Qeveri për t‘i hequr vizën (Genci Kojdheli)
Friday, January 9th, 2009Evropianët anembanë kontinentit të vjetër u “ndjenë amerikanë” pas sulmeve të Al Qaeda-s mbi Kullat Binjake, dhe ky solidarizim u rrit edhe më pas atentateve në Spanjë, Gjermani, Angli e Francë. Të prekur në një prej të drejtave të tyre themelore, qytetarët e unionit nxituan të shtrëngonin radhët kundër kërcënimit të terrorizmit. Kam kohë që lutem e shpresoj që një ditë fati të bëjë që qytetarëve evropianë t‘iu limitohet një tjetër e drejtë që ata e konsiderojnë të shenjtë e të mirëqenë; ajo e lëvizjes së lirë. Shpresoj me gjithë shpirt, sepse veç kështu mendoj se një evropian, të paktën një herë në jetë, do të ndihet shqiptar, maqedonas apo serb! Vetëm kështu një qytetar i unionit të bazuar mbi parime e vlera të vjetra sa bota do ta kuptonte se sa poshtërues e dehumanizues është segregacioni që evropianët i bëjnë quasi-evropianëve përmes murit Schengen, radhëve përbuzëse nëpër ambasada, kërkesave idiote e sjelljeve harbute të administratave konsullore, dhe gjithë politikave diskriminuesve që BE-ja ndjek për lëvizjen e lirë. Por nuk do zgjatem në retorikë përsëritëse mbi ngurtësinë e regjimit të vizave apo harbutërinë e konsullatave dhe ambasadave; këto tema janë tanimë gjerësisht të trajtuara.
Në janar 2008, qeveria shqiptare krenarisht na shkundi përpara syve të porsafirmosurën Marrëveshje të Lehtësimit të Vizave mes BE-së dhe Shqipërisë e disa vendeve të tjera të rajonit. Pasi e lexuam dhe filluam ta përtypnim (ndërsa Kryeministri e qeveria s‘linte rast pa e valëvitur), shumë morën frymë të lehtësuar, duke shpresuar se më në fund shqiptarët do paraqisnin më pak dokumente, do merrnin më shumë viza, me më pak para, e brenda një kohe më të shkurtër. Disa të tjerë (skeptikë e realistë) tundën kokën në mosbesim, duke thënë se marrëveshja do ngelej një listë dëshirash e bukurshkruar. Sot, pas 1 viti, skeptikët dhe realistët mund të thonë me plot gojën se kishin të drejtë! Marrëveshja e firmosur mes BE-së dhe Shqipërisë, Bosnjës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, sipas një studimi monitorues të ndërmarrë nga organizata European Citizen Action Service, ka dështuar thuajse tërësisht, dhe pavarësisht detyrimeve automatike që lindin prej nënshkrimit, shumë vende anëtare e kanë injoruar haptazi apo fshehtazi. Mes shqiptarëve të cilëve viza u është refuzuar gjatë vitit 2008 qëndrojnë profesor Ylli Popa (të cilin konsullata italiane e pyeti ‘nëse do të flinte poshtë urës?‘), futbollistë të kombëtares, apo edhe personel nga Ministria e Brendshme apo ajo e Punëve të Jashtme (kjo e fundit është vërtet e trishtueshme). Edhe brenda dështimit të marrëveshjes, Shqipëria është ajo që ka vuajtur më tepër, pasi statistikisht aplikantët shqiptarë kanë marrë më pak viza se qytetarët e vendeve të tjera.
Si anti-Shengenist i thekur e radikal, nuk denjoj të arsyetoj se përse kjo marrëveshje (që ishte gjithsesi tepër e njëanshme për t‘u quajtur e tillë) dështoi nga ana e vendeve të BE-së. Ndërkaq, qeveria kurrizdalë prej përkuljeve servile, nuk guxon ta përmendë marrëveshjen apo t‘i kërkojë Brukselit të marrë përsipër përgjegjësitë që burojnë prej saj. Po kjo qeveri vazhdon të na premtojë një liberalizim hipotetik të vizave brenda vitit 2009, a thua se kjo varet nga dëshirat e Kryeministrit apo buzëqeshjet e ministrit të Jashtëm. Është tërësisht dekurajuese të shohësh përfaqësuesit e vendit tonë, të kompleksuar e pa shtyllë kurrizore, teksa lajkatojnë BE-në, dhe nuk kanë as aftësinë më të vogël imponuese apo negociuese, grimcën më të vogël të përgjegjshmërisë patriotike dhe kapacitetin politik për të mbrojtur të drejtat e shtetasve që përfaqësojnë, sidomos për një çështje kaq sensitive si lëvizja e lirë. Në vend që të shqetësohej për situatën në rripin e Gazës (deklarata e Shqipërisë do thënë që u dëgjua anembanë botës!?!), ministri ynë i Jashtëm duhet të kishte reaguar zyrtarisht e ashpër lidhur me mosrespektimin e marrëveshjes, ashtu siç BE-ja nuk ngurron të na tërheqë veshët sa herë që nuk përmbushim standardet mbi të cilat kemi rënë dakord. Politikanët e diplomatët shqiptarë duhet të kuptojnë se procesi i integrimit s‘është aspak një thes mëshire prej të cilit ne e të tjerë si ne mund të marrin një grusht zahire sa herë që i teket Brukselit, por një mori marrëveshjesh, kontratash e konventash, ku secila palë ka detyrime dhe të drejta. Nëse Shqipëria ka mbi 10 vjet që bën përparime në menaxhimin e kufijve tokësorë e detarë, dhe në luftën ndaj krimit të organizuar e trafikimit, ashtu siç autoritetet evropiane kanë udhëzuar e kërkuar, është më se normale që në shkëmbim qytetarët shqiptarë të përfitojnë më tepër viza dhe një trajtim më dinjitoz nga administratat konsullore të BE-së. Evropa nuk do të na marrë kurrë seriozisht dhe sigurisht nuk do të na ofrojë ndonjë gjë vullnetarisht, sa kohë që politikanët tanë të kompleksuar nuk janë të aftë as të mbrojnë kauza për të cilat kanë nënshkruar marrëveshje, dhe një ministër i Jashtëm që akuzohet për vjedhje e abuzime qindramilioneuroshe vështirë se mund t‘i largojë komplekset e inferioritetit!