Duke besuar se ekonomia e tregut, është një sistem ku prodhimi dhe shpërndarja e te mirave dhe shërbimeve kryhet nëpërmjet mekanizmave që vënë në lëvizje, vendimarrjen, konkurrencën dhe çmimet, ne besojmë tek liria e tregut. Por ne besojmë se ambicia njerëzore dhe përkujdesja publike bashkëjetojnë, ku dora e fshehtë e tregut dhe dora e dukshme e shtetit mund te komplementojnë dhe jo pengojnë njëra tjetrën.
Do të punojmë për t'i dhënë ekonomisë shqiptare një vizion strategjik të qartë të zhvillimit të potencialeve produktive vendase që të synojnë konsumin e brendshëm dhe eksportet. Në synojmë një set ndërhyrjesh strukturore dhe fiskale që të synojnë rritjen e avantazheve krahasuese të produkteve vendase në këto tregje. Gjallërimi i këtyre kapaciteteve prodhuese dhe eksportuese do të mundësojë edhe lehtësimin e bilancit tregtar deficitar si dhe thithjen e investimeve të huaja. Për këtë të fundit, është domosdoshmëri përmirësimi i imazhit të vendit dhe ngritja e një klime të favorshme biznesi e cila shkon përtej incentivimit fiskal.