Archive for March, 2009

Antagonizmi ndaj të rinjve në politikë - Blend Salaj

Thursday, March 26th, 2009

Përballja e të rinjve të forcave politike në studion e “Opinion”, në fillim të javës, shkaktoi një furtunë mediatike që, sinqerisht, e kam të vështirë t’ia atribuoj asaj që ndodhi në atë 90-minutësh televiziv. Vërtet që të rinjtë nuk arritën ta shfrytëzonin atë shans për t’u prezantuar denjësisht, ama cinizmi që pasoi në shkrimet që nxinë faqet e gazetave, në ditët që pasuan, m’u duk dyfish i mërzitshëm. Qofsha i gabuar, por komentet depersonalizuese që u lëshuan kundër atyre të gjashtëve në studion e TV “Klan”, më krijuan përshtypjen se mezi paskëshim pritur që këta të rinjtë të gabonin dikur. Dhe, zellin për t’i objektivizuar në të tillë mënyrë, nuk arrij ta përligj me pritshmëritë e larta që paskëshim patur për ta, në qoftë kështu, linçimi që vijoi ishte forma më e mizore e kritikës dashamirëse.
Ky debat që u hap mbi prurjet e reja në politikë, nuk u përket vetëm atyre të gjashtëve, dhe po ta vini re, edhe qesëndia që vijoi, nuk u drejtohej vetëm atyre si individë, por gjithë brezit që ata (jo domosdoshmërisht) përfaqësojnë. Viktima të sulmit mediatik mbi rininë, nuk ishin vetëm ata që, fatkeqësisht, ranë në kurthin e zellit për të asgjësuar rivalët, por të gjithë të rinjtë. Mesazhi që dërgohej nëpërmjet shtypit, në ditët pas debatit televiziv, ishte pak a shumë ky: “Ju të rinjtë në politikë, bëni mirë të dilni prej saj, dhe ju jashtë politikës, as mos e çoni ndërmend të hyni. Ky është sporti i “të rriturve”, i “të mëdhenjve”.
Nuk kam për qëllim aspak të mbroj mangësitë komunikuese që u shfaqën atë natë në ekran, sido që, për hir të së vërtetës, duhet të them se dyshoj fort që shkaktarët e vërtetë të këtij sherri ishin porositë me sms, që duhet t’u kenë mbërritur në celularë nga shefat e vjetër, të cilët i instrumentalizojnë rioshët në mënyrë të hapur. Zgavrimi i personaliteteve të tyre, për t’i mbushur pastaj dëng si specat në tavë me lojën e vjetër politike, më duket gjella më e pashijshme që mund t’i ofrohet publikut. Në këtë këndvështrim, mendoj se duke u përqendruar tek shija e keqe që na la ky debat mes të rinjsh, harrojmë (ndoshta me dashje) se kuzhinierët e saj ishin mjeshtrit e vjetër.
Sa nga ne vërtet besojnë se të rinjtë e politikës do të lejoheshin në ndonjë mënyrë të ishin vetvetja, në një transmetim direkt në televizion? A nuk duket më e arsyeshme të mendojmë se fjalët që u shkëmbyen në studio atë natë, ishin porositur me kujdes nga “të rriturit” që i dërguan? Si moshatar i tyre, kjo është ajo që më shqetëson mbi gjithçka: Diskreditimi publik i të rinjve me vullnet politik dhe ngushtimi deri në mbyllje të plotë i hapësirave, për ata që tentojnë të garojnë, duke u ngritur një kurth të llogaritur mirë, për t’i bërë qesharakë në sytë e opinionit.
Dërgimi i të rinjve përballë njëri-tjetrit, për t’u kafshuar si qentë, nuk i shërben aspak zgjidhjes së shqetësimeve dhe problemeve të rinisë, të cilët u pëlqen apo jo pleqve, janë shumica e popullsisë shqiptare (dhe faleminderit zotit për këtë). Diskreditimi i tyre, vreri dhe qesëndia e çdo forme, është e pritshme prej atyre që dëshirojnë ta drejtojnë këtë vend deri në varr (apo dhe përtej). Zhgënjyes është fakti që, në vend që të ndajnë me të rinjtë diçka nga eksperienca e tyre, të vjetrit i përdorin këta si buratinë të teatrit absurd të të cilit, nga aktorë, ngadalë po kthehen në suflerë.
Në fund, ky zell për t’i masakruar mediatikisht vajzat dhe djemtë e debatit të famshëm, më duket i keqdrejtuar. Fajtorët, sipas meje janë të vjetrit, mjeshtrit që tërheqin fijet. Ideja që të rinjtë nuk janë gati për t’u marrë me politikë, më duket fatale, e mbrapshtë dhe e manipuluar për llogari të xhaketave të vjetra. Studentët e dhjetorit ‘90-të, ishin akoma më të rinj nga ata që debatuan në televizion, por me naivitetin e çartur të moshës, përmbysën diktaturën më të egër në Europë. Njësoj si atëherë, edhe sot, ky vend ka nevojë për të rinjtë e vet, të cilët nuk mund ta kalojnë moshën më energjike në gjumë, të përjashtuar nga vendimmarrja mbi të ardhmen, e cila u përket.
Ajo që na duhet të gjithëve, është që antagonizmin skeptik ndaj të rinjve, ta zëvendësojmë me bashkëpunim dashamirës dhe të natyrshëm mes brezave. Se, në fund të fundit, siç thoshte dikur Bobby Kennedy, rinia nuk është thjeshtë moshë, por gjendje mendore, vullnet i fortë, cilësi imagjinate, ngadhënjim i kurajës mbi turpin dhe i oreksit për aventurë mbi dëshirën për rehati. E, me gjithë gabimet që do të dinë t’i ndreqin, ata të gjashtë në televizion, me siguri i kanë këto cilësi, vetëm se më parë u duhet të kuptojnë se rivalë nuk kanë njëri-tjetrin, përkundrazi.