Erion Veliaj: “Berisha të bëjë referendum për hapjen e kutive siç do të bëje për Ligjin e Dosjeve”
Kryetari i G99 Erion Veliaj e sfidoi sot maxhorancën duke artikuluar për herë të parë idenë e një referendumi popullor për hapjen e kutive.
Kryetari i G99 Erion Veliaj e sfidoi sot maxhorancën duke artikuluar për herë të parë idenë e një referendumi popullor për hapjen e kutive.
Gjatë një prononcimi për televizionin ALSAT, Veliaj u shpreh: “ne e sfidojmë qeverinë që ashtu siç shpreh interes dhe vendosmëri të realizojë referendum popullor për Ligjin e Dosjeve, duke mos respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, atëhërë le të realizojë një referendum popullor edhe për hapjen e kutive”. Sipas kreut të G99 kjo kërkesë është mëse normale pasi “nuk mund të përdoren dy standarte për respektimin e vendimit të Gjykatave”, e në këtë klimë “populli opozitar ndihet i dhunuar sepse percepton një garë aspak të drejtë e transparente.”
I ftuar në studion e këtij televizioni për të analizuar situatën aktuale politike, Veliaj vuri në dukje se opozita ka kërkuar transparencë në të gjitha mënyrat, që nga hetimi i zgjedhjeve e deri te leximi i fletëve të votimit në bazë të ligjit mbi informacionin. “Tani”, shtoi Veliaj, “jemi të gatshëm për referendum popullor mbi këtë kauzë”. Në rast të kundërt, pra në rast se maxhoranca nuk pranon asnjë nga këto alternativa për zgjidhjen e krizës, atëherë sipas G99, opozita do të jetë në rrugë me popullin duke protestuar.
I pyetur nëse opozita do të pranonte negociata pa u pranuar kërkesa për hapjen e kutive, Veliaj vuri në dukje se “kutitë janë thelbi” e sipas tij “hetimi i zgjedhjeve pa kuti do të ishte si të hetohej Gërdeci pa marrë parasysh shpërthimin, si të shikohej rruga Durrës-Kukës duke injoruar shembjen e tunelit”.
“Asnjë nga ne nuk dëshiron një ndarje në tavolinë të rezultatit zgjedhor. Ishte kjo kërkesë për rinumërim që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Megjithëse të dëmtuar e të indinjuar nga ky akt, ne nuk po zgjedhim ta vemë atë në diskutim. Ajo që duam të bëjmë me hetimin mbi zgjedhjet është të bëjmë autopsinë e zgjedhjeve, për të kuptuar shkaqet e masakrimit të tyre”, tha Veliaj.
Sipas kreut të G99 ka ardhur koha që të gjithë shqiptarët të dinë të vërtetën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe kjo është një kërkesë mëse legjitime e cila sigurisht, nuk bëhet dot pa hapur kutitë. “Nëse për një rast ndërprerjeje të dritave në stadiumin kombëtar u çuan në komisariat 35 vetë, ajo që kërkojmë të dimë ne është përse nuk është çuar në komisariat as edhe një njeri për një krim siç është vjedhja e votës, të njohur e pranuar gjerësisht.”, u shpreh ai.
Veliaj komentoi edhe rezolutën e fundit të Këshillit të Europës duke e konsideruar atë një fitore për opozitën dhe një disfatë për maxhorancën. “E djathta nuk donte që të përdorej termi krizë politike në rezolutë, por në fakt u përdor; ajo nuk donte të ishte presidenti negociator mes palëve, por në fakt ai u propozua; maxhoranca nuk donte që ndërkombëtarët të ndërhynin, por në fakt ata po vijnë në Shqipëri”, tha ai.