Archive for June, 2009

Përse do të mbahet mend kryetarja e parë femër e Kuvendit shqiptar M. Misha

Monday, June 8th, 2009
Përse do të mbahet mend kryetarja e parë femër e Kuvendit shqiptar
Maklen Misha

Mes sloganeve elektorale që po pushtojnë dalëngadalë arenën publike shqiptare në këtë kohë fushate, ka një slogan, i cili dallon nga gjithë të tjerët: I ♥ MAMI. Normalisht funksioni i çdo slogani elektoral është që të përçojë tek elektorati një mesazh, pra atë çfarë përfaqëson partia apo politikani, ose më së paku atë çfarë politikani apo partia do që elektorati të besojë për të. Kështu, e djathta tenton të bindë publikun se Shqipëria tanimë është në ndryshim e sipër, e majta që ndryshimi ende duhet të fillojë, e kështu me radhë. Po çfarë po përpiqet vallë të na thotë zonja kryetare e kuvendit me sloganin e saj me mamin? Sepse, për të qenë të sinqertë, gjëja e fundit që të shkon ndërmend kur sheh apo dëgjon zonjën Topalli në jetën e saj publike është…I ♥ MAMI.

Në fakt, në rastin e zonjës Topalli, një slogan i tillë ka edhe më pak kuptim sesa një I ♥ BABI në mitingjet e Sali Berishës. Është e vërtetë që zonja kryetare gjatë këtyre viteve në krye të parlamentit shqiptar është përpjekur të projektojë imazhin e një politikaneje ndryshe, e një politikaneje të cilën s’e zë gjumi natën nga shqetësimi për dhunën në familje, për vendin e grave në shoqërinë shqiptare, për faktin se fëmijët shqiptarë duhet të rriten në një ambient pa dhunë, etj, etj, etj. E keqja është se, sado që të kërkosh, nuk gjen asgjë tek figura dhe sjellja publike e zonjës Topalli që të na provojë se të gjitha këto fjalë të bukura janë ndonjë gjë më tepër sesa një përpjekje cinike për të fituar pikë me elektoratin me anë të një apeli ndaj vlerave të familjes, të drejtave të grave dhe përkushtimit ndaj fëmijëve.

Në fund të fundit, ç’tregon për përkushtimin e zonjës Topalli ndaj fëmijëve dhe grave fakti që ajo detyron me qindra fëmijë e gra shqiptare të mbushin me pahir radhët e mitingjeve të saj? Si do të ndihej vallë kjo zonjë, e cila na u shqetësoka kaq shumë për të drejtat e fëmijëve e grave shqiptare, sikur nesër një mazhorancë e re të detyronte fëmijët e saj të mbushin sallat e mitingjeve elektorale? Ç’tregojnë për përkushtimin e zonjës Topalli ndaj luftës kundër dhunës në familje e shoqëri, gjuha patetike, arrogante dhe e dhunshme – me plumba ballit, e kapje për zhelesh - shpotitë mediokre e romuzet bajate, që përdor kjo zonjë në prononcimet e saj publike? Në fakt, zonja kryetare e kuvendit me shfaqjet e saj të panumërta mund të na ketë përçuar shumë mesazhe e shumë imazhe, por asgjë që të mund të shërbejë si një model për gratë e nënat shqiptare e aq më pak për fëmijët e këtij vendi. Përkundrazi! Dhe kur ke krijuar për veten një imazh të tillë me punët e qëndrimet konkrete, është disi e vështirë, në mos e pamundur, që një ditë të bukur të gdhihesh dhe të shpresosh se ke për t’i mbushur mendjen njeriu me një I ♥ MAMI të kopjuar nga një fushatë në Amerikë. Në fund të fundit, nuk besoj të jenë të shumtë ata fëmijë shqiptarë që sot ëndërrojnë një mama që deklaron se po të kishte pasur mundësinë do u kishte plasur kundërshtarëve të saj nga një plumb ballit!

Por, tashmë që kësaj legjislature i ka ardhur fundi, mund t’i lejojmë vetes të bëjmë edhe një rezyme të punës së zonjës Topalli, si kryetarja e parë femër e Kuvendit të Shqipërisë. Fatkeqësisht, duhet thënë se ajo ka qenë një dështim po aq i madh, edhe në këtë rol të sajin institucional. Është vërtet e trishtueshme të mendosh, që edhe pse zonjës Topalli iu dha një mundësi reale, që përmes këtij posti të kontribuonte në promovimin e grave shqiptare në politikë, me agresivitetin, militantizmin, dhe arrogancën që e kanë karakterizuar ajo në njëfarë mënyre ka diskretituar kauzën e përfshirjes së grave në politikë. Kemi parë gjatë këtyre katër vjetëve një kryetare Kuvendi që është luhatur sa mes llastimeve të një princeshe mbi bizele, aq mes elegancës dhe sofistikimit të një brigadiereje nga ato të qëmotit, por kurrë një politikane që ashtu siç ia kërkon pozicioni dhe detyra të arrijë të ngrihet mbi palët, të bëhet, siç premtoi në fjalimin e saj inaugurues, një avokate e opozitës. Seanca e fundit parlamentare, heqja e së drejtës së fjalës opozitës, dhe shpërthimi banal i zonjës kryetare për “parlamentin e NATOS, parlamentin e MSA, parlamentin e OSBE” s’ishin gjë tjetër veç prova finale – nëse ende duhej një provë e tillë – se sa patetik ka qenë drejtimi që i ka bërë ajo kuvendit. Dhe duhet thënë se zonjës Topalli nuk do i ishte dashur të shkonte më larg se në Italinë fqinje për të parë një model dinjitoz të drejtimit të parlamentit, qoftë nga komunisti Bertinoti, qoftë nga një djathtist i thekur si Fini, të cilët pavarësisht bindjeve politike, në rolin e tyre institucional kanë shmangur çdo shfaqje militantizmi partiak. Por, sado të indinjuar që mund të ndihemi nga shfaqjet dhe sjelljet patetike që na ka dhuruar pa teklif kjo zonjë gjatë këtyre katër viteve, mund të gjejmë ngushëllim tek një fakt: tek gjykimi që i ka rezervuar asaj publiku shqiptar. Sepse pavarësisht sesi e sheh veten zonja Topalli, ajo nuk do të mbahet mend as për NATO, as për MSA, as si firmëtare e deklaratës së pavarësisë, dhe as si kryetarja e kuvendit që desh hëngri dru nga Ilir Meta. Ajo do të mbahet mend thjesht e vetëm si politikania që futi në diskursin publik shqiptar fjalën ‘zhele’, dhe shprehjen aq elokuente ‘kapeni për zhelesh’. Kaq

Punë për të terë ere…Genci Kojdheli

Monday, June 8th, 2009

Punë për të terë ere…

Genci Kojdheli
Revista MAPO, http://revistamapo.com/index.php?faqe=detail&kat=Forum&id=1803&PHPSESSID=87e65a9c051eea2f13e7c72f47b86bb5

Si anëtar i bordit ekzekutiv të G99 por dhe si kandidat për zgjedhjet e ardhshme, po e nis këtë shkrim duke thënë, biles, duke premtuar solemnisht se G99 do të hapë 200 mijë vende pune për shqiptarët pas 28 Qershorit! Po or po, plot 200 mijë vende pune! Kështu shkoi ky muhabet! U hap thesi or miq, dhe premtimet ndjekin njëra tjetrën e hyjnë e dalin nga veshët e shqiptarëve pa shumë teklif! Ja për shembull, me një guxim disi të tepruar LSI po i premton shqiptarëve hapjen e 100 mijë vendeve pune, paçka se sot zgjedhësit nuk presin që kjo forcë minoritare e opozitës të marrë në dorë qeverinë e të drejtojë vendin, duke pasur kështu mundësinë reale për të përmbushur këtë premtim! Gjithësesi, e pranueshme si strategji për një parti opozitare!

E sfiduar nga ky premtim elektoral në vetvete irrealist por prapë tejet tundues, qeveria (e cila ka qënë plot 4 vjetë në pushtet, me që ra fjala), pa i bërë syri tërr del e premton se do të hapë 160 mijë vende punë; 60 mijë prej të cilëve do hapen vetëm nëpër 104 hidrocentrale!!?? Sa për informacion për lexuesin kurioz, shteti shqiptar punëson sot 167 mijë individë, ndërsa mazhoranca aktuale po premton, ashtu në tym, pa specifikuar ku, si, me ç’potenciale njerëzore e me cilat kapacitete të tregut, se do të punësojë po kaq shqiptarë në vende të reja pune!

Çuditem fort! U kujtuan politikanët shqiptarë që të flasin punësimin masiv, të qëndrueshëm e qindramijësh, vetëm një muaj përpara zgjedhjeve! Ndërkaq shqiptarët, përmes sondazheve e komunikimeve mediatike, kanë vite që ulërasin e bërtasin për t’i treguar qeverisë e klasës politike se halli i tyre më i madh ka qënë tërë kohën papunësia! Klasa politike e më specifikisht qeveria (ose le të themi më mirë, qeveritë) vazhdimisht kanë manipuluar metodën dhe mënyrën statistikore për matjen e shkallës së papunësisë, që zyrtarisht është vetëm 12%, e megjithatë, ky problem deri më tani inekzistent papritmas bëhet lajtmotiv i fushatës elektorale.

Premtimet mastodontike elektorale, irrealiste e totalisht të parealizueshme, janë bërë tanimë pjesë normale e retorikës së politikës anadollake, oportuniste e mashtruese në Shqipëri, dhe rrjedhimisht thyerja e vazhdueshme e këtyre premtimeve ka sjellë si pasojë një erozion të besimit të elektoratit tek politika e politikanët, e ka ulur dhe pritshmëritë për aftësinë e sidomos për paaftësinë e premtimdhënësve premtimmosmbajtës. Shqiptarët (gati 50% e tyre, sipas statistikave zgjedhore) janë bërë cinikë e apatikë ndaj politikës, ndërsa zhgënjimi pandemik e mospjesëmarrja në zgjedhje ka shpënë ujë vetëm në mullirin e atyre që e përdorin apatinë elektorale si një shans për të arritur më lehtë qëllimet e tyre pushtetkërkuese. Ndërsa problemet që na e bëjnë jetën ferr prej vitesh – papunësia ngërthyese, varfëria e skamja ekstreme, krimi e pasiguria e ditëpërditshme, shëndetësia që po jep shpirt, arsimi çalaman, ndotja flagrante e ambjentit, ajrit dhe ujit, e shumë të tjera – na kanë rrethuar vazhdimisht në këto 18 vite tranzicion, rituali i harresës për 47 muajt jofushatorë dhe hapjes së thesit të premtimeve në muajin para zgjedhjeve vazhdon të praktikohet haptazi e paturpsisht. A nuk ishin shqiptarët po kaq të papunë një vit më parë! A nuk do t’i bënin mirë ekonomisë së vendit këto qindra mijëra vende pune nëse do të hapeshin përpara se fushata të vinte? Sigurisht që po! Fatkeqësisht, një vit më parë nuk kishim zgjedhje, dhe politika ishtë shumë e zënë duke sharë e shpifur, akuzuar e sulmuar, prishur e bllokuar! Por tani thesi është hapur, dhe o burra kush të premtojë më shumë se diçka ka për të ngelur! Eshtë vërtetë e trishtë të shohësh se si politikanë të papërgjegjshëm presin që shqiptarët natyrshëm të mbyllin sy e veshë, të harrojnë ç’kanë parë e dëgjuar deri më tani e të pranojnë çdo premtim elektoral!

Tek meditoja për këto premtime kaq të vonuara, inflacioniste, të pambajtshme e mashtruese, mu kujtua ajo loja me gënjeshtra që e luajmë shpesh me letra kur jemi në plazh! Letrat janë me kurriz e dot s’i shohim se ç’janë, e kur lojtarët janë të aftë (të gënjejnë, domosdo) letrat fillojnë e bëhen kapicë, e kush shton më tepër i afrohet fitores! Një Derr nga unë, dy Derra nga komshiu, edhe një Derr nga ky tjetri, edhe tre Derra të tjerë nga lojtari i rradhës, e kështu derrat bëhen mullar e vetëm ata që s’gënjejnë dalin të fundit në lojë! Prandaj s’kam turp kur premtoj guximplotë e i paturp, besimfort e sypatrembbur, se 200 mijë vendet e punës G99 i ka tanimë gati, dhe jam gati t’i shtoj edhe ca mijëra në tjerë (se mos do më monitorojë njeri!!!), në varësi të reagimeve të lojtarëve gënjeshtarë që mund të përpiqen në mënyrë të befasishme e të papritur që të rrisin ofertën! Me pak fjalë: Punë për të terë ere…!