për të qenë akoma më të qartë ngjan si dy pika uji me politikën famëkeqe të luftës së klasave! Mirëpo, nuk përfundon këtu denigrimi që mundohet ti bëhet emigracionit tonë nga “direktivadhënësit” e holleve të hoteleve të Tiranës. Të nisur vetëm nga përvoja personale apo e njerzëve që i rrethojnë, grupëzohen shqiptarët e diasporës, dhe sidomos ata të Greqisë, duke i cilësuar si të pa kulturuar!

Mirë do të qe këtu, të bëjmë me dijeni se mes diasporës më të re shqiptare, në Perëndim përgjithësisht dhe në Greqi veçanërisht, lëvrojnë figura të spikatura dhe intelektualë me potencial shkencor të lakmueshëm, si nga atdheu nga ikën por dhe nga ai ku janë vendosur. Një pjesë e mirë e këtyre intelektualëve dhe forcave progresiste të ndodhura në Perëndim, janë të gatshëm për të kontribuar për ngritjen e nivelit intelektual të atdheut. Assesi, nuk duam këtu të besojmë se, një sulm i tillë ndaj emigracionit, fsheh në vetvete xhelozinë e mirënjohur të mediokrit. Duke qenë jashtë kufijve gjeografikë të Shqipërisë, një pjesë kaq e madhe e popullsisë, doemos që është reale mundësia të ketë në gjirin e saj elementë mediokër e të pa kulturuar. Sikurse, asnjë dyshim nuk ka se, midis asaj pjese intelektualësh që nuk mundën të emigronin pas ndryshimeve të mëdha të viteve ‘90, ose ngaqë nuk mundi ose ngaqë menjëherë u rehabilitua ekonomikisht e politikisht ndeshim, si elementë mediokër por edhe nga ata mbi mesataren. Është e pavërtetuar deri më sot, të paktën, që në kohën e ikjes së madhe nga Shqipëria, të bëhej përzgjedhja  e trurit. Askush nuk bindet se, me një mënyrë krejt magjike, jashtë mëmëdheut u larguan  më mediokrit dhe atdheu ishte me fat, pasi mbajti mëndjendriturit. Një interesim në rrugë dhe me interes të sinqertë profesional nga gazetarët ose opinionistët e gazetave në atdhe, do ti bindëte ata për këtë.  Në të gjitha shtetet ku janë vendosur shqiptarët, pas çrregullimit të përgjithshëm të 91-shit por edhe të 97-ës, në të gjitha instancat e jetës publike dhe intelektuale të shteteve ku banojnë, ata kanë mundur të integrohen tërësisht. Mund ti gjesh lehtë, si në auditoret e Universiteteve, po ashtu dhe në stacionet radiofonike e televizive më të mëdha vendase, si në shtypin qëndror, aq edhe në fushat e tjera shkencore, ku ushtrojnë me  sukses të plotë e me profesionalizëm për tu lakmuar dhe me kontribut në përmirësimin e imazhit e Shqipërisë. Janë shqiptarët e diasporës ata që bëjnë të dëgjohet tek tuk për ndonjë gjë pozitive atdheu. Kolegët që ndodhen pas, në të shumtën e rasteve, konsumohen në grindjet e pafund mes tyre e në luftën e përditshme me pushtetin e korrupsionin.

Të shprehesh kaq lehtë se duhet të votojnë ata që e meritojnë, përbën në vetvete një dallim  të ulët dhe fort poshtërues. Cili është vallë ai që do ti ndajë shqiptarët në ata që meritojnë për të votuar dhe në ata që nuk e meritojnë?!A nuk përbën kjo në vetvete, një përçarje shumë tërrezikshme?

 Ajo që është, madje, krejt shqetësuese për ne të ndodhurit në emigracion, ka të bëj me  një lloj përjashtimi nga jeta publike, që na përgatitet. Të mos njohë gjendjen e emigrantëve në shtetet fqinjë ose edhe gjetiu nëpër botë një qytetar i thjeshtë,është krejt e justifikueshme. Por kur kjo ndodh me ata që janë të angazhuar për ta informuar qytetarin nëpërmjet gazetave që zotërojnë, tingëllon absurde dhe është e pafalshme. Po si vallë, mund ti mohohet e drejta një shqiptari që jeton në Greqi, për të votuar, me justifikimin krejt banal të gjoja “mospjesmarrjes në jetën politike të vendit” kur ky, edhe në shtetin ku jeton, nuk e ka të drejtën e votimit?!  Me të vërtetë, vota është instrument i qytetarit për të përcaktuar se kush do ta qeverisë por, kjo, nuk është ekskluzivitet i atij qytetari që ndodh të ketë vetëm një shtëpi banimi dhe të përjashtohet ai që, ka ikur nga vendi për të siguruar për veten  dhe për familjen, të ardhura më të mira. Po kështu, një tjetër tezë që mbështetet tek ideja se , emigrantët të mirëpritur janë për të votuar por duhet të paguajnë taksat, nuk ka sesi të mos na sjellë në mendje vetvetiu pyetjen ndaj artikullshkruesve, nëse dhe ata janë taksapagues të rregullt.  Një informacion nga Banka e Shqipërisë, do ti bënte me dijeni për të ardhurat që i vijnë shtetit shqiptar nga emigracioni. Nuk mund të marr me mend, nëse një ditë të gjithë emigrantët vendosnin të mos nisnin më në atdhe të holla, çfarë kishte për të ndodhur me ekonominë vendase. Përsa i përket justifikimit se, gjoja emigrantët nuk janë të informuar për ngjarjet në atdhe, kjo është krejt e pabazë. Nuk jemi më në periudhën e viteve 80-90. Informacioni është i gjithanshëm dhe i larmishëm. Sigurisht që vihen në dijeni me të gjitha hollësitë për gjithçka ndodh në atdhe dhe sigurisht që u shtrëngohet zemra kur ndeshen me të tilla zëra që kërkojnë  tju ngulitin  akoma më tepër idenë se, në atdhe, i shohin vetëm si një send me leverdi, dhe paralel, si një rrezik që i kanoset rehatit të fituar prej disave. Fatmirësisht, edhe pse forcat tradicionale politike janë të lëkundura në një hap të tillë, forca të reja progresiste, sikurse ndodh me G99, e kanë prioritet të tyre politik pjesmarrjen e emigrantëve, pra të të gjithë shqiptarëve në të vërtetë, në procesin e zgjedhjeve. Është makabre të pajtohesh me zëra që bëjnë thirrje për mënjanimin nga zgjedhjet një pjese kaq të madhe të shqiptarëve. Le të shpresojmë se këta përbëjnë një minorancë që, herët a vonë, kanë për të kuptuar shërbimin jo të mirë që i sjellin shqiptarizmit, duke hedhur e mbrojtur të tilla teza të cekëta dhe shqetësuese.

Niko Ago

(gazetar, Athine)

Vota e emigrantëve, borxhi i pashlyer! (Genci Kojdheli)

Friday, July 18th, 2008

Në tre muajt e fundit Lëvizja G99 ka ndërmarrë disa aksione ndërgjegjësuese dhe ka prezantuar një platformë të mirëstrukturuar për të mundësuar votën e shqiptarëve jashtë atdheut. Ndërsa në përgjithësi propozimi i G99 është mirëpritur dhe në parim është mbështetur nga shumë përfaqësues të spektrit politik dhe shoqërisë civile, ashtu siç pritej kanë dalë edhe disa zëra kundër këtij tij. Kundërshtimi i propozimit të G99 është bërë si në nivelin parimor ashtu edhe në atë praktik. Një prej kundërshtive e lidh panevojshmërinë e votës së emigrantëve me faktin se emigrantët votues nuk do të përfitonin/pësonin prej qeverisjes për të cilën do të hidhnin votat. Pa dashur të zgjatem së tepërmi tek argumenti i pakundërshtueshëm që Kushtetuta e Shqipërisë shprehimisht dhe paevitueshmërisht e lejon votën e shtetasve shqiptarë pavarësisht se vendndodhjes së tyre gjeografike, ky argument kundër është lehtësisht i shpërfillshëm kur konsiderojmë që pjesa dërrmuese e emigrantëve votues janë rezidentë në Greqi e Itali; afria gjeografike i mundëson atyre kthimin frekuent në Shqipëri dhe përballjen, si për mirë ashtu dhe për keq, me performancën e pushtetit për të cilin ata do të votonin. Një tjetër kundërshti tenton, në mënyrë shumë simpliciste po aspak bindëse, që të lidhë të drejtën për të votuar me pagesën e taksave, ashtu siç inicialisht është aplikuar e drejta e votës në monarkitë europiane në shek. 16 e 17 apo duke iu referuar parimit amerikan të aplikimit të taksave veç në rastin kur ka përfaqësim politik. Por faktet janë disi kokëforta; ndonëse nuk paguajnë taksa direkte, emigrantët çdo vit furnizojnë ekonominë shqiptare me dërgesat pa të cilat sistemi ynë ekonomik do të dështonte menjëherë; veç në vitin 2007 emigrantët kanë injektuar në ekonominë shqiptare rreth 1 miliard dollarë, gati 14% të Produktit të Brendshëm Bruto dhe rreth 3 herë më tepër se Investimet e Huaja Direkte. Me të tillë kontribut financiar në mbarëvajtjen social-ekonomike të vendit emigrantëve nuk mund tu mohohet, qoftë edhe në mënyrë retorike, e drejta për të shprehur mendimin e tyre mbi qeverinë që menaxhon milionat që ata dërgojnë çdo vit. Për të vazhduar debatin mbi parimin amerikan ‘jo taksim pa përfaqësim politik’, jo domosdoshmërisht është i vlefshëm varianti i kundërt i këtij parimi, pra ‘jo përfaqësim politik pa taksim’. Qindra e mijëra shqiptarë kanë të drejtë të votojnë pavarësisht faktit se nuk paguajnë taksa, duke përfshirë këtu para e tetraplegjikët, invalidët e punës, pjesën më të madhe të popullsisë rurale apo edhe të burgosurit në institucionet korrektuese. Do ishte anormale që një i burgosur përjetë të ketë të drejtën për të votuar pavarësisht se s’ka për të paguar kurrë taksa, dhe një emigranti që dërgon para çdo muaj për familjen e vetë, blen troje e shtëpi apo investon kursimet e jetës në Shqipëri ti mohohet kjo e drejtë.

Një tjetër kundërshti e lidh (mos)votimin e emigrantëve me (pa)aftësinë e tyre për të qenë të mirëinformuar për platformat, kandidatët dhe partitë pjesëmarrëse në procesin elektoral, duke spekuluar mbi faktin se emigrantët shqiptarë do të binin viktima të ‘…marketingut politik, fasadave fallso, përpunimit të mediave, imazhit pa përmbajtje apo retorikës boshe’, a thua se këtë fat të kobshëm për tu mashtruar nga diskursi politik e paskan veç emigrantët që janë larg vendit. Edhe shqiptarët më fatlumë me shtëpi tek Blloku në mes të Tiranës apo ata më fatëzinj me shtëpi në Gërdec e Poliçan kanë rënë viktimë e marketingut politik, fasadave falso e retorikave boshe që kanë folur për ‘duart e pastra, antikorrupsionin, qeverinë në dietë, legalizimin dhe reformën e tokës, 6.000 km rrugë rurale, ujë e drita 24 orë) e të tjera premtime inflacioniste të një partie (e më pas qeverie) e cila shumë shpejt ja doli mbanë të zhgënjente edhe dishepujt e mbështetësit e saj më të flaktë…! Kastat politike në Shqipëri (dhe jo vetëm) tipikisht mashtrojnë e manipulojnë elektoratet, por ky s’është argument për të mohuar të drejtën e votës. Në kuadër të këtij argumenti nuk duhet gjithashtu të anashkalojmë faktin se emigrantët jetojnë në vende teknologjikisht e mediatikisht më të avancuara se Shqipëria. Aksesi dhe informimi i emigrantëve për jetën politike të vendit përmes medias së shkruar, internetit apo edhe kanaleve satelitore shqiptare është idealisht i barabartë (në mos disa herë më i madh) me atë të banorëve të fshatrave më të thella të Shqipërisë ku gazetat nuk shkojnë kurrë e ku interneti s’ka se si të njihet. Por këtyre banorëve ruralë nuk mund tu mohohet vota thjesht sepse janë të painformuar apo mediatikisht të manipulueshëm. I njëjti argument vlen edhe për emigrantët kudo që ata ndodhen.

Pavarësisht vështirësive teknike që sigurisht janë të shumta, rrezikut potencial për manipunime, apo problemeve konceptuale mbi vlerën e shtuar të votës së emigrantëve në hartën zgjedhore shqiptare, G99 e bazon iniciativën e vetë mbi faktin e pamohueshëm se emigrantët kanë kushtetueshmërisht të drejtën që të votojnë. Shoqëria shqiptare i detyrohet shumë mundit e djersës së mijëra emigrantëve që prej vitesh kontribuojnë në mbarëvajtjen social-ekonomike të vendit, dhe garantimi i kësaj të drejte do të ish minimumi i shpërblimit për këtë borxh të pashlyer. Vota e emigrantëve është një standart tanimë i arrirë e aplikuar suksesshëm në rajon (Kroacia e Sllovenia) apo edhe nëpër botë (përfshirë disa vende disi të prapambetura në Afrikë). G99 beson se aplikimi i këtij standarti në Shqipëri është pjesë e frymës së politikëbërjes që nuk stepet përpara vështirësive teknike apo artificave dialektike për të garantuar një të drejtë kushtetuese të cilën emigrantët shqiptarë do ta meritonin gjithësesi!

Në vend të replikës. Përgjigje për një kundërshtim të papjekur. (Maklen Misha)

Friday, July 18th, 2008

Natyrisht që, si çdo çështje tjetër e rëndësishme që po diskutohet së fundi në politikën shqiptare, edhe nisma e Lëvizjes G99 për garantimin e votës së jashtme ka ngjallur mjaft reagime e debate. Një gjë kjo më se normale dhe që në fund të fundit është në interesin si të promotorëve, ashtu dhe të kundërshtarëve të kësaj nisme, pasi vetëm duke shqyrtuar me kujdes të gjitha anët e këtij problemi mund të arrihet në një vendim të drejtë e të mirinformuar. Për fat të keq, sipas një tradite tashmë tipike shqiptare, debati në ndonjë rast ka degjeneruar në thumba ndaj Lëvizjes G99 si promotore e kësaj nisme, ose në kundërshtime thjesht për hir të kundërshtimit. Një shembull tipik i këtij fenomeni ishte shkrimi i djeshëm i Adri Nurellarit në “Shqip”, i cili paraqiste mjaft probleme, si nga ana e argumenteve që ofroheshin për të kundërshtuar votën e jashtme, ashtu edhe nga qasja ndaj subjektit, duke shkelur shpesh me të dyja këmbët disa nga parimet themelore të një debati akademik.

Së pari, më duhet të them se argumentet parimore që z. Nurellari sjell kundër votës së jashtme janë tejet të thjeshtuara e manikeiste. Për shembull, ideja e lidhjes mes pagesës së taksave dhe së drejtës së përfaqësimit me anë të votës mund të shërbejë si një temë mjaft interesante për diskutime të gjata filozofike e teorike, por ka fare pak lidhje me realitetin shqiptar. Edhe po të pretendojmë për një çast se 1 milion e kusur emigrantët shqiptarë nuk japin kurrfarë kontributi ekonomik për Shqipërinë, mjafton të përmendet fakti se sot një pjesë shumë e madhe e shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Shqipërisë e në radhë të parë ata që banojnë në fshat, nuk paguajnë asnjë lloj takse për të arritur në përfundimin se mospagesa e taksave nuk mund të shërbejë për t‘iu mohuar vetëm shtetasve shqiptarë që kanë emigruar të drejtën e votës. Po ashtu, edhe argumenti i nevojës së mirinformimit të votuesve apo i mundësisë së manipulimit të tyre nga media apo retorika e propaganda e formacioneve të caktuara politike është tejet i dobët. Një shqiptar që jeton sot në Itali, Greqi, Gjermani apo Angli jo vetëm që ka akses më të madh në mediat e informimit se një bashkatdhetari i tij në një fshat të humbur, le të themi të Pukës, Skraparit apo Kukësit, por ajo që është më e rëndësishme, këta njerëz nuk bëhen as viktima të bombardimeve të përditshme propagandistike të Televizionit Publik Shqiptar, (i cili për fat të keq vazhdon të jetë burimi i vetëm i informacionit për një përqindje mjaft të lartë të popullsisë shqiptare), apo të presioneve gjithfarësh që ushtrojnë militantët dhe zyrtarët e partive shqiptare mbi elektoratin e tyre. Por, në fakt, nuk është fare nevoja që t‘u jepet përgjigje një nga një të gjitha argumenteve parimore të këtij shkrimi, pasi ato nuk kanë fare lidhje me propozimin e G99. Ndryshe nga ç‘shkruan z. Nurellari, këtu nuk bëhet fjalë për t‘u njohur emigrantëve shqiptarë të drejtën e votës, pasi këtë të drejtë ata e gëzojnë dhe ua ka njohur gjithnjë Kushtetuta e Shqipërisë. Bëhet fjalë thjesht e vetëm për t‘u mundësuar atyre ushtrimin e kësaj të drejte. Dhe për sa kohë nuk do të ketë një ndryshim kushtetues që t‘ua mohojë të drejtën e votës, shteti shqiptar ka detyrimin të bëjë gjithçka për të realizuar votën e jashtme. Kaq!

Por sikur kundërshtimet të mbeteshin këtu, gjithçka do të kishte qenë e pranueshme, sado që autorit i shpëton thelbi i problemit. Problemi më i madh me shkrimin në fjalë haset tek argumentet praktike kundër votës së jashtme. Z. Nurellari bën këtu një gabim që do të bënte t‘i skuqej faqja çdo akademiku: ai komenton e kundërshton një propozim që duket qartë se as ka marrë mundimin ta lexojë! Dhe në këtë rast debati detyrimisht mbetet shterpë, me njërin që i bie gozhdës e tjetri patkoit.

Problemi i parë praktik që përmendet është ai i listave të votuesve të jashtëm. G99 është e ndërgjegjshme për këtë problem dhe prandaj e ka ndërtuar të gjithë propozimin e saj mbi premisën se Shqipëria, ashtu siç është zotuar qeveria “Berisha”, do të ketë së shpejti një Regjistër Themeltar të dixhitalizuar. Për më tepër, G99 është shprehur qartë se pa këtë regjistër vota e jashtme është e pamundur. Së dyti, problemi që rrjedh nga mungesa e listave të sakta për shtetasit shqiptarë jashtë atdheut zgjidhet me anë të parimit të vetëdeklarimit, pra të gjithë shtetasit që dëshirojnë të votojnë si votues të jashtëm duhet të shprehin interesin e tyre, duke kaluar pastaj nëpër procedura mjaft të detajuara regjistrimi. Së treti, G99 ka propozuar votimin me postë - përmes një shërbimi postar special - pikërisht për të shmangur përfshirjen e Postës Shqiptare dhe të misioneve diplomatike, të cilat, siç e dimë, mund të kthehen rëndom në bastione të kujtdo partie që vjen në pushtet. Së katërti, një ndër avantazhet e votimit me postë, sipas propozimit të G99, është se shmang nevojën për një përfshirje në proces të vendeve pritëse, duke e kthyer të gjithë procesin në një komunikim të drejtpërdrejtë mes shtetit shqiptar (pra të institucionit që administron procesin e votimit) dhe votuesve të jashtëm. Dhe sa për standardet e ndershmërisë që na garantoka ligji shqiptar brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që s‘aplikohen dot gjetkë, kjo duket më tepër si një shaka pa vend se sa si një shqetësim real.

Kemi pastaj dhe argumentin e manipulimit të votës nga Greqia, i cili më tepër se një argument real, duket si një përpjekje e dëshpëruar e populiste për të ndaluar këtë nismë, duke i bërë thirrje mosbesimit historik që kanë shqiptarët ndaj fqinjit të tyre jugor. Por edhe ky argument është aq i dobët sa s‘ke nga ta kapësh. Në radhë të parë ai paragjykon ata qindra mijëra shqiptarë që jetojnë në Greqi, duke i parë ata si, as më shumë e as më pak se një tufë bagëtish pa integritet e karakter, nën hyqmin e shtetit grek apo të qarqeve antishqiptare. Eksperienca ka treguar se Greqia ka autobusë të mjaftueshëm për të nisur për në Shqipëri ditën e zgjedhjeve të gjithë kontingjentin e shqiptarëve që mbështesin axhendat e mundshme pro-greke në Shqipëri dhe rrjedhimisht, të vetmit që përjashtohen nga votimi janë ata emigrantë që nuk kanë pranuar të kthehen në vegla të politikave të tilla. Për të mos folur pastaj për faktin që Greqia nuk është as Bashkimi Sovjetik i Stalinit e as Zimbabve, që të mund të arrijë të kontrollojë votën e dhjetëra apo qindra mijëra shqiptarëve, apo për faktin që edhe procesi i votimit me postë mund të monitorohet nga OSBE apo IOM, siç ka ndodhur dhe në rastin e Kosovës apo Bosnje-Hercegovinës.

Dhe së fundmi, duhet folur edhe për parimin tjetër të debatit akademik që ka shkelur z. Nurellari; natyrisht, si gjithkush tjetër, edhe ai ka të drejtën ta kundërshtojë këtë nismë për sa kohë arrin të paraqesë argumente që provojnë mangësitë apo dobësitë e saj. Një gjë të tillë e kishte bërë për shembull z. Mero Baze, i cili, po dje, në një editorial, artikulonte disa shqetësime të drejta që lidhen me implementimin e votës së jashtme. Por është e papranueshme që debati, në vend që të adresojë thjesht nismën e problematikën, të hedhë thumba e të bëjë aludime ndaj promotorit të saj. Siç është po ashtu e papranueshme përbuzja dhe cinizmi prej njeriu dinshum që për arsye që veç ai i di, i njeh vetes të drejtën të paragjykojë, pa dhënë kurrfarë shpjegimi, integritetin dhe motivet që e kanë shtyrë G99 - dhe mjaft aktorë të tjerë politikë në Shqipëri - të promovojnë garantimin e së drejtës kushtetuese të votës për bashkatdhetarët tanë që jetojnë e punojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Një gjë e tillë është ndoshta e pritshme nga një gazetë partiake, por jo në një debat akademik.

Perse braktiset Shqiperia (Adri Nurellari)

Wednesday, July 9th, 2008

Nisma e përfolur shpesh, por së fundmi e promovuar bindshëm prej G99, për të pajisur emigrantët me mundësinë për të votuar, çon në qendër të vëmendjes një çështje shumë delikate e problematike që ka hedhur rrënjë prej kohësh në Shqipëri, por që shumicën e kohës është e eklipsuar nga rutina politike. Braktisja e Shqipërisë nga qytetarët e saj. Qeveritë e ndryshme që kanë ardhur e ikur nga ndërtesa përbri bulevardit “Dëshmorët e Kombit” e kanë parë emigracionin masiv të shqiptarëve si një leverdi të vazhdueshme dhe jo si një fatkeqësi apo manifestim të drejtpërdrejtë të dështimit të tyre. Emigracioni ilegal nuk është luftuar asnjëherë seriozisht në Shqipëri përveçse në situatën kur imigracioni u vendos në krye të rendit të ditës së debateve të brendshme politike të vendeve anëtare të BE-së, të cilat më pas bënë që BE-ja të ushtronte presion te vendet dërguese për të blinduar kufijtë e tyre. Nga një anë, remitancat e vazhdueshme të emigrantëve kanë qenë për vite me radhë mbështetja kryesore e ekonomisë, duke mbuluar në një farë mënyre dështimin ekonomik dhe paaftësinë e qeverive shqiptare për të shfrytëzuar optimalisht burimet materiale dhe njerëzore brenda vendit e duke bërë njerëzit si të vetmin eksport domethënës të Republikës së Shqipërisë. Nga ana tjetër, emigrantët mund të hamendësohen si individë me aspirata, pretendime, iniciativë e këmbëngulje duke pasur parasysh se çfarë telashesh heqin për të udhëtuar (në më të shumtën e rasteve ilegalisht) gjetur punë e jetuar në vendet pritëse. Emigracioni si proces ka shërbyer si një valvul sigurese që ka shfryrë jashtë Shqipërisë një segment aktiv të shoqërisë shqiptare që nëse do të ngelej në atdhe do të kishte rritur shumë numrin e papunësisë e do të kishte shërbyer si një detonator social pakënaqësie e revoltimi.

Asnjë qeveri nuk e ka parë çështjen e emigracionit shqiptar me alarmizëm edhe pse pas Salvadorit ne kemi përmasat më të larta të emigracionit në botë për frymë. Faktin që vendlindja nuk është më e ngrohtë dhe e ëmbël për shqiptarët duhet të nxiste një ndjesi paniku e përgjegjësie shume vite më parë. Përflitet se rreth 700 000 shqiptarë aplikojnë për lotarinë amerikane e 300 000 për kartat greke, ndërkohë që nuk mund të numërohen shqiptarët e tjerë që do të donin të arratiseshin nga vendlindja e që shohin te futja në BE, vetëm një trampolinë për t‘u larguar nga vendi pa pasur nevojën e vizës. Madje, ajo që është më e turpshmja është se shteti shqiptar jo vetëm që është i dorëzuar ndaj kësaj situate, por është edhe “palë në krim” në një farë mënyre. Rasti tipik e qesharak i kësaj përlyerjeje është aplikimi për lotarinë amerikane për kartën e gjelbër (Greencard). Posta shqiptare e paguar nga taksapaguesit shqiptarë, në periudhën e aplikimeve ofron një sportel enkas dhe shërbimin e ndihmës në mbushjen sa më të përshtatshme dhe të personalizuar të formularëve përkatës, në këmbim të pagesës. Madje edhe kur vijnë përgjigjet pozitive të aplikantëve të përzgjedhur, Posta Shqiptare sërish ofron një shërbim të posaçëm shpërndarjeje dhe njoftimi duke vendosur në ambientet e saja shpalljet e emrave të fituesve e madje duke ua përcjellë këto informacione edhe shtypit të përditshëm.

Këtu nuk është thjesht çështje ekonomike e sociale, problemi është që një numër në rritje e shtetasve shqiptarë nuk mendojnë se do të bëhet Shqipëria, nuk shohin me optimizëm të ardhmen e tyre në vendlindje dhe ç‘është më e keqja, nuk ndihen rehat me identitetin shqiptar. Dhe këtu nuk bëhet fjalë thjesht për emigrantët shqiptarë në Greqi që ndryshojnë emër e fe për t‘iu përshtatur sa më mirë ksenofobisë së këtij vendi, as për faktin që një pjesë dërrmuese e emigrantëve tanë po e shohin emigracionin si një zgjidhje permanente e jo më të përkohshme, por për faktin që një pjesë e mirë e emigrantëve shqiptarë nuk u mësojnë fëmijëve shqip. Kjo gjë nuk ka ndodhur ende me fëmijët e emigrantëve shqiptarë të ish-Jugosllavisë, por ndodh gjithnjë e më masivisht me fëmijët e emigrantëve të Republikës së Shqipërisë.

Kjo arratisje nga identiteti kombëtar nuk ka të bëjë thjesht me diasporën, por edhe me banorët autoktonë të trojeve etnike shqiptare. Viktimat e para të asimilimit kanë qenë shqiptarët ortodoksë të ish-Jugosllavisë, të cilët brenda pak dekadash pas konferencës së Londrës janë shndërruar në sllavë të zellshëm, e sot vështirë se gjen ndonjë të vetëm në qytete si Manastiri apo Ohri ku dikur gëlonin. Aq pak frymëzuese është Tirana dhe Shqipëria sa edhe çamët ortodoksë që i shpëtuan shkëmbimit të popullsisë me Turqinë të vitit 1923 dhe masakrave të Zervës, nuk denjojnë ta quajnë veten shqiptarë edhe pse ende flasin rrjedhshëm shqip. E njëjta gjë mund të thuhet për arvanitasit e Atikës, Peloponezit dhe ishujve të Egjeut, të cilët aq shumë i përçmojnë shqiptarët sa nuk duan kurrsesi të kenë lidhje me Shqipërinë e sotshme. Një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe me arbëreshët e Italisë për të cilët të kesh të bësh me shqiptarët nuk është më aq e hijshme tani që pas rënies së murit të Berlinit edhe Shqipërisë i doli nami i keq. Identiteti kombëtar shqiptar nuk është joshës as për shumë kinse qytetarë të vjetër të qyteteve të vjetra si Tetova a Prizreni ku këta parapëlqejnë ta quajnë veten turq duke folur në fakt, osmanishten zyrtare që ushtronin dikur kur ishin hyzmeqarë të Portës së Lartë. Po kështu, himarjotët e banorët nga zona përreth edhe pse këndojnë këngë polifonike preferojnë të flasin greqishten që përdorej nga detarët e Mesdheut si gjuhë komunikimi në kohën e Perandorisë Osmane.

Edhe po ta hedhësh vështrimin diku tjetër në hartën e trojeve të banuara nga shqiptarët sheh të njëjtin problem. Të zhgënjyer nga elita politike shqiptare vendase dhe aspak të tërhequr nga imazhi i Shqipërisë, shqiptarët e Maqedonisë gjithnjë e më tepër po jepen pas identitetit fetar, duke dorëzuar identitetin kombëtar. Një proces ky i ndodhur më herët me shqiptarët e Sanxhakut dhe që është duke u përfunduar në këto momente edhe në Plavë e Guci. Tanimë shqiptarët në këtë zonë ku ka luftuar Ali Pashë Gucia janë minoritet, pasi shumica e ish-shqiptarëve, janë shndërruar në muslimanac apo boshnjakë e madje edhe stërnipat e Jakup Ferrit flasin sot serbisht. E njëjta prirje mund të vihet re edhe në brigjet e Bunës ku katolikët e Shtojit gjithnjë e më dendur marrin e japin me malazezët e kanë filluar t‘i quajnë fëmijët Jovan dhe Pavël në vend që t‘i quajnë Gjon e Pal.

Për të kuptuar këtë papërgjegjshmëri për imazhin e Shqipërisë mjafton të shikohet sesi përfaqësohet republika jonë nga politikanët tanë të të dyja palëve. Politikanët opozitarë shqiptarë shkojnë jashtë e vjellin vrer për kundërshtarin e vet politik, sterrosin realitetin shqiptar jashtë vendit duke dashur të lënë që të kuptohet prej partnerëve të huaj, se këta janë pika e kthesës e për rrjedhojë meritojnë mbështetje ndërkombëtare. Shpesh këtë taktikë të përbaltjes së Shqipërisë e përdorin edhe qeveritarët e papërgjegjshëm shqiptarë, të cilët duke mos pasur arritje domethënëse për të cilat të mburren portretizojnë një realitet të zymtë shqiptar për të thënë se duke parë sa e ulëtpikënisja ku e morën ata pushtetin ajo që ata kanë bërë deri tani është shumë. Ose hiperbolizojnë tërë tërsëllim kriminalitetin apo korrupsionin vetëm e vetëm për të treguar që mosrealizimet e tyre kanë të bëjnë me rrethanat e këqija kushtëzuese ku dergjet e ngrata Shqipëri e jo me paaftësinë apo mungesën e vullnetit të qeverisë.

Për këtë arsye, debati i nisur për votat emigrantëve, nuk duhet të kufizohet vetëm te një simptomë, por të kapë problemin, pse janë duke e braktisur shqiptarët Shqipërinë. Pse ka kaq imazh të keq Shqipëria dhe a mund të ndryshohet imazhi i vendit tonë e të kthehet besimi për një të ardhme të lumtur në vendin tonë? Pse nuk ndihen rehat shqiptarët me emrin shqiptar? Tek-tuk shikohet ndonjë rreze shprese si për shembull ndonjë deklaratë e guximshme nga ekzekutivi për të drejtat e shqiptarëve, ndërtimi i rrugës Durrës-Morinë apo difuzioni kulturor shqiptar i çmuar që realizohet nëpërmjet platformës “DigitAlb”. Megjithatë, kjo është shumë më pak nga ç‘pritet prej Tiranës, e cila duhej të shërbente si lokomotivë zhvillimi, pikë graviteti, parzmore sigurie e simbol krenarie për të gjithë shqiptarët, kudo që banojnë. Nëse kjo arrati nga Shqipëria nuk bëhet një çështje që të shqetësojë të gjitha palët politike e nëse nuk krijohet një frymë bashkëpunimi ndërpartiak lidhur me përmirësimin e imazhit të Shqipërisë dhe forcimit të identitetit kombëtar, situata ka për t‘u përshkallëzuar keq. Do kemi gjithnjë e më shumë qytetarë jo besnikë të Shqipërisë, gjithnjë e më pak interes e përkujdesje për fatet e vendit, gjithmonë e më shumë shqipfolës, gjithnjë e më pak shqiptarë. Fjala shqiptar do të rrezikojë të shndërrohet në një koncept gjeografik ose term filologjik.

Emigrantët, “aksionerë pa pushtet” (Igli Totozani)

Wednesday, July 9th, 2008

Më së fundi, vota e emigrantëve “doli” nga kutia e errët. Natyrisht, jo nga ndonjë kuti votimi, por nga kutia e heshtjes, në të cilën ne e kemi “mbyllur” dhe “dyllosur” si s’ka më mirë, në të gjithë këto vite. Duke i rezervuar asaj dhe atyre një tjetër fat të “çuditshëm” edhe në këtë çështje të rëndësishme politike dhe shoqërore, sikurse është vota.

Natyrisht, gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit, vota e tyre nuk mundi të vidhej, nuk u manipulua për të zgjedhur dhe vendosur, dhe kjo për faktin e thjeshtë; kjo e drejtë nuk u njihej atyre, paçka se janë një e treta e popullsisë së këtij vendi. Paçka se ata kanë qenë pranë nesh përgjatë gjithë këtyre viteve, duke mbushur me djersën e tyre “kutitë” e vjetra të kursimeve të nënave tona. Por edhe të shtetit tonë.

Dhe kurrë nuk kursyen për ne. Kurrë s’ditën të kërkonin asgjë nga familja dhe vendi i tyre. Veç një Shqipëri më të mirë, më të drejtë, më të bukur, për ta dashur, mbrojtur dhe krenuar me të kur idiotët e botës ua tallnin, si mos më zi.

Ne shqiptarët e këtushëm, jemi në shumicë të varfër, ne s’kemi ç’t'u japim. Veç pak atdhe. Veç pak mall. Por nuk ditëm t’ua japim as ato. U tallëm me djersën e tyre. I “zinim” pusi asaj në çdo hyrje aeroporti apo porti, në çdo cep rruge, kur ata kalonim me makinat e tyre me targa shtetesh të huaja, plot numra e kode të pakuptueshme. Gjatë gjithë këtyre viteve, ne nuk ditëm as të përfitonim nga ndihma e tyre bujare, duke e shpërdoruar atë teksa i “ndaluam” dhe “mbyllëm” nga padituria jonë, në “oborrin” e ngushtë familjar.

Natyrisht, duke i lënë të hapur veç një shteg, atë për në xhepat e yndyrshëm të funksionarëve të këtij shteti. Duke i bërë ata të ndihen kështu, qenia më e çuditshme në botë: të huaj në vend të huaj, të huaj në vendin e tyre.

Të huaj, gjithandej. Të “çuditshëm” gjithandej. Edhe në investimet e tyre në Shqipëri. Të vetmit investitorë të mëdhenj në ekonominë tonë që nuk masin riskun. Që nuk mendohen gjatë, për taksat pa fund që ju duhet të paguajnë, qofshin këto formale apo informale. Që nuk pyesin e flasin për infrastrukturë, për ujin që mungon, për dritat që s’ndriçojnë për rrugët e pashtruara që nuk dihet nga të “çojnë”.

Vijnë ashtu thjesht dhe investojnë “pasurinë” e gjakut të tyre, në vendin më të varfër dhe të çrregullt të Europës. E ndoshta e humbin atë, në “kacafytje” stërlodhëse me administratat tona të pamëshirshme e ikin sërish larg, me betimin për të mos u kthyer më kurrë në këtë vend. Por betimi nuk u zë dot vend. Netëve të huaja, me kokën në jastëkun e butë, ëndërrojnë sërish e sërish, rrugicat dhe portat e vjetra, aty ku u rrëzuan për herë të parë, në atë vendin e tyre që s’e shkulin dot nga zemra.

Dikush mund t’i quajë qesharakë për këtë. Por janë, pa dyshim, “qesharakët” më modernë midis nesh. Të shkolluar dhe edukuar në ambientet më të zhvilluara të botës, qoftë të punës, qoftë të dijes, ata janë ndër aksionerët më të mëdhenj të ekonomisë shqiptare. Sa të mëdhenj, aq edhe të veçantë. Të veçantë sepse janë ndoshta të vetmit aksionerë në botë që s’kanë pushtet, që s’kërkojnë pushtet. Jo se nuk e dinë. Në vendet nga vijnë, ata e kanë mësuar medoemos se askush nuk e dhuron paranë pa ditur dhe u siguruar më parë përse do të përdoret dhe si. Dhe kjo ndodh edhe me pasuritë e fituara me trashëgimi apo lotarira. “Pasuria” e tyre nuk është e tillë. Por pavarësisht nga kjo, ata vijnë dhe investojnë pa ditur aspak, se ku dhe se si. Pa kërkuar kurrë nga ne, as më të voglën e më të voglave të gjërave; të paktën të zgjedhin edhe ata bashkë me ne, “barqet” që do të na udhëheqin.

Ata janë gjithashtu, më modernët ndër ne. Ata jetojnë çdo ditë, punojnë çdo ditë, mësojnë çdo ditë përkrah njerëzve më të zhvilluar të botës, të europianëve dhe amerikanëve drejt të cilëve ne po udhëtojmë çdo ditë me “gazin”, “dajret” dhe “haretë” tona. Me ata qytetarë të botës së zhvilluar që dinë më mirë se ne se ç’është e mira dhe e keqja për një vend. Ndërkohë që ne, akoma vazhdojnë të na habisin dhe kuriozojnë, tek i shohim të ecin shpenguar në rrugët e “pashtruara” të “zhvillimit” tonë. Ata do ta modernizonin pa dyshim, më shpejt këtë vend.

Ata janë të “veçantë”, gjithashtu. Rezidentë të demokracive më të vjetra në botë, emigrantë të demokracisë së vendit të tyre. Një nga kontribuuesit më të mëdhenj të saj, të stabilitetit të saj, një nga të përjashtuarit më të heshtur gjithashtu. Prej vitesh, ata vazhdojnë, duke ndihmuar familjet e tyre dhe ekonominë tonë, të mbrojnë demokracinë shqiptare nga krizat që lindin e vijnë, nga ekonomia. E bashkë me to, indirekt edhe qeveritë e padenja shqiptare të cilat, veç paudhësive të tjera ndër vite, ndoshta më të madhen kanë atë, përjashtimin e tyre nga jeta politike e këtij vendi.

Në fakt, jemi ne shteti qesharak dhe i çuditshëm dhe bashkë me të, ne “rezidentët” e kësaj toke. Jemi në fakt ne, europianët potencialë, fajtorët e vërtetë të këtij përjashtimi sepse ndoshta, jo për fajin tonë, ndoshta për faj të varfërisë sonë, nuk ditëm kurrë të dallojmë se, vota e ardhur prej tyre, në çfarëdo lloj forme, me postë apo pëllumba si një herë e një kohë, nuk ka asnjë qindarkë vlerë me pak se miliardat e eurove që “migrojnë” drejt nesh, në ditë të bukura apo të vështira. Ne nuk ditëm kurrë të dallojmë tek ta, atë dashuri madhështore që fle në një shpirt të vetmuar, në dhe të huaj. Dhe ndërsa pyesim sërish, a do të votojnë ata kësaj radhe, nuk bëjmë gjë tjetër veçse i dënojmë akoma dhe akoma, me atë që më të shumtën e herës e meritojmë vetë plotësisht: përjashtimin.

Ata, duhet të kishin votuar qysh dje…