Duke besuar në ekonominë e tregut, ne vlerësojmë se kjo ekonomi nuk siguron mbrojtje shoqërore për të gjithë. Ne njohim dhe vlerësojmë rolin e shtetit si garantues të minimumit jetik për të gjithë dhe mbështetemi tek koncepti i të drejtave ekonomike dhe shoqërore si pjesë e të drejtave të njeriut. Thelbi i qasjes sonë në fushën e mbrojtjes shoqërore është krijimi i kushteve për fuqizimin e individëve në nevojë, në mënyrë që ata të bëhen të përgjegjshëm dhe protagonistë të përmirësimit të situatës së tyre dhe të integrimit të tyre të barabartë në shoqëri. Solidariteti, krijimi i mundësive të barabarta, kohezioni shoqëror dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë shtyllat që udhëheqin përpjekjet tona për të mundësuar politika dhe praktika efektive dhe përparimtare të mbrojtjes shoqërore në Shqipëri, sipas modeleve më të mira evropiane në këtë fushë.