G99 propozon skeme kompensimi per familjet e permbytura, kerkon doreheqjen e Priftit dhe ben thirrje per hetim
G99 i kërkoi sot qeverisë që të kompensojë në këto ditë të vështira të gjitha familjet e prekura nga përmbytjet duke propozuar si skemë kompensimi një ndihmë standart prej 10 milion lekësh, kompensimin me 250 mijë lekë për cdo metër katror ndërtim si dhe kompensimin e plotë për të mbjellat dhe gjënë e gjallë.
G99 i kërkoi sot qeverisë që të kompensojë në këto ditë të vështira të gjitha familjet e prekura nga përmbytjet duke propozuar si skemë kompensimi një ndihmë standart prej 10 milion lekësh, kompensimin me 250 mijë lekë për cdo metër katror ndërtim si dhe kompensimin e plotë për të mbjellat dhe gjënë e gjallë.
Këtë kërkesë e bëri publike sot kreu i G99 Erion Veliaj, i cili kërkoi gjatë një konference për shtyp edhe dorëheqjen e ministrit të Energjitikës Dritan Prifti, duke e akuzuar atë për papërgjegjëshmëri të plotë. “Papërgjegjshmëria e Ministrit Prifti në shkeljen e sigurisë është e mjaftueshme që ai të largohet sa më parë nga qeveria”, tha Veliaj. Sipas tij, situata aktuale në zonat e përmbytura ka ardhur si pasojë e kësaj papërgjegjshmërie dhe e paaftësisë së qeverisë. Eshtë e turpshme për Priftin dhe për kryeministrin Berisha, theksoi Veliaj, që t’i venë fajin për këtë situatë Afrikës, ngrohjes globale apo natyrës.
Në këtë kontekst, ai i bëri apel Kryeprokurores Ina Rama që të nisë një hetim në lidhje me menaxhimin e digës në Fierzë, për të kuptuar se cfarë rregullash të sigurisë janë shkelur dhe për të vënë përgjegjësit para drejtësisë. “Zonja Ina Rama”, tha kreu i G99 gjatë kësaj konference për shtyp, “duhet të na tregojë se ekziston profesionalisht dhe se është aty në detyrën e saj, duke nisur një hetim të plotë për këtë ngjarje”. “Refuzimi i angazhimit të saj edhe në të tilla raste fatkeqësish na bën të besojmë se ajo është e intimiduar plotësisht nga kryeministri i vendit”, konstatoi më tej ai.
Një akuzë të fortë për paaftësi dhe për mungesë totale të përgjegjshmërisë Veliaj bëri edhe ndaj kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli. Ai tha se, “zonja Topalli ka rreth 15 vjet që është deputete e kësaj zone e megjithatë, nuk ka ndërmarrë as edhe njëherë të vetme ndonjë nismë për t’i paraprirë një situate të tillë”.
Veliaj shprehu mirënjohje për forcat e rendit e të ushtrisë si dhe për solidaritetin që kanë treguar qytetarët shqiptarë gjatë kësaj situate. Ai bëri ftesë edhe për më shumë solidaritet ndërkohë që pohoi se G99 është e gatshme të ofrojë të gjithë ndihmën e saj qoftë profesionale, qoftë njerëzore në përballimin e situatës. “Edhe njëherë”, shtoi ai, “kuptuam se në këtë vend është emergjent zbatimi i një politike të qartë për sigurinë e jetës njerëzore, politikë e cila mungon totalisht”.