Moratorium për… paaftësinë (Genci Kojdheli)
Friday, August 22nd, 2008“Meqë kemi rritje të numrit të njerëzve që vuajnë nga SIDA, pse të mos bëjmë një moratorium që të ndalojë seksin për tre vjet”!Me një ironi të hollë, dy vjet më parë analisti Baton Haxhiu ridikulizoi idenë ‘gjeniale’ të qeverisë shqiptare për të ndaluar mjetet e motorizuara të lundrimit me qëllimin për të zvogëluar trafikimin e qenieve njerëzore apo lëndëve narkotike drejt Europës.
Pavarësisht shkeljes flagrante të Kushtetutës dhe lirisë themelore të shqiptarëve për të pasur në pronësi mjete motorike lundruese (që çuditërisht nuk i ndalohej të huajve) dhe pamundësisë faktike për të vlerësuar efektivitetin e moratoriumit, mazhoranca nuk hezitoi të kalonte këtë masa ekstreme, duke anashkaluar totalisht debatin publik, e sidomos ankimet e operatorëve turistikë në zonat bregdetare, të cilëve u hiqej e drejta për të ofruar shërbime aq tipike për turizmin bregdetar.
Ndërkaq, nuk ishte për t’u çuditur që përfaqësues të EU-së, apo disa shteteve të cilët kanë qenë destinatarë të migracionit të paligjshëm përmes Shqipërisë, nxituan të lavdëronin veprimin e qeverisë shqiptare. Sa kohë që ishte qeveria shqiptare që fuste duart në zjarr për të nxjerrë gështenjat e nxehta të paaftësisë (si nga ana shqiptare, ashtu dhe nga ana e vendeve destinatare) për të ruajtur kufijtë bregdetarë, moratoriumi u pa si një lëvizje e suksesshme, ndonëse dhunonte pa asnjë logjikë të drejtën legjitime të çdo shqiptari për të pasur mjete lundrimi.
Kryeministri nuk hezitoi të justifikonte jokushtetueshmërinë e moratoriumit me premtimin e kancelarive europiane se ‘sakrifica’ e shqiptarëve do të shpërblehej me liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Me shpresën se moratoriumi do shërbente si ‘mjet pazari’ mes Shqipërisë dhe BE-së për liberalizimin e vizave, pavarësisht një morie kundërshtish nga opinioni mediatik dhe organizatat e të drejtave të njeriut, mazhoranca e miratoi masën ekstreme pa një pa dy.
Moratoriumi u bë efektiv, por në dy vjetët që pasuan rastet e trafikut me mjete motorike, ndonëse u pakësuan, nuk ndaluan (para një viti një skafist shqiptar nuk hezitoi të përplasej me armë me autoritetet bregdetare greke, ndërsa të paktën dy gomone plot me hashash u zbuluan në Karaburun apo në rrethinat e Vlorës), e ndërkaq trafikantët dinakë shqiptarë nxituan t’i regjistronin skafet në emër të bashkëpunëtorëve të tyre italianë apo grekë dhe vazhduan punën rehat. Paaftësia e policisë shqiptare për të mos ruajtur vijën bregdetare u replikua edhe për zbatimin e moratoriumit, dhe nëpër gjithë vijën bregdetare shikoheshin mjete motorike (të gjitha të jashtëligjshme), ndërsa policia mbyllte një apo të dy sytë.
Ndërkaq, pas gati tre vjetësh, ministri Nishani del dhe thotë se “Policia bregdetare nuk ka mjetet e duhura për të siguruar vijën bregdetare dhe shtyrja e moratoriumit të ndalimit të skafeve do të ishte zgjidhja më e mirë për këtë situatë”. Arsyetimi i ministrit fut ujë nga të gjitha anët. Policia shqiptare në vitet e fundit dukshëm ka dështuar edhe në parandalimin apo uljen e numrit të aksidenteve në rrugë (shumica e shqiptarëve që vdesin çdo vit e humbin jetën në aksidente automobilistike)! A mos ndoshta kemi nevojë dhe për një moratorium për ngjarjen e veturave private!??
Sipas (a)logjikës së mazhorancës, me një moratorium për makinat private sigurisht që nuk do të kishim aksidente nëpër rrugët e vendit! Le të qarkullojnë shqiptarët vetëm me furgonë, autobusë, dhe trena! Me atë rast, edhe ambientin e ndotim më pak! Banalizimi i argumentit është i nevojshëm për të nxjerrë në pah se sa pa sens është retorika justifikuese e qeverisë për moratoriumin e mjeteve motorike lundruese.
Sidoqoftë, thjesht për hir të argumentit përfundimtar, po e marrim të mirëqenë faktin që moratoriumi ka qenë efektiv dhe e ka ndaluar/reduktuar trafikun. Po Shqipëria e shqiptarët ç’kanë përfituar prej moratoriumit? Marrëveshja me BE-në për ‘lehtësimin’ e vizave drejt vendeve të Bashkimit Europian rezultoi totalisht e dështuar. Radhët nëpër dyert e ambasadave vazhdojnë të ngelen kilometrike; shqiptarët shpenzojnë rreth 18 milionë euro çdo vit duke legalizuar e përkthyer vandakët e ftesave, dokumenteve, certifikatave, e garancive bankare për kërkesa vizash, shumica e të cilave refuzohen, ndërsa paratë sigurisht që nuk kthehen.
Aplikantët shqiptarë në rastin më të mirë përcillen me mirësjellje (edhe kur janë punonjës të administratës shtetërore apo intelektualë, gazetarë, artistë apo biznesmenë) apo në rastin më të keq trajtohen harbutçe duke u përplasur dokumentet në fytyrë. Vetë komisioneri evropian, Franco Frattini, pohoi disa kohë më parë se marrëveshja nuk ishte zbatuar në mënyrë flagrante prej shërbimeve konsullore të BE-së. Me sa duket, pasi morën ç’deshën përmes zbatimit të moratoriumit, vendet e BE-së harruan se dhe ata që kishin një detyrim për të shpërblyer veprimin e qeverisë shqiptare dhe sakrificën e qytetarëve shqiptarë.
Kryeministri Berisha dhe qeveria që ai drejton duhet të japin një arsye shumë të mirë se përse po kërkojnë t’u mohojnë shqiptarëve edhe për tre vjet të tjera të drejtën kushtetuese për të pasur në pronësi mjete motorike lundruese, kur ky moratorium ka arritur vetëm të mohojë efektivisht të drejtën e operatorëve turistikë për të ofruar shërbime turistike përmes lundrimit. Nëse kjo qeveri nuk ka mundësi të sigurojë bregdetin shqiptar, le të japë dorëheqjen për paaftësi, ose, nëse synon të zbatojë një moratorium të palogjikshëm e të paligjshëm, në mënyrë dinjitoze por të vendosur t’i kërkojë partnerëve europianë që t’i qëndrojnë besnikë pjesës së tyre të marrëveshjes! Përndryshe, gjithë shqiptarët duhet të dalin e të kërkojnë një moratorium që të ndalojë qeverisjen nga njerëz të paaftë!