Ne besojmë tek Shqipëria! Besojmë se është e bekuar, dhe pse e aksidentuar përkohësisht nga politikanë të papërgjegjshëm. Ne besojmë tek historia e kombit tonë dhe kapacitetet e njerëzve tanë. Ne besojmë se e ardhmja e vendit i përket te rinjve dhe ata duhet të kenë rolin kryesor në formëzimin e saj. Ne besojmë se nje organizim njerëzish të talentuar, të shkolluar e idealistë duhet, mundet dhe do t'a ndryshojë historinë e vendit te vet.
Shqipëria që duam
Për problemet me të cilat përballemi nuk ka një kurë magjike. Ndaj nuk do të premtojmë kurrë atë që nuk arrihet, por gjithmonë do të bëjmë atë që premtojmë. Premtimet tona mund të jenë të kufizuara, por synojnë normalitetin dhe janë të arritshme. Ne drejtohemi nga vlerat që përfaqësojmë: integriteti, transparenca, profesionalizmi dhe ndjenja e solidaritetit. Ne besojmë tek drejtësia dhe shanset e barabarta. Ne duam një Shqipëri plot energji, të ripërtërirë, të gatshme për t'u përballur me sfida të reja të një ekonomie gjithmonë e më globale. Ne kërkojmë zhvillim dhe drejtësi.
Vizioni ynë është i qartë: Një Shqipëri më e mirë është e mundur!
Plani ynë është i thjeshtë: Sot! Bashkë! Me kurajo civile! Ne do t'a ndryshojmë Shqipërinë e agonisë 20 vjecare!