Qëllimi ynë është të japim një kontribut thelbësor në ndërtimin dhe funksionimin e një sistemi ligjor të drejtë, duke i dhënë mundësinë atij të funksionojë si një pushtet i pavarur ashtu siç e përcakton edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë; një sistem me vlera i pastruar nga elementet korruptivë; duke i kthyer dinjitetin trupës gjyqesore dhe elementeve të tjerë përbërës; duke synuar në ndërtimin dhe në rritjen e besimit të shtetasve dhe të enteve të tjera sipërmarrës apo të shoqërisë civile.
Duam të kontribuojmë në ndërtimin e një sistemi të paanshëm dhe të pashfrytëzuar nga politika për interesa të ngushta, për hir të debatit shterpë të ditës; një sistem i bazuar mbi pavarësinë në vendimarrje dhe që në princip të vet ka mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të individëve dhe të subjeteve të tjera juridike në Republikën e Shqipërisë. Duke besuar që reformë në drejtesi nuk është thjesht një rokade emrash dhe funksionesh, por një përqasje proaktive ndaj nevojave dhe fenomeneve që janë zhvilluar me ritme të shpejta në këto 18 vjet, ne do të japim kontributin tonë me sugjerime konkrete dhe zgjidhje të qënësishme për t'a bërë sistemin e drejtësisë një garantor të zhvillimit ekonomik dhe ruajtjës së ekuilibrave ligjorë dhe socialë, aq të domosdoshëm për mirëqenie dhe një stabilitet të qëndrueshëm.